Tetori, muaj i figurave të historisë shqiptare

674
Tetori, muaji i lindjes së politikanëve dhe figurave të shquar të vendit
Mund të konsiderohet muaji i politikanëve që kanë sjellë faqe të ndryshme në Shqipëri. Në këtë muaji ka lindur edhe shkrimtari i madh Dritëro Agolli
Në vendin tonë tetori duket se është muaji kur kanë ardhur në jetë personalitete të ndryshme. Në këtë muaj si për koincidencë, kanë lindur kryetar shteti, ministra dhe shkrimtarë të njohur të letrave shqipe. Ismail Qemal Vlora, lindur më 16 tetor 1846, ka qenë “fatsjellësi” i nëntë personaliteteve të tjera shqiptare të ardhur në jetë në këtë muaj. Në të njëjtën datë, por 62 vjet më pas, ka ardhur në jetë Enver Hoxha. Ditën e djeshme Sali Berisha, i cili i ka provuar si postin e presidentit të vendit dhe atë të kryeministrit, lajmëroi se mbushi 73 vite. 
Sali Berisha
Datëlindja: 15 tetor 1944
Vendlindja: Vuçidol, Tropojë
Arsimi: Ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Është specializuar në Francë si kardiolog. Mori titullin Doktor i Shkencave më 1988-ën dhe Profesor më 1989-ën
Aktiviteti:
1967- Caktohet pedagog pranë atij fakulteti dhe njëkohësisht mjek në klinikën kardiologjike të spitalit të Tiranës
1991- Zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor
8 prill 1992- Zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë. Më 3 mars 1997 u rizgjodh President i Republikës
23 korrik 1997- Jep dorëheqjen nga posti i presidentit, ndërsa në tetor 1997, u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Është zgjedhur deputet i Parlamentit shqiptar në vitet 1991, 1992, 1997 dhe 2001
2005- Shpallet kryeministër i Shqipërisë
Ahmet Zogu 
Datëlindja: 8 tetor 1895
Vendlindja: Burgajet, Mat
Arsimi: Ndoqi në Stamboll Liceun e Shtetit dhe pastaj Akademinë Ushtarake të Oficerëve
Aktiviteti:
1912- Mori pjesë në luftën ballkanike dhe më pas në shpalljen e pavarësisë në Vlorë
1916- Së bashku me forcat e tij, u rreshtua përkrah forcave pushtuese austriake, për të kundërshtuar forcat pushtuese serbe 1920- Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u caktua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e dalë nga ky kongres
1922- Emërohet kryeministër
31 janar 1925- Shpallet President i Republikës së Shqipërisë
1 shtator 1928- Vetëshpallet mbret i Shqipërisë
1939- Në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u largua me gjithë familjen në Greqi, e që andej në mërgim
Viti i vdekjes: Vdiq në Sureshes të Francës, më 6 prill 1961
Dritëro Agolli
Datëlindja: 13 tetor 1931
Vendlindja: Menkulas, Korçë
Arsimi: Të mesmen e kreu në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta në Institutin e Letërsisë “Gorki” në Moskë
Aktiviteti: Pas kthimit në atdhe, punoi për 15 vjet në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”. Krijimtarinë letrare e nisi që kur ishte nxënës në gjimnaz me botimin e vjershave të para dhe më pas e zhvilloi pa ndërprerje.
1973- Emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Përveçse kontributit në letërsi, Agolli ka dhënë kontribut edhe në politikë. Duke qenë anëtar në Kuvendin Popullor që në kohën e Partisë së Punës, Dritëro Agolli ka dhënë kontribut në reformimin e Parisë Socialiste, pas viteve ‘90. Ai ka qenë deputet i kësaj partie, që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Njëkohësisht ai ka qenë edhe anëtar i kryesisë së saj.
Vepra: Në prozë bëri emër, sidomos romani “Komisari Memo” (1969, “Njeriu me top” (1975), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) etj., “Hapat e mi në asfalt”, “Arka e Djallit”, “Kalorësi lakuriq”, “Pelegrini i vonuar” etj.
Ramiz Alia
Datëlindja: 18 tetor 1925
Vendlindja: Shkodër
Arsimi: Ndoqi mësimet në gjimnazin e Tiranës. Pas luftës ndjek studimet në Rusi për Filozofi Politike
Aktiviteti: Që në moshën 20-vjeçare përqafoi idetë komuniste dhe mori pjesë aktive në lëvizjen ANÇ. Në vitin 1941 bëhet anëtar i rinisë komuniste dhe në ‘43-shin, anëtar i PKSH-së. Në vitin 1944 drejton Brigadën VII Sulmuese
Gusht 1944- Zgjidhet anëtar i sekretariatit të rinisë, ndërsa në Kongresin e Unifikimit të Rinisë (1944), sekretar i parë i KQ të BRPSH.
1948- Anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë
1955- Emërohet ministër i Arsimit dhe Kulturës
1961- Zgjidhet anëtar i Byrosë Politike në Kongresin VI. Për disa kohë punon si instruktor në Institutin e Marksizëm-Leninizmit
1982- Zgjidhet kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor
1985-1992 President i Shqipërisë
3 prill 1992- Jep dorëheqjen si president i Shqipërisë. Më pas Alia u arrestua dhe u burgos dy herë në mars 1997 del nga burgu, ndërsa çështja ndaj tij pushohet.
Viti i vdekjes: 7 tetor 2011.
Ismail Qemali
Datëlindja: 16 tetor 1846 (sipas studiuesit turk Nexhip P. Alpan)
Vendlindja: Kaninë, Vlorë
Arsimi: Ndoqi gjimnazin grek “Zosimea” në Janinë
Aktiviteti:
1860- Përkthyes në Ministrinë e Jashtme në Stamboll. Në këto vite bashkëpunon me osmanllinjtë e rinj dhe merr pjesë në mbledhje patriotike
1876- Emërohet zëvendësministër i jashtëm i Turqisë. Jep dorëheqjen pas shkarkimit të Mit’hat Pashës
1877-1884 Internohet në Anadoll. Në vitin 1884 u emërua vali në Bollu e më pas në Siri
1908-1912 Zgjidhet deputet i Parlamentit turk, ku dhe përfaqësonte sanxhakun e Beratit. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Organizon kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912
28 Nëntor 1912- Kryesoi në Vlorë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. U caktua kryetar i qeverisë së përkohshme deri më janar të 1914-ës, ku qeveria e tij rrëzohet
Viti i vdekjes: Vdiq në Itali në vitin 1919
Enver Hoxha
Datëlindja: 16 tetor 1908
Vendlindja: Gjirokastër
Arsimi: Ndoqi studimet në Liceun e Gjirokastrës. Në vitin 1930 filloi studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Monpelje të Francës, të cilat i ndërpreu. Pas një viti në Fakultetin e Biologjisë, ai shkon në Paris, ku vazhdon studimet në Fakultetin e Filozofisë
Nëntor 1941- Zgjidhet kryetar i Partisë Komuniste. Ai vihet në krye të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
16 shtator 1942- Merr pjesë në Konferencën e Pezës
1943- Në konferencën e parë të Partisë Komuniste zgjidhet si sekretar i përgjithshëm i Partisë, post të cilin e mbajti deri në ditën e vdekjes
Viti i vdekjes: Vdiq në Tiranë nga iskemia cerebrale, më 11 prill 1985
Janë kush janë disa nga politikanët e lindur në tetor
Politikanët e ardhur në jetë në këtë muaj, i kanë sjell fate të ndryshme vendit tonë. për secilin prej tyre është shkruar një kapitull më vetë. Ismail Qemali Vlora, është politikani më i hershëm lindur në tetor. Studiuesi turk, Nexhip P. Alpan, e ka datuar lindjen e debatuar gjatë, më datë 16 tetor të vitit 1846. Pas tij politikani tjetër i lindur në tetor është Sulejman Delvina. Personaliteti i lindur pas tij dhe më në zë në historinë e Shqipërisë është Ahmet Zogu. Mbreti i parë i shqiptarëve, ka lindur më 8 tetor të vitit 1895 në Burgajet të Matit. Pas tij, Enver Hoxha, njeriu shqiptar më i njohur nga të huajt sipas studimeve, shfaqet në arenën politike. Komandanti i Ushtrisë Nacionalçlirimtare e kryetar i PK-së, Hoxha më pas u bë sekretari i përgjithshëm i KQ të PKSH-së dhe mbajti këtë post deri sa vdiq. Më tej, këtë detyrë e çoi përpara Ramiz Alia, i lindur po në muajin tetor, deri në vitin 1992. Një tjetër tetorlindës, vjen në vend të tij, Sali Berisha. Presidenti i demokracisë, qëndron në krye të shtetit deri në vitin 1997, ku jep dorëheqjen pas trazirave nga përmbysja e firmave piramidale. Kjo valë sjell në krye të qeverisë, Bashkim Finon, të lindur po në tetor. Por pjesa më e madhe e këtyre politikanëve të lindur në “muajin me fat”, nuk e kanë gëzuar atë për shumë kohë. Rënia e tyre nga maja e politikës, ka qenë po aq e zhurmshme sa ngjitja e tyre në të.
Një nga dy ditëlindjet e Sali Berishës
Ditëlindja zyrtare e Sali Berishës, e regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, është 1 korrik 1944. Kjo ditëlindje është mbartur në gjithë dokumentacionin zyrtar të tij dhe shpeshherë ka qenë problem dhe për të dhënat në shumë kancelari perëndimore.
Sepse vetë Sali Berisha ka pretenduar deri para shpalljes së formularëve të dekriminalizimit se e ka ditëlindjen më 15 tetor. Sidoqoftë regjistri i gjendjes civile të vitit 2009, vazhdon ta ketë atë të regjistruar me ditëlindjen 1 korrik 1944. Disa të afërm të tij janë shprehur se ditëlindja 15 tetor ka të bëjë me ditën kur baba i tij ka zbritur në qytet dhe e ka regjistruar atë. Deri në këtë ditë, pra nga korriku i 1944-s, Berisha nuk ka qenë i regjistruar.