Thirrja e Presidentit Meta: Stop debateve shterpë që na humbasin kohën. Integrimi kthehet në mirëqenie

528
Integrimi përkthehet në një standard më të mirë të jetesës 
Presidenti Ilir Meta përuron çerdhen e vetme të rikonstruktuar në Prrenjas 
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Bashkinë e Prrenjasit, ku u mikprit nga Kryebashkiakja Miranda Rira dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. Fillimisht Presidenti Meta dhe autoritetet vendore së bashku me ambasadorin turk Murat Ahmet Yörük, në prani të rreth 80 fëmijëve dhe nënave të tyre, përuruan çerdhen e vetme të rikonstruktuar të Prrenjasit, rindërtimi i së cilës u bë i mundur në saje të investimit dhe mbështetjes së Fondacionit “TIKA”. Presidenti Meta shprehu mirënjohjen dhe falënderoi si qeverinë turke, ashtu edhe angazhimin e jashtëzakonshëm të “TIKA-s”, duke u shprehur se: “Pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.”
“Perspektiva në Shqipërinë e ardhshme evropiane”
Më pas, Presidenti i Republikës mori pjesë në veprimtarinë kushtuar grave me temë “Perspektiva në Shqipërinë e ardhshme evropiane” në të cilën ishin të pranishëm edhe zëvendësambasadori i Bashkimit Evropian, Mario Mariani, deputetja Klajda Gjosha, gra dhe vaja të Prrenjasit, etj. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve Presidenti Meta u shpreh: “Meqenëse jemi në një moment të rëndësishëm të integrimit evropian, kemi marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, dua të shpreh besimin tim duke u përqendruar edhe njëherë në proritetet kyçe në ditët dhe javët që vijnë, dhe sidomos në aspektet kryesore që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit dhe të ecurisë së reformës në drejtësi, ne mund të kemi një vendim plotësisht pozitiv të Këshillit në një të ardhme shumë të shpejtë. Megjithatë integrimi nuk është thjesht qëllim në vetvete, por padyshim që është forca më e madhe transformuese, e cila na ka ndihmuar të gjithëve të përqendrohemi, të kemi në agjendë dhe të ecim në drejtimin më të mirë për vendin dhe për shoqërinë tonë, por në fund fare integrimi përkthehet në një standard më të mirë të jetesës së secilës prej jush dhe të familjeve tuaja, sidomos të fëmijëve tuaj.” “Reforma administrative, që synonte t’i jepte fund një fragmetarizimi të jashtëzakonshëm të pushtetit vendor dhe natyrisht që ishte një hap pozitiv që duhet shoqëruar deri në fund edhe me të gjitha elementet e tjera, që i japin një autonomi më të plotë financiare, edhe vendimmarrjeje, pushtetit vendor. “Dua të theksoj njëkohësisht edhe rëndësinë e madhe që ka vëmendja ndaj bashkive të tilla siç është Prrenjasi, por jo vetëm ajo. Edhe bashki të tjera, të cilat janë ndeshur me një masë tranzicioni, në këtë situatë të deindustrializimit, ku ka pasur dhe ka ende një papunësi masive, dhe ku nuk ka një orientim të ri drejt mundësive të reja për punësim apo për nxitje sipërmarrjeje apo për investime. Besoj se Shqipëria ka më shumë mundësi të përfitojë nga gratë dhe vajzat e saj, sepse i ka të zonjat, por ato duhet të kenë më shumë guxim, më shumë besim në aftësitë e tyre, më shumë vendosmëri. Mendoj se gratë duhet të marrin frenat në dorë, sepse përndryshe edhe Shqipëria do të ketë probleme të mëdha, por edhe familja do të ketë probleme të mëdha. Mos të harrojmë se nuk janë gratë ato që luajnë bixhoz, ato që luajnë loto, ato që promovojnë vese të tjera, që dëmtojnë familjen, shoqërinë, fëmijët. Duke e ndjerë këtë përgjegjësi për familjen, për fëmijët, për shoqërinë, për vendin, ato të bashkuara mund t’i japin një dinamikë tjetër komunitetit, shoqërisë, vendit, dhe të fitojnë atë vend që ato e meritojnë dhe pa të cilin, Shqipëria nuk mund të jetë plotësisht evropiane.” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Meta.
Sigal