Thaçi-Meta: Mosintegrimi në BE e NATO komplikon liritë e shqiptarëve

438
Sigal

TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi. Gjatë takimit, Ilir Meta dhe Menduh Thaçi shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve në Maqedoni, në Shqipëri dhe në rajon.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi angazhimin e Thaçit dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese dhe drejt zgjidhjes së çështjes së emrit.

Meta u shpreh se është e nevojshme që të ecet më shpejt jo vetëm drejt realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por njëkohësisht edhe të përmirësimit të situatës ekonomike e sociale të shqiptarëve.

“Natyrisht, që në radhë të parë do të përfitoj nga rasti për t’i uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës festën e pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës, pasi sot është një ditë e shënuar. Dhe së dyti dua të shpreh vlerësimin tim për angazhimet e Thaçi dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese, drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, ashtu sikurse është e rëndësishme të ecet më shpejt drejt, jo vetëm realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por njëkohësisht edhe të përmirësimit të situatës ekonomike e sociale të shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë, por edhe të gjithë qytetarëve në Maqedoninë perëndimore. Besoj se këto takime janë gjithmonë të dobishme për të ndjekur zhvillimet hap pas hapi, por njëkohësisht edhe tregojnë se marrëdhëniet midis Kuvendit të Shqipërisë dhe faktorëve të rëndësishëm parlamentar në rajon, e konkretisht në Maqedoni, janë gjithnjë e më dinamike.” tha Meta në fjalën e tij

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, z. Menduh Thaçi, dhanë një prononcim për mediat.

Ndërkohë nga ana e tij Kreu i PDSH, Menduh Thaçi vlerësoi takimet dhe vëmendjen e kushtuar nga insitucionet e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë.

Sipas Thaçit, në mesin e çështjeve të diskutuara me Metën është edhe shqetësimi i komunitetit shqiptar lidhur me bllokimin e integrimit në BE dhe në NATO të Maqedonisë. Sipas tij kjo komplikon edhe më tepër çështjen e të drejtave të shqiptarëve.

“Kjo nuk është vetëm një kënaqësi, por dhe obligim. Unë mendoj se është mirë që po krijohet një praktikë normale të komunikimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë me drejtuesit e institucioneve në Shqipëri. Me Ilir Metën, Kryetarin e Kuvendit, biseduam për shumë çështje. Për ne shqiptarët e Maqedonisë është tejet e rëndësishme që në rend të parë të jemi të mirinformuar për situatat rajonale dhe ndërkombëtare, që të mos bëhet ndonjë gabim nga mungesa e informacionit. E informova Metën për shqetësimin tonë kryesor që kemi si shqiptar, pra bllokimin e procesit integrues drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo na shqetëson shumë. Në anën tjetër na komplikon edhe çështjen e të drejtave tona, qofshin politike apo ekonomike. Bashkërisht ramë dakord që të vazhdojmë këto komunikime dhe bashkërisht të mirinformohemi dhe të vazhdojmë dhe të veprojmë drejt rrugës sonë të përbashkët drejt perëndimit, integrimit dhe kështu me radhë.” u shpreh Thaçi