Tragjedia në minierë, Nishani mesazh ngushëllimi homologut turk

313

Presidenti Nishani i shpreh Presidentit turk Gül ngushëllimet dhe solidaritetin e popullit shqiptar për viktimat e shpërthimit tragjik në minierën e Somas

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gül në të cilin shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndjenjat e mbështetjes dhe solidaritetit të popullit shqiptar për viktimat e shpërthimit tragjik në minierën e Somas në Turqi.

“I nderuar Zoti President,

Unë dhe populli shqiptar po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit që lidhen me fatkeqësinë e rëndë shkaktuar nga shpërthimi në minierën e Somas, ku si pasojë kanë humbur jetën dhe janë plagosur me qindra minatorë!

Më lejoni, Zoti President që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e më të sinqerta për viktimat e shkaktuara, dhe, nëpërmjet Jush, familjeve dhe të afërmve të tyre!

Ju lutem pranoni ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar në këto momente kaq të vështira që po kalon vendi juaj! Ne ndodhemi pranë jush dhe besimplotë se populli turk, qeveria dhe të gjitha institucionet do të gjejnë forcën, kurajën e vendosmërinë për kapërcimin e kësaj situate!” – thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani.