Transformimi i kryeqytetit, Erion Veliaj: Ja cilat janë 10 projektet ikonike të 5 viteve të ardhshme në Tiranë 

184
Sigal

10 Projekte të reja ikonike do t’i shtohen Tiranës në 5 vitet e ardhshme të bashkisë së Tiranës, që do të jenë edhe paja për gjeneratën tjetër. Gjatë prezantimit të Strategjisë së re 5-vjeçare të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se këto projekte do të jenë imazhi i ri i Tiranës moderne.“Në 5 vitet e ardhshme duam të përfundojmë 10 projekte kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës. Projekti i parë: Teatri Kombëtar. Detyra jonë nuk është që t’iu pëlqejmë të gjithëve, detyra jonë është që t’i shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që deri dje në verë shkonin me peshqir e në dimër me batanije në Teatër, e të sigurohemi që projekti i Bjarke Ingels e kthen Tiranën në kryeqytetin e artit dhe të kulturës bashkëkohore në rajonin tonë. Projekti ynë i dytë kryesor është stadiumi i ri “Selman Stermasi”. Kemi filluar gjithë procedurat dhe dhe idetë e projektit. Si projekt i tretë i yni është Muzeu i Artit Modern, si në çdo qytet i madh dhe i rëndësishëm të botës. I kemi sot mundësitë, ashtu siç u transformua TOB-i, ashtu siç u transformua stadiumi, ashtu e kemi mundësinë të kemi një Muze të Artit Modern. Hapësira do të jetë tek Bulevardi i Ri,”- u shpreh Veliaj.

Po ashtu, Kampusi i ri Universitar është një tjetër projekt i rëndësishëm, ku do fokusohet puna në 5 vitet e ardhshme. Ndër projektet e tjera ai veçoi Zonën e Lirë të Zhvillimit Ekonomik të Tiranës.

3 projektet e tjera që përmendi Veliaj janë: “Projekti ynë i tetë, që besoj do të jetë ikonik për Qytetin, ka të bëjë me Muzeun e Tiranës. Është hera e parë që bashkia blen një pronë private për t’ia kthyer publikut.

Projekti i parafundit është Kopshti Botanik. Do ta kthejmë në një hapësirë dinjitoze për Qytetin, ku t’i japim dhe një mundësi Universitetit, që ta shfrytëzojë për rritjen e kapacitetit. Duam të bëjmë të njëjtën gjë tek Kopshti Botanik. Mos na pengoni sepse do ta qajmë atë punë dhe do të jetë një hapësirë e jashtëzakonshme. Projekti i fundit do të jetë Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”.

Pallati i Sportit ka qenë një hangar i avionëve të kohës së Italisë, kohës së fashizmit. Ka ardhur koha që Tirana të ketë një arenë të mirëfilltë për volejbollin dhe basketbollin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

10 projektet:

1.Teatri Kombëtar

2.Stadiumi i ri “Selman Stermasi”

3.Një Muze i Artit Modern

4.Kampusi i ri Universitar

5.Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës

6.Qendra e re e Konventave

7.Qendra e Panaireve

8.Muzeu i Tiranës

9.Kopshti Botanik

10.Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”