Thaçi në Tiranë, mbledhja e dytë e qeverive në muajin mars

416
Sigal

TIRANE – Një vit nga mbledhja e përbashkët në Prizren, qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë do të takohen sërish në mesin e muajit Mars për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ishte ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi që bëri publik këtë lajm, në vizitën e parë zyrtare në Tiranë, pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

Takimin e parë Thaçi e pati me homologun shqiptar Ditmir Bushati, i sapo kthyer nga marshimi historik në Paris. Përsa i përket pranisë së 4 krerëve fetarë të vendit në delegacionin shqiptar, ministri Bushati theksoi se prezenca e zyrtarëve të lartë të fesë nuk u bë për show dhe se Shqipëria nuk po tenton të eksportojë ndonjë vlerë jashtë vendit, por më shumë për të dhënë një mesazh paqeje dhe solidariteti, që sipas Bushatit u mirëprit edhe nga Presidenti Hollande.

Në lidhje me fenomenin e rekrutimit të xhihadistëve në tokën shqiptare e kosovare, të dy ministrat vunë theksin tek bashkëpunimi mes vendeve në disa fusha, qoftë edhe në atë të shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, në parandalimin e fenomenit.

I pyetur nga gazetarët për ardhjen e Kryeministrit Serb Vuçiç në Kosovë, ministri jashtëm Thaçi u shpreh se Vuçiç, përveç aspektit politik ka në axhendë dhe inaugurimin e një spitali.

Bushati: Bëmë bilancin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri nga mbledhja e Prizrenit 
Ministri Bushati tha se takimi me homologun kosovar shërbeu për të vënë në peshore arritjet dhe elementët e rinj që duhet të adresohen që nga mbledhja e Prizrenit më 11 Janar të një viti më parë.

Uroj për një punë të mbarë e të frytshme jo vetëm zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, por edhe kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa, i shpreh mbështetjen e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim edhe më të thelluar në këtë vit që po hyjmë. Patëm mundësi për të bërë një bilanc të shpejtë arritjeve dhe elementëve që duhet të adresohen më mirë që nga mbledhja e Prizrenit më 11 janar 2014, dhe të përgatisim edhe një plan të shkurtër aktivitetesh që do t’i paraqesim mbledhjes së radhës që do të jetë takimi i dytë mes qeverive tona. Gjithashtu patëm mundësi të diskutojmë në lidhje me zhvillimet në rajon, viti që mbyllëm ishte një vit i suksesshëm me një pozicionim të qartë të Shqipërisë në rajon. Diskutuam hapat që duhet të ndërmarrin dy vendet nga procesi i Berlinit në Konferencën e Vjenës, aq më tepër që edhe Shqipëria ka drejtimin e disa nismave rajonale që do të përdoren në funksion të integrimit tonë të përbashkët”, u shpreh ministri Bushati.


Thacit i jepet cmimi Doctor Honoris Causa 
Gjatë vizitës në Tiranë ministrit të Jashtë Thaci pritet t’i jepet çmimi Doctor Honoris Causa nga Universiteti publik i Tiranës.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Thaçi përmes rrjetit social Facebook. ”Falënderoj Universitetin publik të Tiranës për nderimin e madh që ma kanë bërë duke më ndarë çmimin Doctor Honoris Causa që do ta marr në Tiranë këtë të hënë gjatë vizitës sime bilaterale Shqipërisë. Këtë doktoraturë honorifike me motivacion lirinë unë ia dedikoj bashkëluftëtarëve të mi të rënë në luftë “, shkruan Thaçi në Facebook.
 
Thaçi do ta merr titullin akademik “Doctor Honoris Causa” “Për kontribut te shquar në lirinë e popullit te Kosovës” si dhe për “reformat integruese drejt familjes euroatlantike. Ky është çmimi i tretë “Doctor Honoris Causa” që merr Thaçi, më herët ka marrë edhe nga një universitet të diplomacisë në Gjenevë ku kanë fituar edhe shumë nobelistë botërorë, ndërsa vjet është nderuar edhe nga një universitet korean.
 
Thaçi pritet të ketë takime me kreun e shtetit Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama.

Në orën 11:10 do të jetë ceremonia e dhënies së titulli Honouris Causa
Në orën 12:05 Kryeministri Thaci do të zhvillojë takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta
Në orës 12:45 do të takohet me kryeministrin Edi Rama