Sigal

Sebastian Kurz

Kancelari i Austrisë

“Një Evropë që mbron” është motoja zyrtare e presidencës gjashtë-mujore të Austrisë në BE. “Paqe, liri, siguri dhe mirëqenie”, këto e sigurojnë të ardhmen e një BE-jë të bashkuar, theksoi Kurz para auditorit në një takim me partinë kristian-demokrate në Erfurt të Gjermanisë. Për kancelarin austriak, kjo do të thotë mbyllje e kufijve të jashtëm të BE-së, heqja e kuotave për pranimin e refugjatëve ndër vendet anëtare, sikurse ka propozuar kancelarja Merkel, ngritje e qendrave të azilit jashtë BE-së dhe refuzimi i ankorimit të anijeve, që shpëtojnë emigrantë. Kur është fjala për çështjen e migrimit, Kurz gjen mbështetjen e së djathtës ekstreme siç janë Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orban. Ai gjithashtu ka kërkuar ndihmë nga ministri i Brendshëm konservator i Gjermanisë, Horst Seehofer, i partisë bavareze CSU si motër e CDU-së, dhe ndoshta ky ka qenë thumbimi më i madh politik ndaj Merkelit gjatë muajve të fundit. “Kufijtë e brendshëm të Evropës nuk mund të funksionojnë nëse kufijtë e jashtëm nuk funksionojnë”, tha Kurz duke u pritur me duartrokitje entuziaste nga të pranishmit. “Ai nuk mendon vetëm për Austrinë, ai mendon për gjithçka në një nivel evropian, madje edhe në nivel botëror”, tha pas fjalimit të Kurzit Jürgen, një anëtar 63 vjeçar i CDU-së. “Është gjithashtu mirë që ai e mban hapur derën drejt Rusisë”, tha gruaja 61-vjeçare e Jürgenit, Christine. Ajo, megjithatë, nuk është një tifoze e mbylljes së plotë të kufijve të BE-së. “Ka shumë refugjatë që integrohen mirë. Ne vetëm duhet të kemi kontrolle më të rrepta”, shtoi Christine, ndërsa burri i saj tundte kokën duke mos qenë dakord. Konstandini, një elektricist 22-vjeçar, beson se Kurz mund të jetë një “model i qeverisjes” për konservatorët në të gjithë Evropën. “CDU-ja pas Merkelit përsëri duhet të bëhet më konservatore”, tha ai. Aq konservative sa të mund të merrej në konsideratë një qeveri e koalicioni me të djathtën ekstreme? Ky, ishte të paktën, vendimi i Kurzit dhjetorin e vitit të kaluar kur Partia e tij Popullore Austriake (ÖVP) gjeti një bazë të përbashkët qeverisjeje me ekstremin e djathtë të vendit, Partinë e Lirisë të Austrisë (FPÖ) – pikërisht partinë që ai e pati përshkruar më 2016 si “destruktive” dhe një parti që” nuk përpiqet për zgjidhje evropiane”. Por ky nuk është një koalicion i krahasueshëm me konservatorët e Gjermanisë dhe ekstremin e djathtë AfD, mundi t’i rekomandojë Kurz mikut të “dashur Mike” – siç iu drejtua ai mikpritësit të CDU-së Mohring – përpara zgjedhjeve rajonale të shtetit të ardhshëm në Tyringji: “Situata ishte shumë e ndryshme në Austri”, – tha Kurz.