Testi i politikës për Kryeprokurorin

539
Sigal

Maxhoranca përgatitet për zëvendësimin e Kryeprokurores së Përgjithshme brenda nëntorit

Tashmë duket se nuk ka më asnjë dyshim. Zëvendësimi i Kryeprokurores nuk është më punë javësh, por punë ditësh. Ekspertët konstitucionalistë dhe politikanë të paanshëm thonë se në këtë rast po shkelet Kushtetuta e vendit. Në të vërtetë, Prokuroria e Përgjithshme është i vetmi institucion që ka mbetur pa u marrë nga maxhoranca aktuale. Nisur nga precedentët, ishte e pakuptimtë të ndodhte e kundërta. Mirëpo, pikërisht këtu lind edhe dyshimi dhe mosbesimi. Pse duhet të bëhet zëvendësimi i Kryeprokurorit në këto momente? Tri javë më parë, Forumi Civil 2010 që drejtohet nga ish-Presidenti Alfred Moisiu paralajmëroi këtë zëvendësim, duke deklaruar publikisht se kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të Kushtetutës së vendit. Këtë e ripërsëriti mbrëmë ish-Presidenti Moisiu. Ai tha se, ky është një problem kardinal për klasën politike aktuale të vendit, ndaj dhe përsërit thirrjen e Forumit Civil 2010 për Presidentin e Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë që t’u tregojnë faktorit vendas dhe atij ndërkombëtar, se qëllimi i tyre është të arrijnë një nivel demokracie funksionale dhe jo të bëjnë hapa mbrapa në këtë drejtim, duke injoruar edhe Ligjin Themeltar në një kohë kur forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri është detyrë imperative

Gati shkarkimi i Ina Ramës

Për më pak se një muaj, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të nxjerrë dy dekrete të rëndësishme. I pari ka të bëjë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, për të cilën po kryen konsultime me partitë politike. Dekreti i dytë do të jetë pak më vonë, por shumë më delikat dhe, në ndryshim nga i pari, pritet të ngjallë debate në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për dekretin që emëron prokurorin e përgjithshëm. Burime zyrtare bëjnë të ditur se presidenti Nishani ka krijuar ndërkohë bindjen se mandati i kryeprokurores Ina Rama nuk mund të zgjatet përtej 22 nëntorit, data kur 5 vjet më parë Ina Rama u votua nga Parlamenti për të drejtuar Prokurorinë e Republikës. Debati nëse Ina Ramës i skadon mandati në nëntor 2012 apo në maj të 2013-ës u soll në qendër të vëmendjes, në mënyrë publike, nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Vvolfarth. Pak kohë më parë, pas një takimi me Prokuroren e Përgjithshme, ai mbrojti tezën se: “Kjo nuk është një çështje javësh, por një çështje muajsh dhe se deri në majin e 2013-s, autoritetet duhet të shqetësoheshin për të gjetur një person me integritet që të përballojë siç duhet përgjegjësitë e kryeprokurorit, duke ruajtur pavarësinë e institucionit”. Debatet për mandatin e prokurorit të përgjithshëm lidhen me faktin se Ina Rama u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara ndryshimeve kushtetuese, ku me konsensus, demokratet dhe socialistët, përcaktuan një mandat 5-vjeçar për kreun e organit qendror të akuzës. Deri në kohën e emërimit të Ina Ramës, kryeprokurori kishte mandat të pakufizuar dhe mund të largohej ose me dorëheqje, ose me firmën e presidentit, pas një komisioni hetimor parlamentar. Deri tani, as Partia Demokratike, as Partia Socialiste nuk kanë deklaruar ndonjë pozicion zyrtar mbi debatin se kur i mbaron mandati prokurores së përgjithshme, Ina Rama. I pyetur për këtë çështje, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar vetëm se: “Ka besim tek Presidenti Nishani që me emërimin e prokurorit të ri të përgjithshëm do të respektojë Kushtetutën”. Dhe, mesa duket, presidenti Bujar Nishani nuk do ta zhgënjejë besimin e Kryeministrit, duke konsideruar të skaduar mandatin e Ina Ramës më 22 nëntor dhe duke dekretuar emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, identikiti, i të cilit është ende i panjohur!

ISH-PRESIDENTI ALFRED MOISIU: “PO PREKET KUSHTETUTA!”

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, tha dje për “Telegraf”, se në rastin e Zëvendësimit të Kryeprokurores brenda muajit nëntor, po shkelet Kushtetuta e vendit. Qysh më 9 tetor, Forumi Civil 2010 ka bërë një deklaratë ku ka theksuar se, maxhoranca qeverisëse duket që po përgatitet të zëvendësojë në nëntor të këtij viti Prokurorin e Përgjithshëm me një tjetër prokuror. Prokurori i Përgjithshëm është zgjedhur në datën 22.11.2007. Rregullimi kushtetues i asaj kohe nuk parashikonte afat për mandatin e këtij funksioni, ndërsa ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, me të cilat u kufizua në pesë vjet ushtrimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk përmbajnë dispozitë kalimtare për rregullimin e kohëzgjatjes së mandatit ekzistues. Në kushtet e mungesës së një dispozite kalimtare, Forumi Civil 2010 mendon se fillimi i procedurës për zëvendësimin para afatit të Prokurorit të Përgjithshëm sjell disa probleme kushtetuese. Pikësëpari, kufizimi i një mandati kushtetues të pakufizuar është me pasoja antikushtetuese në drejtim të cenimit që i bëhet parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Prokurori i Përgjithshëm është emëruar në kohën kur Kushtetuta nuk parashikonte një mandat të kufizuar në kohë dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që përcaktojnë një kohëzgjatje pesëvjeçare të mandatit kanë hyrë në fuqi pas emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm në këtë funksion. Pra, rregullimi kushtetues i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë i ndryshëm në këto dy momente kohore – i pakufizuar në momentin e emërimit, por i kufizuar në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Përderisa ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi në datën 22.05.2008, rrjedhimisht nga ky moment dhe kurrsesi nga data e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm llogaritet mandati 5 vjeçar i këtij funksioni kushtetues. Na duhet të theksojmë që, nëse ndër faktorët politikë ka tendenca, a synime për të dëmtuar pavarësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, që është esenciale për një shtet të së drejtës, kjo është shqetësuese. E të njëjtës përmasë do të ishte nëse zëvendësimi kërkohet të bëhet për shkak të frikës e pasigurisë së klasës politike ndaj pavarësisë së institucionit të ndjekjes penale, aq më tepër kur së fundmi parlamenti ka votuar kufizimin e imunitetit të deputetëve. Një zëvendësim antikushtetues i Prokurorit së Përgjithshëm, për të zgjidhur probleme politike afatshkurtra rrezikon, gjithashtu, të kthehet në një precedent negativ për kufizimin në të ardhmen të mandatit të çdo organi tjetër kushtetues.

TOPI: “MANDATI I INA RAMËS PËRFUNDON NË MAJ”

Kreu i FRD-së Bamir Topi ka folur nga qyteti i Pogradecit për mandatit e kryeprokurores Ina Rama, një çështje që ka vënë së fundmi në lëvizje edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Topi ka sqaruar se, “Mandati i kryeprokurorit hyn në fuqi me ndryshimet kushtetuese”, ndërsa shtoi se “përfundon në muajin maj”. Topi i cilësoi antikushtetuese të gjitha veprimet e tjera që ndërmerren për heqjen e mandatit të Ina Ramës.

YLLI MANJANI: TË SHKARKOHET INA RAMA

Mandati i kryeprokurores Ina Rama përfundon në muajin maj të vitit të ardhshëm, por ajo duhet shkarkuar më parë nga kjo detyrë për shkak të politizimit të organit të akuzës”, shprehet sekretari për çështjet ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani. Ai thotë se të paktën që prej vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka funksionuar siç duhet, madje ka qenë e lidhur politikisht. Sa i përket diskutimit për propozime të emrave konkretë për drejtimin e organit të akuzës, Manjani thotë se LSI do të bëhet pjesë e diskutimeve, por jo domosdoshmërisht për kreun e akuzës.