Thesari i Shtetit: 1.3 miliardë lekë pagesat e vendimeve gjyqësore për largime të padrejta nga puna në 2019

447
Sigal

 

Ankesat pranë Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi tregojnë se trajtimi i pabarabartë i punonjësve të administratës publike për shkak të bindjeve të tyre politike po pengon përpjekjet e vendit për të ngritur një trupë të qëndrueshme shërbyesish civilë. Hysen Hajdaraj punoi si përgjegjës për sigurinë dhe mirëmbajtjen për më shumë se një dekadë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, përpara se të lirohej nga detyra në fillim të muajit gusht si pasojë e një konflikti 1-vjeçar me drejtuesin e këtij institucioni. Hajdaraj ka bindje politike të djathta, por ato nuk e penguan më parë që të merrte vlerësime profesionale pozitive nga drejtorë të njëpasnjëshëm të Galerisë. Gjërat ndryshuan pas ardhjes në krye të Galerisë së kuratorit dhe artistit nga Kosova, Erzen Shkololli, i cili në mes të vitit 2019 i dha dy paralajmërime për largim nga puna dhe e transferoi Hajdarajn me zyrë në një magazinë në katin përdhes të galerisë – pa dritare, pa ajrim dhe gjithashtu me një gropë septike të hapur. “Kishte jo banjo siç është banjo e mirëfilltë, por ishte gropa për banjo, gropa septike,” kujton Hajdaraj, ndërsa thekson se magazina mbante “erë shumë të keqe” kishte shërbyer për një dekadë për fondin e veprave të artit dhe veglat e punës së punëtorit të mirëmbajtjes. Pas një hetimi administrativ 6-mujor që përfundoi në qershor 2020, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do ta vlerësonte trajtimin e punonjësit të Galerisë Kombëtare të Arteve, GKA  një rast viktimizimi dhe trajtimi të padrejtë për shkak të bindjeve politike. Vendimi i Komisionerit kundër GKA-së nuk është një rast i veçuar. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjatë viteve të fundit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka marrë qindra ankesa për diskriminim për shkak të bindjeve politike, duke konstatuar dhjetëra raste trajtimi të pabarabartë në radhët e administratës publike. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda i tha BIRN se ka ardhur koha  që institucionet të mësojnë t’i vlerësojnë punonjësit në bazë të aftësive profesionale dhe jo në bazë të bindjeve politike që ata kanë. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për një ambient politik opozitar jo miqësor në Shqipëri,” theksoi ai. KMD e urdhëroi Galerinë e Arteve ta ndalonte trajtimin diskriminues ndaj Hajdarajt dhe ta sistemonte 41-vjeçarin në një ambient të përshtatshëm pune, por ndodhi e kundërta. Dy muaj pas vendimit, GKA e largoi atë nga puna dhe e hodhi Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në gjyq.  Të pyetur nga BIRN për vendimin e KMD-së, Shkololli dhe një zëdhënëse për GKA-në nuk komentuan deri në publikimin e këtij shkrimi.

Diskriminim i gjithëpërhapur

Në mars, Këshilli i Bashkimit Europian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim; megjithatë, theksoi se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Tirana duhej të bënte progres për një sërë prioritetesh, përfshirë reformën e administratës publike. Por ekspertët mendojnë se në klimën aktuale politike, kjo është e vështirë të ndodhë, pasi reforma e shërbimit civil minohet vazhdimisht nga pushteti i partive politike dhe ndikimi i paligjshëm i tyre mbi strukturat shtetërore. “Për shkak se shteti është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, bën që automatikisht lidhja midis partive dhe strukturave shtetërore të cënojë administratën publike,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike. Neni 1 i ligjit ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’ rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me bindjet politike. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka marrë 123 ankesa nga punonjës të administratës publike për diskriminim për shkak të bindjeve politike, ku në 44 raste ose 34 % të totalit, Komisioneri ka nxjerrë vendim në favor të ankuesit. Raste të diskriminimit me bazë politike janë vërejtur në shkallë të ndryshme të administratës publike, në qeveri dhe njësi të qeverisjes vendore, si dhe ndaj të punësuarve në kompani shtetërore. Ato përfshijnë punonjës të niveleve të ndryshme, duke u luhatur nga shoferi i një ambulance në një qendër shëndetësore rurale në Skrapar dhe deri te drejtues ‘politikë’ institucionesh në Tiranë. Komisioneri Gajda i tha BIRN se pjesa dërrmuese e vendimeve për diskriminim për shkak të bindjeve politike ankimohen nga institucionet në gjykatë. “Në pjesën më të madhe, vendimet tona që lidhen me diskriminim për shkak të bindjes politike ankimohen në Gjykatën Administrative dhe ka raste që shkojnë deri në Gjykatën e Apelit,” tha Gajda. “Ka raste kur organi e zbaton vendimin e Komisionerit, por mbi 90% e çështjeve shkojnë në gjykatë, kështu që dhe gjykata ka mundësi të shqyrtojë shkeljen ligjore në radhë të parë dhe situatën diskriminuese në radhë të dytë,” shtoi ai.

Kosto e dyfishtë e largimeve nga puna

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, numri i të punësuarve në administratën publike deri në vitin 2018 ishte 173 mijë.  Nga kjo shifër, vetëm 12,758 punonjës gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Sipas ligjit, ky status ka për qëllimi krijimin e një “shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.” Megjithatë, edhe kjo kategori punonjësish nuk është e mbrojtur nga largimet e paligjshme nga puna. Sipas progres raportit të Bashkimit Europian në vitin 2019, pati 896 shkarkime të punonjësve civilë nga puna, një rritje e ndjeshme nga viti i mëparshëm kur u regjistruan 596 shkarkime të punonjësve të administratës publike që e gëzojnë këtë status. Sipas të dhënave të Thesarit gjatë vitit 2019, pagesat e vendimeve gjyqësore për largim të padrejtë nga puna arritën në 1.3 miliardë lekë ose 10.2 milionë euro.

Traditë e dobët institucionale

Politologu Afrim Krasniqi mendon se kjo situatë vjen si pasojë e traditës së dobët institucionale në vend. “Ne jemi një shoqëri që prej kohësh nuk kemi pasur një strukturë shtetërore të pavarur, dhe si të tillë, ne e kemi gati të pamundur të krijojmë një kulturë dhe një brez ku individi të ndihet i pavarur, i mbrojtur dhe i barabartë përballë ligjit, pavarësisht ndryshimit apo rotacionit të partive politike,”  tha Krasniqi. Për punonjësit e administratës të larguar nga puna, diskriminimi për shkak të bindjeve politike sjell jo vetëm kosto financiare për shkak të proceseve të stërzgjatura gjyqësore, por edhe ngarkesë psikologjike. Hysen Hajdaraj i tha BIRN se përveç kostove financiare që duhej të përballonte, si kryefamiljar ai e kishte përjetuar keq largimin nga puna pas 11-vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Institucioni i Galerisë mua më ka dhënë dhe i kam dhënë,” tha Hajdaraj. “Ndjehem tej mase i diskriminuar, i përçmuar nga e gjithë djersa që unë kam dhënë në atë institucion për vite me radhë,” përfundoi ai. Nga Nensi Bogdani, Besar Likmeta

Të dhënat tregojnë se gjatë viteve të fundit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka marrë qindra ankesa për diskriminim për shkak të bindjeve politike, duke konstatuar dhjetëra raste trajtimi të pabarabartë në radhët e administratës publike

 

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda tha se ka ardhur koha  që institucionet të mësojnë t’i vlerësojnë punonjësit në bazë të aftësive profesionale dhe jo në bazë të bindjeve politike që ata kanë

 

Ekspertët mendojnë se në klimën aktuale politike, reformë në administratës publike është e vështirë të ndodhë, pasi kjo minohet vazhdimisht nga pushteti i partive dhe ndikimi i paligjshëm i tyre mbi strukturat shtetërore

 

 -123 ankesa nga punonjës të administratës publike për diskriminim për shkak të bindjeve politike

 – 44 raste që ka nxjerrë vendim në favor të ankuesit Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në dy viteve të fundit

– 1.3 miliardë lekë ose 10.2 milionë euro, pagesat e vendimeve gjyqësore për largim të padrejtë nga puna, sipas të dhënave të Thesarit gjatë vitit 2019