Topollaj: PD po flirton me PS, asnjë shenjë për shkëputjen me të keqen

531
Partia Demokratike ende nuk e ka kaluar dhimbjen e pësuar në zgjedhjet e 25 qershorit, ku i mungonin 200 mijë vota në krahasim me vitin 2013
Sherret e brendshme në Partinë Demokratike, duket se nuk kanë ndërmend të shuhen, për aq kohë sa lideri i saj, i dalë nga zgjedhjet e 22 korrikut nuk do të dalë hapur në mbrojtje të kauzës së ndërtuar në çadrën e lirisë. Humbja e thellë në 25 qershor, marrëveshja e 18 majit, qëndrimi i ministrave teknik ende në detyrë, bindja ndaj çdo deklarate të qeverisë, modalja nga guaska e frikës për t’u përballur me të vërtetën në bazë, duket se janë disa nga çështjet thelbësore që po mundojnë këto ditë selinë blu. Përtej asaj se çfarë thuhet në rrjetet sociale, e vërteta mbetet brenda katër mureve të ndërtesës së PD-së. Megjithatë ditët e fundit ka pasur disa përplasje mes kupolës së PD-së dhe aleatëve të saj më të ngushtë. Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi, të cilët janë pjesë e Kuvendit, falë futjes së tyre në listën për deputet në vende të sigurta kanë qenë tejet kritik lidhur me ministrat teknik dhe heshtjen e liderit Lulzim Basha. Ata kanë kërkuar nga basha tërheqjen e ministrave duke dhënë edhe sugjerimet përkatëse sesi duhet të rikthehet PD në shina. Por deklaratat e tyre nuk janë pritur mirë nga një pjesë e Partisë Demokratike. Kjo forcë politike vijon që të jetë e ndarë në dy grupe, ata që akuzojnë Ramën për vjedhjen e zgjedhjeve në 25 qershor dhe pala tjetër që kërkon nga Basha që të tërheqë ministrat teknikë nga kabineti. Disa prej anëtarëve të PD, mes tyre edhe anëtari i këshillit bashkiak, Fabian Topollaj nuk e kupton qëndrimin e Bashës, që vijon të mbajë në qeveri 7 ministrat teknikë. Po reagimit të tij i përgjigjet kryetari i grupit të PD, Paloka i cili kërkon që demokratët të fajësojnë Ramën që vodhi zgjedhjet, sipas tij. Ministrat teknikë u emëruan nga Rama me propozim të Bashës në bazë të marrëveshjes së 18 Majit, si garanci për opozitën për zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe pse procesi mbaroi, rezultati u pranua dhe certifikua, ata vijojnë që të jenë ende në detyrë. Ministrat teknikë kanë deklaruar se do të qëndrojnë deri në momentin që do të bëjnë raportin për zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas anëtarit të Këshillit Kombëtar Fabian Topollaj, veprimet e bashës në këto momente janë të pakuptueshme. Ai shprehet se ka frikën se Basha është duke flirtuar me Edi Ramën. Kjo frikë e tij shkon akoma më tej, kur thotë se Basha mund të bëhet pjesë e qeverisjes me Ramën. Ndonëse nuk është shumë i sigurtë, Topollaj këtë deklaratë thotë se e bënë në një kohë kur nga ana e liderit të Partisë Demokratike, nuk shihet asnjë deklaratë kundër Edi Ramës. “Dy javët e fundit, Basha nuk ka dhënë asnjë deklaratë kundër Edi Ramës. Kjo na bënë të besojmë se ai është duke menduar të jetë pjesë e qeverisë së tij. Të gjitha veprimet e deritanishme na çojnë në këtë përfundim”, u shpreh Topollaj për “Telegraf”. Në këto momente duket se të gjithë demokratët kërkojnë të dëgjojnë zërin e liderit të tyre. 
Sigal