Terrorizmi gjunjëzon sigurinë kombëtare/ Shpartallohet ‘Aeroporti i Rinasit’, objekti më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare

558
Sigal

Ndërkohë që diplomati i lartë amerikan i kërkonte Tiranës zyrtare siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit si vend anëtar i NATO-s, grabitësit shqyejnë portat e sigurisë dhe marrin nga avioni mbi 10 milionë euro. Marrja peng r pasagjerëve, largimi në drejtim të paditur, dorëheqja e ministrave të linjës dhe abuzimi me tenderët e Policisë private

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Shpartallohet për të dytën herë objekti më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare

Kur bandat dhe kriminelët sulmojnë në mesin e ditës aeroportin kombëtar, objektin e vetëm dhe më të rëndësishëm të një vendi anëtar të NATO-s, kjo tregon se rendi dhe siguria kombëtare kanë rënë. Ngjarja pa dyshim që do të skedohet si një nga më të rëndat në historitë e aviacionit jo vetëm ballkanik dhe evropian por edhe atij botëror. Është e pa imagjinueshme që vetëm 15 km nga kryeqyteti, Objekti më i rëndësishëm i një vendi të NATO-s bie nën duart e bandave terroriste, të cilët fare mirë mund ta kishin rrëmbyer avionin dhe ta përdornin si mjet vdekjeprurës për shumë objekte apo kryeqytete të Evropës. Kjo ngjarje godet edhe sigurinë e qytetarëve, por edhe i bën shumë kompani prestigjioze sikurse është ajo austriake të rishikojnë marrëveshjen e udhëtimit drejt Shqipërisë. Kjo ngjarje padyshim e kategorizon aeroportin me emrin e shenjtë “Nënë Tereza “ si më të pasigurtin në linjat e tyre. Ajo që e ndërlikon situatën ka të bëjë me faktin që një ngjarje e tillë ndodhi pikërisht në kohën kur në Tiranë vazhdonte vizitën zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Matthew Palmer. Ka mjafton për zyrtarin amerikan dhe mediat botërore për të treguar se krimi, korrupsioni, kanë shpartalluar shtetin e së drejtës dhe i kanë kthyer strukturat policore, ushtarake dhe civile në militant partie. Teknikisht i takon organeve të policisë së Shtetit, prokurorisë dhe organeve të specializuara të zbulojnë dhe ndëshkojnë cilindo që në mënyrë të shkëputur apo në bashkëpunim po shkatërrojnë imazhin dhe sigurinë e vendit. Ajo që meriton vëmendje ka të bëjë me faktin se si ka mundësi që në 3 vite e 4 muaj Rinasi dhe automjetet e bankave sulmohen katër herë. Sulmi i parë u krye pikërisht në 3 dhjetor 2015 ku u grabitën, 3.8 milionë euro, sulmi i dytë brenda në aeroportin e Rinasit ndodhi, më 30 qershor 2016, ku u morën 8 milionë euro, sulmi i tretë, më 9 shkurt 2017, ku u morën 3,2 milionë euro, dhe sulmi i katërt më 9 prill 2019 pra ditën e djeshme ku u morën 10 milionë euro, por në këtë rast terroristët morën nën kontroll edhe avionin, ekuipazhin dhe pasagjerët. Ajo që nuk mund të tolerohet ka të bëjë më faktin se në çdo institucion të rëndësishëm sikurse janë aeroportet, portet, burgjet, institucionet qendrore, të qeverisë, shërbimeve diplomatike, reparteve ushtarake, bankave etj., ka një plan bashkëveprimi dhe hartë të sigurisë. Veç saj ka edhe një marrëveshje për ndërhyrje të menjëhershme në kohë dhe hapësirë.

Përse në katër raste ky plan bashkëveprimi nuk ka funksionuar? Sigurisht nuk duam të zbulojmë atë që përbën sekret, por organet hetimore nuk duhet të tolerojnë dhe të vënë para përgjegjësisë cilindo që me veprimet apo mosveprimet ka lejuar ardhjen e këtyre pasojave. Është kjo arsyeja që tenderët e policisë private jepen pa konkurrence, vëllezërve dhe kandidatëve për deputetë të “Rilindjes” dhe për këtë mjafton fakti që vetëm për 2018 nga 1158 ankesa që ka pasur në APP për tenderët më shumë se gjysma e tyre 614 janë vetëm për tenderët e policisë private. Ministrja e Transporteve (linjës) znj. Balluku, ministri i Brendshëm duhet të japin dorëheqje. Drejtuesit e aeroportit dhe ata të plan-bashkëpunimit policor, në aeroport por edhe në rrethina kanë përgjegjësi dhe duhet të shkrihen, pasi janë me dhjetëra raste që makina të vjedhura, kriminelë, vrasës me pagesë e kanë kthyer rrugën e Rinasit, Laçit, Shkodrës dhe Kukësit si pikë të sigurt për kalim dhe fshehje. Nëse Kryeministri Rama edhe për këtë rast do të heshtë duke mos shkarkuar ministra dhe drejtuesit lokalë atëherë përgjegjësia është e gjitha e kreut të qeverisë. Kjo do të jetë një arsye më shumë që qytetarët të binden se Rama dhe Rilindja bashkëjetojnë me krimin dhe trafikantët.