Tërmeti dhe Koronavirusi / A ndodhet Shqipëria në gjendje të jashtëzakonshme?!

350
Sigal

Pandemia botërore e Covid 19 është shoqëruar me vendimet e disa vendeve për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Madje edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë një vendim të tillë. Por, ndërkohë në Shqipëri nuk ka një artikulim të prerë për këtë. Kjo për disa arsye.

E para: Kryeministri Rama ka shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme për tre qarqe të vendit në datën 27 nëntor, një ditë pas tërmetit tragjik në Shqipëri, ku pati shumë viktima dhe dëme të shumta materiale.

Sipas nenit 173 të Kushtetutës e drejta e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme për një periudhë 30 ditore është “ekskluzivitet” i Kryeministrit. Ndërsa në rastin, kur lind nevoja se ky afat duhet të zgjatet, atëherë në po këtë nen të Kushtetutës në pikën tre futet “në lojë” Kuvendi.

E dyta: Në 13 dhjetor, kryeministri Rama i ka dërguar një kërkesë Kuvendit (dokumenti shoqëron shkrimin) përmes së cilës i kërkon zgjatjen e afatit të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Nëse i referohesh sërish nenit 173 të Kushtetutës shprehimisht thuhet: Zgjatja e afatit të Gjendjes së Jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë”.

E treta: Kuvendi e ka marrë kërkesën dhe në seancën e fundit plenare të vitit 2019, saktësisht në seancën e 18 janarit, ka votuar zgjatjen e afatit të Gjendjes së Jashtëzakonshme deri në 31 mars të vitit 2020, bazuar në kërkesën e kryeministrit. Tani, dy janë çështjet ligjore që të bëjnë të mendosh, nëse Shqipëria është në Gjendje të Jashtëzakonshme me tërmetin dhe njëherësh edhe me Covid 19.

Sipas përllogaritjeve të ligjit, sot në 18 mars duhet të përfundonte Gjendja e Jashtëzakonshme, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; pra 18 dhjetor deri në 18 mars bëhen plot 3 muaj (90 ditë), aq sa Kuvendit i jep të drejtë Kushtetuta për të votuar.

Por, vendimi i deputetëve i botuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare bën të ditur se Gjendja e Jashtëzakonshme është deri në fund të muajit mars, pra 31 mars (sikurse e shihni edhe në dokumentin shoqërues).

Duke lënë mënjanë teknikalitet, apo interpretimet ligjore, të gjithë duan të dinë nëse Shqipëria është apo jo në Gjendje të Jashtëzakonshme?! Masat përmes aktit normativ të Qeverisë e justifikojnë këtë, kur është bërë fakt i kryer dalja në rrugë edhe e forcave të Ushtrisë, apo dhe vendimet ekstreme të lëvizjes së njerëzve në rrugë.