Trudeau i kërkon Edi Ramës votën e Shqipërisë për vendin vakant në Këshillin e Sigurimit të OKB – Ç’do të marrë Shqipëria në këmbim?

448
Sigal

Marrëdhëniet mes Iranit dhe USA si dhe Coronavirus kanë qenë pjesë e rëndësishme e axhendës në Konferencën e Mynihut për Sigurinë. Kryeministri kanadez Justin Trudeau, pjesëmarrës në këtë takim të premten 14 Shkurt, inkurajoi liderët globalë të pranojnë që një botë në ndryshim kërkon më tepër përpjekje në favor të zhvillimit ekonomik për të gjithë. Trudeau ka ndaluar në Mynih, pas një turi një javor në Afrikë dhe Kuvajt ku tema qëndrore e bisedimeve ka qenë kryesisht rritja e aksesit në edukim për të rinjtë.

Para se të mbante fjalën e tij në Konferencën e Mynihut, Trudeau është takuar me delegacionin e USA të kryesuar nga senatori republikan Lindsey Graham si edhe me kryeministrat e Niger-it, Shqipërisë dhe Presidentin e Kazakistanit. Siç ka raportuar Radio Canada, këto takime janë zhvilluar në vijim të fushatës së Kanadasë për të siguruar votat e mjaftueshme për një vend anëtari të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe vizita në kontinentin afrikan, ku Trudeau takoi shumë kryetarë shtetesh dhe kryeministra, lidhej pikërisht me këtë fushatë. Ndër ta, vetëm Presidenti i Senegalit, Matsky Sall, ka deklaruar publikisht mbështetjen në favor të Kanadasë, që sebashku me Norvegjinë dhe Irlandën, konkurojnë për dy vendet vakante në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Sipas një komunikate zyrtare të shkurtër të Kabinetit të Justin Trudeau kushtuar takimit me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, Kryeministri kanadez ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet dhe solidaritetin e Kanadasë në raport me katastrofën që përfshiu Shqipërinë gjatë tërmeti të 26 Nëntorit të vitit të kaluar, si dhe ka vlerësuar partneritetin mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, OSBE dhe Konferencës së Frankofonisë. Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin e mëtejshëm të këmbimeve tregëtare dypalëshe.

Nga Tirana zyrtare ka patur një përpjekje për ta interpretuar këtë takim si një sukses të politikës dhe diplomacisë shqiptare, por mediat kanadeze e kanë zbuluar motivin e vërtetë takimit, jo vetëm më Kryeministrin Rama por edhe me dy krerët e lartë të Niger-it, ndër vendet më të prapambetura anetarë të OKB, dhe Kazakistanit, që në fakt është një shtet shumë larg parametrave demokratike dhe ku sundon prej vitesh një regjim autokratik.

Ajo që nuk dihet është fakti se çfarë ka deklaruar Rama në lidhje me votën në favor të Kanadasë për një vend në Keshillin e Sigurimit të OKB. A ka kërkuar Rama që në këmbim të kësaj vote Kanadaja të nënshkruajë Marrëveshjen dypalëshe të negociuar dhe të mbetur pezull prej vitit 2013 për mbrojtjen e Investimeve (Foreing Investments Protection Agreement)? Kjo mbetet të mësohet në muajt në vazhdim, ndërkohë që Kanadaja një marrëveshje të tillë e ka nënshkruar me Kosovën dhe ajo tashmë ka hyrë në fuqi në Dhjetor 2018.

Kujtojmë gjithashtu që qysh nga viti 2015 ka patur një ftohje në raportet mes dy vendeve, Kanadasë dhe Shqipërisë, ftohje që u pasua dhe me një ulje të ndjeshme të volumit të këmbimeve tregëtare, ndërsa vizita e fundit zyrtare e nivelit të lartë në Kanada, ka qenë ajo e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në të njejtin vit. Nga kryeministrat, i vetmi që ka vizituar Kanadanë, ka qenë Kryeministri Berisha në vitin 2007, ndërsa nga pala kanadeze Shqipërinë e pat vizituar në vitin 2009, kryetari i atëhershëm i Senatit, Noël Kinsella.

Aktualisht Kanadaja nuk ka asnjë diplomat të atashuar në Tiranë dhe të gjitha shërbimet konsullore apo autentifikimet e dokumenteve realizohen në Romë. Ndërkohë eshtë nënshkruar më 30 Prill 2019 Marrëveshja për Sigurimet Sociale midis dy vendeve por kjo marrëveshje ende nuk është berë e zbatueshme edhe pse nga pala shqiptare janë kryer të gjitha procedurat e ratifikimit.