Totozani: Drejtoresha e INUK i kundërvihet Ligjit dhe Kushtetutës, duke publikuar se i bindet vetëm VKM-ve

395
Sigal

Avokati i Popullit cilëson të paligjshme gremisjen e ndërtesave në Udënisht dhe kërkon pezullimin e tyre

Dje Avokati i Popullit reagoi publikisht për ndodhitë e shkatërrimit të objekteve në Udënisht nga INUK-u,  dhe kërkoi pezullimin e veprimtarisë së INUK-ut në Udënisht, duke argumentuar që Avokati i Popullit gjykon se nga ana e INUK nuk janë zbatuar dhe respektuar detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e këtij organi të administratës publike. Mirëpo, drejtoresha e INUK-ut, Dallëndyshe Bici, publikisht i kundërvihet Avokatit të Popullit, duke I thënë se shpërfill ligjin, Kushtetutën, pasi ajo zbaton vetëm VKM-të. Me fjalë të thjeshta, do të thotë, që drejtoresha e INUK-ut, zbaton vetëm urdhërat e Kryeministrit.

Ja shkelja e ligjit nga INUK-u, sipas Avokatit të Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të shtetasve nga veprimet apo mosveprimet të organeve të administratës publike, në bazë të Ligjit nr.8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, plotësuar me ligjin nr.8600 datë 10.04.2000, ndryshuar me ligjin nr.9398, datë 12.05.2005, në kuadër të një inspektimi të ndërmarrë me iniciativë në zonën e Hudenishtit, Pogradec, ku po zbatohet projekti i rehabilitimit të segmentit rrugor Lin-Pogradec, ka pranuar një sërë ankesash që janë paraqitur nga banorët që kanë ndërtuar objekte banimi dhe shërbimi në këtë zonë.  Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 21/b, të Ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, në të cilin thuhet shprehimisht se; “Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit paraqet rekomandime për venien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që, sipas tij, ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,

R E K O M A N D O J M Ë:

  1. Pezullimin e çdo veprimi të mëtejshëm ndaj objekteve të banorëve të Hudenishtit, për të cilin nuk janë respektuar procedurat ligjore të njoftimit të akteve, në përputhje me përcaktimin e bërë në paragrafin e dytë, të nenit 21, të ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, ku thuhet se;

“Paraqitja e rekomandimit pezullon aktet ose veprimet e paligjshme, apo të parregullta deri në shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe dhënien e përgjigjes Avokatit të Popullit”.

  1. Marrjen e masave administrative për vënien në dispozicion të akteve që lidhen me procesin e prishjes së objekteve të banorëve në zonën e Hudenishtit, me qëllim garantimin e të drejtës së ankimimit në organet gjyqësore.

Reagimi i drejtoreshës së INUK-ut: Zbatojmë vetëm urdhërat e Kryeministrit

I menjëhershëm është reagimi i drejtorëshës së INUK-ut, ndaj rekomandimit të Avokatit të Popullit, duke  thënë, as më pak dhe as më shumë, që ajo, si drejtoreshë, nuk do të llogaritë e të pyesë fare institucionet kushtetuese, as ligjin, por ajo zbaton verbërisht vetëm urdhërat e Kryeministrit, që e ka emëruar, pikërisht, që të zbatojë urdhëra dhe jo …ligjin. Ja  deklarata e Kreut të INUK Dallëndyshe Bici, pak pasi Avokati i Popullit rekomandoi pezullimin e prishjeve.

“Ne punojmë bazuar në një VKM, tha kreu i INUK, duke shtuar se persona të veçantë po keqpërdoren nga individë të ndryshëm”.

Ligji, por  edhe Maliqi i INUK-ut

Banorët janë në proces gjyqësor për  ligjshmërinë e pronave të  tyre dhe asnjë gjykatë nuk ka marrë asnjë vendim të asnjë forme që ndërtesat në fjalë janë të paligjshme, dhe që duhen të prishen. Edhe ligji nuk i jep asnjë kompetencë INUK-ut, që të veprojë, derisa nuk ka në dorë asnjë vendim gjykate. Drejtoresha e INUK-ut mban, së pari, përgjegjësi përpara ligjit për veprimet dhe mosveprimet e urdhërave që u jep vartësve të saj. Kështu, nëse ndodh, që gjykata u jep të drejtë ankesave të banorëve, por që, ndërkohë, INUK-u pa asnjë vendim gjykate i ka gremisur ndërtesat, atëhere dëmshpërblimi ndaj të dëmtuarve nuk duhet të dalë nga buxheti i shtetit, por nga buxheti i drejtoreshës të INUK-it që shpërfilli ligjin, rekomandimet e Avokatit të Popullit. Përgjegjësia e drejtoreshës së INUK-ut duhet të jetë edhe penale, për shpërdorim detyre. Por, meqë kjo drejtoreshë deklaron se zbaton një urdhër që ka marë nga kryeministri, atëhere edhe urdhëruesi, Kryeministri ka përgjegjësi ligjore për shpërdorim detyre, ngaqë ka udhëruar vartësit e tij të shpërfillim ligjin.