Tritan Shehu : Rama, që në tetë vite shkatërroi një Sistem Shëndetësor, ka dalë sot që në tetë javë të ndërtojë një spital!!

210
Sigal

Ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se Rama në 8 vjet e shkatërroi sistemin shëndetësor në vend, ndërsa sot del e thotë se do të ndërtojë një spital për tetë javë.

Shehu thekson se Rama, edhe një spital në Fier, po e ndërton sa për sy e faqe, pasi nuk ka për të asnjë plan paraprak, por bën çfarë i thotë mendja e tij.

Postimi i ish-deputetit të PD-së Tritan Shehu:

Rama, që në tetë vite shkatërroi një Sistem Shëndetësor, ka dalë sot që në tetë javë të ndërtojë një spital!!

Një parodi sot, Kryeministri bën një «xhiro» e merr vendimet për ndertimin e një spitali, pa asnjë studim paraprak, pa asnjë specialist në krah…vetëm vetë, mjafton ai!

Më kujtuan pamjet e sotme në Fier, atë kohe kur ai «qoftë largu» po në Fier caktonte rezervat e naftës, ku duhej kërkuar, shpuar, gjetur dhe kur gjente vetëm ujë…pushkatonte ata që as i kishte pyetur.

Pa dyshim Rama nuk do ketë kohë të «pushkatojë» ndokënd se 25 Prilli erdhi!

Dhe Kryeministri i sotëm, nën terrorin e etheve elektorale, nën peshën e dështimeve ta pa fund, mbasi nën gënjeshtrën «Shëndetësi Falas» e ktheu atë sistem në një të tillë, ku për qytetarin ka vetëm një dilemë «ose paguaj ose vdis», sot bën rolin e «poliedrikut» edhe për ndërtimin e një spitali.

Në fakt duke dalë krejt i vetëm, folur e vendosur vetëm ai, tregon që ai është shumë larg nga të kuptuarit se çdo të thotë Spital, ndërtimi e funksionimi i tij, se çfarë studimesh, sëmundeshmërie, demografike, nivelesh teknike, vizibiliteti, didaktike, shkencore etj. në kuadrin e një sistemi shëndetësor, pa folur për ato urbanistike, inxhinierike etj, duhen përpara se te fillojë ndërtimi i një spitali të dobishëm, ndryshe gjithçka përfundon në asgjë.

Prandaj dëshiroj t’u them dhe partnerëve tanë të nderuar, duke i falënderuar për gatishmërinë e për ndihmën që duan të na japin:

—Mos u bazoni te «projekteti», idetë, në fakt improvizimet e nje kryeministri qe veçse shkatërroi sistemin tonë shëndetësor, veçanërisht tashti në ikje e panik nga vota e shqiptarëve, që sot përpiqet të kapet si i mbyturi mbas flokëve.

Ju keni një eksperiencë gjigante në ndërtimet e funksionimet spitalore, keni specialistë të shkëlqyer të tillë në vendin tuaj, mjafton të pyesni ata për ekzigjencat, ritmet e një spitali….dhe do të me jepni të drejtë, pikërisht për të mos u keqpërdorur mbështetja juaj e për t’u shërbyer realisht shqiptarëve!