Tension në PS-në e Vlorës

630
Sigal

Emërimi nga lart i Kryetarit të PS-së së rrethit Xhevair Celoaliaj, është kundërshtuar nga strukturat

As më pak e as më shumë, por situatë e tensionuar quhet aktualisht ajo që po ndodh në Partinë Socialiste të qytetit bregdetar. Gati firmat për të kundërshtuar kandidaturën e Ramës. Njëri nga deputetët e Vlorës, braktis mbledhjen.

Situata

E pazakontë konsiderohet situata në PS-në e Vlorës. Debate të ashpra, kundërshti me firma, deri edhe në një kundërshti të hapur ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, ka shkaktuar emërimi, apo komandimi i kryetarit të PS së rrethit të Qarkut të Vlorës. Në kundërshtim të hapur me statutin, duke injoruar fushatën e zgjedhjeve që u bë nëpër organizata, për të votuar e zgjedhur kryetarin e PS-së së rrethit, vjen urdhri nga Kryesia e PSSH-së. Të komandohet Xhevair Celoaliaj. Një listë emërore me të zgjedhurit në strukturat e PS-së, drejtuar Edi Ramës është firmosur për të anuluar urdhrin dhe vendimin verbal që është përcjellë nga kryesia në qendër.

Debati në Kryesinë e PSSH

Janë vetë të zgjedhurit në kryesinë e PS-së së Vlorës, që rrëfejnë për gazetën, atë çka ka ndodhur në mbledhjen e Kryesisë së PSSH, pak ditë më parë. Ndërsa janë diskutuar kandidaturat që janë dërguar nga Vlora për të zgjedhur kryetarin e Qarkut të Vlorës, krejt papritur është përmbysur gjithçka, duke shkelur me të dy këmbët edhe statutin e Partisë. Nuk dihet se me ndërmjetësinë e kujt, Edi Rama ka vënë gishtin tek i fundit në listë, që i binte i dhjeti, një i propozuar ndoshta thjeshtë për të plotësuar listën dhe ka vendosur. Të komandohet deri në zgjedhjet e 2013 si kryetari i PS-së për Qarkun e Vlorës, Xhevair Celoaliaj.

Sherri me deputetët e Vlorës

Gjithmonë sipas bisedës më të zgjedhur të PS-së në Vlorë, por të mbështetur edhe në materialin që është përgatitur për t’ja përcjellë Ramës, mësohet se ky propozim i kreut të PS-së, është pritur me reagime të ashpra nga deputetët e Vlorës Arben Isaraj dhe Arben Malaj, madje një burim i sigurt brenda selisë rozë shprehet se, deputeti Isaraj, pasi ka kundërshtuar me tone të ashpra këtë vendim, ka braktisur edhe mbledhjen e Kryesisë. Përpara situatës së krijuar nuk ka mundur ta kundërshtojë asnjë anëtar kryesie, madje ka qenë në unison edhe e deleguara për Vlorën, z. Valentina Leskaj, megjithëse e njeh gjendjen dhe kishte dëgjuar zëra për këtë kundërshti.

Vendimi mbetet verbal, kundërshtohet nga selia e PS-së së Vlorës

Sapo ky vendim i është komunikuar strukturave të PS-së së Vlorës, ka qenë i menjëhershëm reagimi nga anëtarët e kryesisë dhe të Asamblesë. Në materialin që kanë firmosur dhe që do t’i përcillet Edi Ramës, ndër të tjera thuhet:  Nuk jemi dakord me kandidaturën e  z. Xhevair Celoaliaj, ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e strukturave të PS-së së Vlorës dhe nuk dihet nëse ka teserë të partisë Socialiste. Nëse bëhet fjalë për të komanduar dikë, sipas statutit kjo i takon sekretarit apo një personi tjetër të zgjedhur me votën e socialistëve. Komandimi i çdo personi tjetër, çon në shkeljen e rëndë të statutit të partisë. Partia nuk është ndërmarrje apo qendër pune, ku emërohet drejtori, por është një funksion që patjetër duhet të jetë votuar nga anëtarësia socialiste”.

Përse nuk zgjidhet kryetari, kur fushata ka mbaruar

Paradoksi i këtij komandimi shkon më tej, kur mëson se është zhvilluar fushata për zgjedhjen e kryetarit në shkallë Qarku dhe organizatat, por edhe një mendim i drejtuesve të PS-së, ka qenë për z. Halim Dervishi, ish -nënkryetari i bashkisë së qytetit. Nga ana tjetër kandidati Albert Gjondeda, një figurë e njohur në PS e Vlorës që nga vitit 1991, ka shpalosur platformën e tij jo vetëm nëpër organizata, por edhe në median lokale të qytetit, duke i premtuar anëtarësisë socialiste se PS-së do të fitojë zgjedhjet e 2013-s në Vlorë. Ndërsa pritej të votohej në Asamble për njërin nga kandidaturat, ndër më të njohurit në selinë rozë në Vlorë, gjithçka është përmbysur nga vendimi i kryesisë së PSSH dhe mendimit të prerë të Edi Ramës.

T’i themi ndal përçarjes në PS e Vlorës

Pas largimit të ish -kreut të PS-së për Qarkun e Vlorës, Kujtim Sulçe, i cili dorëzoi teserën dhe kaloi me LSI-në, duke u bërë këshilltari i kësaj force partie, gjë që ndikoi edhe në humbjen e kryetarit të këshillit të qarkut, kjo është çarja e dytë në PS-në e Vlorës. Strukturat janë tronditur tepër nga ky veprim dhe nëse nuk korrigjohet, çarja do të thellohet dhe pasojat do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ky është një konkluzion i shumë të zgjedhurve në strukturat e PS së Vlorës, pas këtij veprimi të kryer  nga Tirana. Ky është zëri i anëtarësisë socialiste në Vlorë. Nuk kemi asgjë me Celoaliaj, është shkelur statuti. Ky reagim me tone të ashpra, deri në një peticion të firmosur nga të zgjedhurit që i drejtohet Edi Ramës, të krijon përshtypjen se gjithçka lidhet me mungesën e dëshirës për kandidaturën e Celoaliaj, por në të vërtetë, nuk është ky shkaku. Shumë nga të zgjedhurit në forume thonë se ky veprim ka të bëjë me shkeljen flagrante të statutit të partisë, që është rregullatori i veprimtarisë, i moralit dhe dinjitetit të një partie. Këtë nuk mund ta pranojnë as strukturat e partisë as anëtarësia e Partisë Socialiste të Vlorës.

______________________________________________________________________________________

KUSH ËSHTË KRYETARI I KOMANDUAR PËR TË DREJTUAR PS-NË E QARKUT TË VLORËS

Sikurse shprehen ata që e njohin dhe që e kundërshtojnë personin për të drejtuar partinë socialistë të Qarkut të Vlorës,  Xhevair Celoaliaj nuk ka asnjë aktivitet në PS, nuk ka qenë i zgjedhur në strukturat e saj, madje disa shprehen se janë në dilemë nëse ka ose jo teser të Partisë Socialiste. Ajo që dihet saktë është se, z. Celoaliaj, me origjinë nga Dukati ka qenë hetues dhe ekspert në policinë e Vlorës para viteve 2000.