Tenderi i ushqimit pa garë 1.5 mln euro, PD kallëzon në SPAK, ministren Olta Xhaçka

81

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për abuzimin me tenderin pa garë me vlerë 1.5 milion euro të ushqimit.

‘• Abuzimi me tenderin pa garë 1.5 milionë euro të ushqimit, Partia Demokratike kallzim penal në SPAK për Olta Xhaçkën
Pas dokumentimit të skandalit me tenderin e blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes, ku një kompani elektronike dhe ndërtimi, u shpall fituese për tregimin e ushqimeve, në kundërshtim me ligjin, Partia Demokratike e Shqipërisë do të paraqesë nesër në mëngjes kallëzim penal në SPAK ndaj Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se:

  1. Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Kompania “Eurovia” është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore.
    2. E njoftuar parapakisht për hapjen e këtij tenderi, në datë 19 Mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore. Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore.

Organi i prokurorisë duhet të veprojë me urgjencë për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të kujtdo që, edhe në kohë pandemie vjedh. Në këtë kohë krize është e domosdoshme mirëmenaxhimi i fondeve publike dhe rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore.

Në tenderin e Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka rezulton e provuar kryerje e tre veprave penale dhe konkretisht: “Shpërdorimi i detyrës”; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë; parashikuar nga nenet 258, 258 dhe 260 të Kodit Penal.’