Tritan Shehu: Paraliza e shërbimit shëndetësor publik është patologjia e politikës “Rama”

454
Sigal

SHBA-të për shërbimin shëndetësor publik kanë buxhet 10-12 % të PPB-së, dhe kjo përkthehet në 9.000 dollarë për frymë, Europa e Bashkuar shpenzon 10-11 % të PPB-së, ose 4.000 euro, Mali i Zi 10-12 % të PPB-së, kurse Shqipëria vetëm 2,8 % të PPB-së, ose 110 dollarë për frymë. Përpos këtyre shifrave mjaft domethënëse, kryeministri i tanishëm, Edi Rama ka premtuar për një shërbim falas shëndetësor. I ndodhur përballë realitetit, kryeministri Rama, u detyrua që ta korrigjojë premtimin e tij, duke e shtyrë afatin kohor deri në mandatin e dytë qeverisës. Prof. Tritan Shehu, i cili është drejtuesi i departamentit të shëndetësisë të PD-së, në intervistën për “Telegraf” i bën një skaner politikës së qeverisë “Rama”. Prof. Shehu, argumenton përse politika e Ramës për një shëndetësi falas është spekulative, duke dhënë edhe shifrat sa është buxheti i shtetit për shërbimin shëndetësor publik. “Dalja me të tilla ide populiste thellësisht majtiste, të gënjeshtra, siç është ajo e shëndetësisë falas, pra që njerëzit nuk do paguajnë për shërbimin shëndetësor, apo siç është koncepti kundërshtues ndaj tregut të shëndetit, rolit të privatit etj, padyshim dhanë efekte bllokuese dhe penguese në këto 18 muaj”. Zoti Shehu jep edhe vizionin e politikës së re të PD-së për shërbimin e shëndetësisë, duke theksuar se decentralizimi, ndërtimi i spitaleve ndërmarrje, privatizimi i parësorit, si edhe specializimi i mijëra mjekëve të familjes, do të jenë e vetmja kurë shërimi i sistemit shëndetësor publik te ne.

– Zoti Shehu, çfarë ka ndryshuar në shërbimin shëndetësor publik në këtë qeverisje te majtë?

– Ka 18 muaj që e majta ka ardhur në qeverisje me një sërë premtimesh, shumica e tyre spekulative, veçanërisht në nivelin e shërbimit shëndetësor, i cili në të vërtetë ka pasur problem, krahas arritjeve dhe në të kaluarën. Ky është një shërbim jo i lehë për t’u menaxhuar. Por mënyra spekulative e përdorimit te tij nga zoti Rama, në fushatën elektorale, për të manipuluar opinionin shqiptar duke paraqitur disa ide, krejtësisht absurde dhe të dëmshme për këtë sistem e zhvillimin e tij, kane bllokuar sot çdo progres. Dalja me të tilla ide populiste thellësisht majtiste, të gënjeshtërta, siç është ajo e shëndetësisë falas, pra që njerëzit nuk do paguajnë për shërbimin shëndetësor, apo siç është koncepti kundërshtues ndaj tregut të shëndetit, rolit të privatit etj, padyshim dhanë efekte bllokuese dhe penguese në këto 18 muaj. Ndaj, unë jo vetëm nuk konstatoj zhvillime thelbësore pozitive, por realisht shikoj një regres, ose gjendje “kënete” në disa elemente, që lidhen kryesisht me elementët menaxhuese  dhe financuese.

– Konkretisht?

– Së pari, sistemi shëndetësor financohet në vlera vërtetë qesharake, të cilat janë 2,8 % të GDP-së, ose rreth 240 $ për frymë, duke mbledhur këtu buxhetin, kontributet dhe pagesat direkt. Kjo është shifra më e ulët në Europë, pas Moldavisë. Mesatarja botërore është rreth 800 $.

– Pyetje: Sa ishte kjo në qeverinë “Berisha”?

– Edhe atëherë ajo ishte e tillë. Por sot prej 1,5 vitesh të qeverisë “Rama”, ai duhet të realizojë premtimet e tij dhe jo ta mbajë sistemin në nivel varfërie, sepse ka premtuar shëndetësi falas. Sistemi shëndetësor është shumë i kushtueshëm, edhe për vendet më të zhvilluara. Prandaj kërkohen forma të ndryshme alternative financimi. Fatkeqësisht, duke u nisur e bazuar nga premtimi i gënjeshtër, janë bllokuar zhvillimet e formave alternative të rritjes së financimit, ku kryesorja janë kontributet direkt, duke mos qenë e aftë të shtojë edhe të ardhurat nga taksimi i përgjithshëm. Idetë e shprehura Z. Rama për të eliminuar kontributet direkte, jo vetëm janë spekulacione të pa realizueshme, sepse do të ulnin me 25 financimet për shëndetësinë, por dhe kanë ngurtësuar tablonë në një pikë kritike.

– Probleme të tjera të sistemit të shëndetësisë?

– Defekti i dytë i madh është në politikat menaxhuese. Këtu dëshiroj të nënvizoj centralizimin e tejskajshëm të sistemit. Kjo ka qenë një sëmundje veçanërisht për sistemin spitalor, sot e thelluar, duke qenë një nga shkaqet kryesore të problemeve të tij. Vitet e fundit u bë një progres në kujdesin parësor me decentralizimin e tij, gjë që dha frute pozitive. Fatkeqësisht këto muaj dhe në këtë pikë po kthehemi mbrapa. Mjafton të lexoni vendimin e KM Nr 534 të datës 4/12/2014, ndërsa në fakt janë pjekur të gjitha kushtet për të avancuar me  privatizimin e gjerë të tij. Nga ana tjetër Z. Rama para Vitit të Ri foli për kalimin e spitaleve drejt konceptit “spitali  ndërmarrje”. Strategji e drejtë kjo, që ne e kemi artikuluar prej kohesh, por që realisht është diametralisht e kundërt me hapat që po ndërmerr kjo qeveri dhe këtu.

– Po emërimet e drejtuesve të institucioneve të shëndetësisë a duhen të bazohen në kritere të përcaktuara nga ligji?

– Problemi i madh i tretë është ai që lidhet me stafin drejtues të institucioneve shëndetësore. Këtu jo vetëm kemi të bëjmë me një centralizëm bolshevik, por kemi dhe një mungesë totale kriteresh e parametrash. Gjithkush mund të emërohet drejtues, pavarësisht llojit të arsimit universitar, pas universitar, eksperiencës etj. Sot në Shqipëri akoma nuk ka kritere për drejtuesit e sistemit shëndetësor. Drejtorët e spitaleve, drejtorët e shëndetit publik, emërohen kuturu. Një ekonomist në hekurudhë p.sh emërohet papritur drejtor në spitale, ku nuk njeh asgjë. Dhe vendimi nuk merret nëpërmjet konkursesh, nga bordet e spitaleve, ai kryhet veçse i centralizuar. Në këtë drejtim një fenomen rëndues është dhe parcelizimi apo ndarja e posteve brenda koalicionit. Një parti që është në koalicion qeverisës, emëron drejtorët e saj nëpër spitale apo kujdes parësor, pa kaluar asnjë procedurë, pa pasur asnjë standard dhe asnjë rekuizit teknik, madje duke ja imponuar këtë organeve superiore. Kjo është shkatërruese. Ka ardhur koha të vendosen standarde kombëtare. Drejtimi shëndetësor është një profesion i veçantë, dhe shumë i vështirë e kompleks.

– Pse kjo politikë?

– Kjo lidhet me element interesash politike, influencash, klientelizmit politik, përfitimesh materiale etj. Vetëm me diçka nuk lidhet, me interesat e sektorit të shëndetësisë për t’u zhvilluar nuk ka asgjë të përbashkët.

Reformën e ndërmarrë në Shëndetësi, ju si mund ta cilësoni?

– Unë nuk shikoj ndonjë reformë reale në shëndetësi, në këto 18 muaj.  Asnjë reformë bindëse, të thellë, progresive. Unë shikoj disa spekulime apo mballoma, që i bëhen sistemit shëndetësor, shumë të dyshimta dhe aspak efikase këto, duke e lënë atë në gjendje paralize, gjë që të çon në regres.

–  Cili sistem shëndetësor duhet aplikuar te ne?

– E kam dëgjuar këtë ide absurde. Unë nuk mendoj se ne jemi më të aftë për të krijuar sisteme të tilla se gjermanët, francezët, amerikanët etj. Në botë sot ka tre sisteme shëndetësore. Është ai i centralizuari shtetëror komunist që ne e patëm për 50 vite. Në ekonominë e tregut ka dy kryesore të lidhura me publikun e decentralizuar dhe privatin, ai që bazohet te financimet nga taksimi i përgjithshme dhe ai që bazohet te të ardhurat nga kontributet direkte, Bismark. Të dy këta të fundit mund të bashkëjetojnë në një sistem miks, si dhe me të ardhurat shtesë nga pagesat direkte.

– Ju cilën nga këto forma këshilloni?

– Pa asnjë lëkundje do të thosha se ne që më 1993 bëmë zgjidhjen e drejtë kur futëm konceptin e kontributeve direkte, pra të skemës Bismark, megjithëse vlera e kontributit ishte dhe fatkeqësisht ka ngelur akoma e ulët, 3,4%. Kjo është forma më direkte, më solidare, transparente e pjesëmarrjes së popullsisë në financimin e sistemit shëndetësor. Po kështu kjo krijon stabilitet e autonomi të këtij sistemi, gjë tashmë është provuar qartësisht në vendet ku ky sistem dominon dhe gjatë krizës së fundit. Ne sot kemi një formë të përzier financimi. Deklaratat e Z. Rama për të zeruar pjesën e kontributeve të çojnë veçse në kolaps të sistemit. Përkundrazi, ne duhet të zhvillojmë kontributet direkte, duke i rritur ato në së paku 7% menjëherë. Rrugë tjetër unë nuk shikoj dhe për rritjen e ndjeshme aktuale të financimeve.

-Po për ato shtresa që nuk mund të kontribuojnë?

– Shtresat që janë në nevojë, apo që nuk mund të kontribuojnë, mbulohen nga politika sociale dhe futen automatikisht në skemë. Këto janë futur në skemë tek ne qysh në vitin 1993, e jo më sot. Të gjithë pensionistët, të papunët, nxënësit, studentët, janë automatikisht në skemën e te siguruarve, pavarësisht se nuk kontribuojnë dot. Këto janë politika normale të një shteti social. Këtu nuk ka asnjë risi sot në politikat e Ramës, të mbulimit të shërbimit të sistemit shëndetësor.

–  Sa është mundësia që të konkretizohet premtimi politik i kryeministrit Rama, për një shëndetësi falas?

–  Ai premtim është gënjeshtër komuniste. Nuk ka shëndetësi falas. Shëndetësia kushton shumë, më shumë se gjithë sektorët e tjerë. Askush nuk vjen të të japë falas qindra milionë  euro për shëndetësinë. Të ardhurat për shëndetësinë do të vilen nga taksapaguesit shqiptarë. Do dalin nga taksimi i përgjithshëm, do dalin nga kontributet e drejtpërdrejta, nga pagesat direkte, apo në mënyrë mikse, këto janë forma organizative. Një gjë është e qartë, që qytetarët do paguajnë.

– A mendoni se tani në spitale nuk ka më mungesë ilaçesh, dhe materiale ndihmëse, sikur u premtua dhe thuhet nga qeveria?

– Gjendja në spitalet tona sot është shumë e vështirë. Kjo është e vështirë në dy nivele. Në mungesat e mëdha në furnizime në tërësi si dhe në mungesat e mëdha në specialistë në spitalet periferike. Kjo bën që ata të mos funksionojnë, siç duhet. Kjo bën që spitalet jashtë Tiranës të mos kryejnë as veprimet e urgjencës, por të tentojnë me çdo mjet e çdo mundësi që të evakuojnë drejt Tiranës ata pacientë. Në fakt sistemi i ynë spitalor, që vitet e fundit është pajisur mirë me teknologji moderne, vuan nga një mosfunksionim i pajisjeve speciale. Keqmenaxhimi, mungesa e furnizimeve dhe mungesa e specialistëve bëhet shkak për të mos i vënë në efiçencë këto investime të mëdha.

–  Ministri i Shëndetësisë ka pohuar, se mungesa e specialistëve mjekë ka ardhur nga bllokimi në vite i specializimeve. Cila është e vërteta?

– Këtu ka një të vërtetë. Specializimi i kuadrove të mjekësisë nuk ka ecur siç duhej, por edhe tani nuk bëhet siç duhet. U bë një vit e gjysmë e qeverisjes së Ramës dhe vetëm 2 javë më përpara u krye konkursi, që mund të ishte bërë prej kohësh. Por për mua, përsëri edhe numrat e specialistëve janë të kufizuara. P.sh, po të shikosh, kemi shumë pak specializantë të pranuar për mjekun e familjes, kur Shqipëria ka nevojë për qindra mjekë të familjes. Unë do të propozoja, me këtë rast, të krijohen 4 qendra përgatitjeje të mjekut të familjes me kohë specializimi 3 vjeçare. Një në Durrës, në Tiranë, në Shkodër dhe Vlorë, nën patronazhin e fakultetit të mjekësisë. Shëndetësisë i nevojiten mjekë familjeje të specializuar. Mjeku i përgjithshëm i sotëm nuk mund ta zëvendësojë atë.

– Ku vete fondi që është destinuar për ilaçe, ndërkohë që ilaçet mungojnë nga spitalet?

– E para, buxheti është shumë i vogël e i pa mjaftueshëm. Prandaj duhen forma të ndryshme financimi. Po kështu ka dhe çrregullime e paaftësi menaxheriale, që krijojnë shpërdorimet. Centralizmi dhe në tenderimet është një nga shkaqet më negative. Zgjidhja është rritja e financimeve së bashku me implementimin e mekanizmave të reja menaxhuese e decentralizuese të spitaleve, për të kaluar realisht te spitali ndërmarrje, si  dhe duke zgjeruar gamën e privatizimit të shërbimeve shëndetësore.

– A vlerësoni ndonjë iniciativë pozitive të qeverisë aktuale në shëndetësi!

– Këtu do të vendosja përpjekjet që kanë filluar për implementimin e sistemit të kostos DRG, i lidhur vetëm me spitalet. Është një sistem, që pavarësisht kritikave, është pranuar sot nga pothuaj e gjithë bota. Pa asnjë dyshim implementimi i këtij sistemi, që kërkon rreth 3 vite përgatitje tashmë, mbasi ka përfunduar dhe studimi pilot i vitit 2012, do të krijojë premisa shumë më pozitive menaxheriale, financimi të saktë të spitaleve publike e private, konkurrencë tregu, shëndeti etj. Por e theksoj, se optimalja arrihet duke e bashkuar këtë me një vullnet e vizion decentralizimi të plotë të spitaleve, barazie në treg me privatin e konvencionuar, me rritjen e peshës së kontributeve direkte në financimin e përgjithshëm, si dhe me autonominë e thellë të sistemit sigurativ. Pra, me një vizion e praktikë te kundërt nga ajo që Z. Rama ka paraqitur e po ndjek.

3 kritikat ndaj politikës “Beqaj në shëndetësi

–  Ku e opozitoni politikën “Beqaj”?

– Këtu është politika “Rama”. Kjo është politikë e qeverisë. Së pari, e kritikoj për konceptet e financimit dhe për gënjeshtrën e shëndetësisë falas. Së dyti, janë konceptet menaxheriale centraliste. Unë jam për privatizim të parësorit dhe kthimin e spitaleve realisht në konceptin ndërmarrje. Së treti, është grupi i drejtuesve të sistemit shëndetësor, që zgjidhet jo mbi kritere profesionalizmi, gjë që duhet ndryshuar menjëherë. etj.

– Faleminderit!

 

Jakup B. GJOÇA