Thellohet skandali i abuzimeve të krekomunarëve të periferisë së Tiranës

537
Sigal

Leje ndërtimi brenda vijës së verdhë të bashkisë, ndërtime shumëkatëshe, duke shkelur ligjin, 10 mijë euro ryshfet në këmbim të heshtjes

Thellohet skandali me trojet dhe me ndërtimet në territoret e komunave kufitare me Bashkinë e Tiranës, duke shënuar një nga rastet e abuzimeve më të rënda të afro 24 viteve të tranzicionit të tejzgjatur të Shqipërisë, e që çuditërisht, është lënë në heshtje nga të dy krahët e politikës që direkt apo indirekt, rezultojnë të jenë lidhur me këto afera antiligjore. Përveç abuzimeve të publikuara disa dit më parë në gazetën “Telegraf”, zbulohen dhe disa abuzime të tjera të kryekomunarëve-bejlerë të Tiranës. Mes të tjerave, sipas burimeve për, bëhet fjalë për ndërtime jashtë vijës së verdhë të komunave që kanë në administrim, por dhe leje për pallate shumëkatëshe, kur ligji në këto zona parashikon ndërtime vetëm nga një deri në katër kate. Po nga burime të besueshme thuhet se skandali i kryekomunarëve-bejlerë të Tiranës, është vënë në dukje (me kërkesën për hetim) nga agjencitë inteligjente të partnerëve Euro-Atlantikë. Burime nën zë(jo zyrtarisht) nga agjencitë shqiptare e konfirmojnë këtë fakt, por nuk japin hollësi të mëtejshme lidhur me skandalin. “Vetëm një kryekomunar në Tiranë, për të cilin ka pasur dhe akuza më parë, rezulton të ketë një pasuri që i kalon 10 milionë dollarët. Babëzia ka shkuar deri atje, që kryekomunarët milionerë, jo vetëm të shesin troje apo të japin leje ndërtimi në territoret administrative të njësive që drejtojnë, por kanë dhënë leje ndërtimi, sigurisht kundrejt përfitimeve dhe në territore kufitare, që kanë qenë Brenda vijës së verdhë të bashkisë së Tiranës. Kohë më parë, por veçanërisht tani kur përflitet që ky skandal do të jetë objekt hetimi, ka filluar lëvizja. Përflitet se në këmbim të heshtjes, pra që bashkia të mos denoncoj grabitjen e tokave që ka në administrim juridik nga kryekomunatrët (ku aktualisht janë pallatet shumëkatëshe), ofrohen 10 milionë lekë për çdo apartament të pallatit”,- shtojnë burimet e mësipërme.

DETAJE TË ABUZIMEVE

Burimet për “Telegraf” të mësipërme, por dhe letra të ardhura në redaksi nga banorë të komunave periferike të qytetit të Tiranës, japin detaje të përmasave të skandalit të shumëpërfolur. “Janë dy abuzime skandaloze, së pari me trojet e ndërtimit dhe së dyti, me lejet e ndërtimit jashtë kritereve ligjore, duke miratuar të tilla (leje ndërtimi) mbi katër kate, siç e parashikon dhe ligji. Shumë troje ndërtimi, ku pothuaj tashmë janë zënë nga pallate banimi apo godina biznesi shumëkatëshe, që me dokumente rezultojnë brenda vijës së verdhë të bashkisë së Tiranës, janë bërë objekt lejesh ndërtimi nga kryekomunarët. Kjo ka ndodhur në zonën e Selitës, në zonën e kopshtit botanik, në zonën e Saukut, rreth liqenit artificial, tek zona e Dajtit, në Rrapin e Treshit, e veçanërisht në periferitë lindore e verilindore të qytetit të Tiranës në afërsi të ish-zonave e objekteve ushtarake. Së dyti, në këto zona, komunat kanë dhënë leje ndërtimi për objekte shumëkatëshe, kur ligji e ndalon rreptësisht ndërtimin mbi katër kate. Janë me dhjetëra apo qindra palate në këto zona deri në 10 apo më shumë kate:- shtojnë burimet e mësipërme. Por skandali i kryekomunarëve bejlerë, mësohet se ka rënë në sy dhe të funksionarëve vendorë të bashkisë, ku segmente apo persona, dyshohet se kanë afruar kompromisin e heshtjes, pra të mos denoncimit. “Është një kompromis zinxhir, me shtrirje komunë-administratë bashkie-biznesmen. Për çdo apartament në këto pallate ndërtimi me këto kondicione(ndërtuar në truall të bashkisë dhe shumëkatësh (më shumë se 4 kate që e lejon ligji) tarifa në këmbim të heshtjes është 10 milion lekë”,- shtojnë burimet e mësipërme.

HETIMI I SKANDALIT

Tashmë, skandali me trojet dhe lejet e ndërtimit në periferi të kryeqytetit, që vazhdon për më shumë se dy dekada, po del në dritë. Ndonëse maja e ajsbergut deri tani. Dhe kjo, jo për meritë të qeverive(të së djathtës dje e të së majtës sot), por nga partnerët tanë ndërkombëtar. Në kërkesat e tyre për luftën ndaj korrupsionit si një nga kushtet e afrimit sa më të shpejtë me Bashkimin Europian, kanë sinjalizuar edhe për skandalin e kryekomunarëve milioner të periferive të kryeqytetit të Tiranës. “Kanë qenë pikërisht agjencitë e huaja të Inteligjencës së aleatëve europianë e amerikanë që kanë sinjalizuar homologët shqiptar se kryekomunarët, që kanë nga tre, katër apo më shumë mandate në ato funksione, kanë vënë shuma të mëdha parash me trojet dhe lejet e ndërtimit. Edhe sinjalizimi se një prej kryekomunarëve në këtë zonë, ka siguruar një fitim 10 milionë lekë”- shtojnë burimet e mësipërme. Ditë e fundit, në Mbledhjen e  Komisionit të Sigurisë, zyrtarisht u konfirmua se 7 funksionarë të lartë po hetohen për pastrim parash, por nuk dihet nëse mes tyre ka dhe nga kryekomunarët e mësipërm që thirren si bejlerë të tranzicionit. Burime jo zyrtare shtojnë se ditët e fundit, lidhur me skandalin e kryekomunarëve bejlerë, janë angazhuar dhe agjencitë përkatëse të inteligjencës sonë, përfshi dhe antikrimin ekonomik. Gazeta “Telegraf” ka disa informacione (ende jo zyrtare, por të sigurta), që nuk publikohen. Ndërsa ngritja e shqetësimit, si detyrim për informimin e publikut, është bërë mbi bazën e informacionit të grumbulluar (përfshi institucionet shtetërore) dhe të shqetësimit të qytetarëve, gjë e cila do të bëhet dhe në të ardhmen.