Tenderat/ E Hëna, dita “me fat” për oligarkët? Ndahen 120 milionë eurot e rindërtimit

434
Sigal

Duke filluar nga kjo e Hënë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës do të shpallin fituesit e tenderave të parë për rindërtimin pas tërmetit të 26 Nëntorit, një fond që përllogaritet në fazën fillestare në rreth 100 milionë euro.

Në dy javët e fundit, dy institucionet kanë shpallur tenderat me procedurë “të kufizuar”, praktikë që minimizon konkurentët dhe heq mundësinë e ankimimeve në rast parregullsish.

Qeveria ka vendosur të ndjekë procedurën “e kufizuar” për këto tendera, me argumentin se rindërtimi duhet të nisa sa më shpejt e të mos mbetet peng i burokracive dhe ankimeve.

Ndërkohë që justifikimi, në një situatë normale, duke i pranueshëm, zgjedhja e “tenderave të kufizuar” të zhvilluar nga kjo qeveri që është karakterizuar për raporte të ngushta me “oligarkët financiarë” krijon dyshime të forta për vërtetësinë dhe ligjshmërinë e tyre.

Pavarësisht se dyshimet duken paragjykuese përsa kohë nuk janë shpallur fituesit e tenderave 100 milionë euro, disa të dhëna paraprake sugjerojnë që fondet për rindërtimin do të shkojnë në pak duar, në ato që kanë menaxhuar pjesën më të madhe të tortës financiare të Buxhetit të Shtetit.

Tenderat me procedurë të kufizuar u lejojnë autoriteteve kontraktore, në këtë rast Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Tiranës, që të identifikojnë kompaninë që kanë potencialet për t’u përfshirë në sipërmarrje të tilla, si edhe të kenë eksperiencë të nevojshme në punë të ngjashme publike më parë.

Pikërisht, ky kushti i dytë, pra përvoja në projekte të ngjashme publike, duket se favorizon një grup të vogël kompanish, ato, të cilat, falë lidhjeve qeveritare, por sidomos me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, janë shpallur fitues në shumë tendera publikë me vlera kolosale.

Tenderat e parë
Në 19 Mars 2020 është mbyllur procesi i konkurimit për tenderin “Rindërtimi i shtëpive individuale në zonat e prekuranga tërmeti”, organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për një vlerë prej 62 miliardë lekë të vjetra, rreth 60 milionë euro.

Rezultatet e fituesit/fituesve të këtij tenderi, më të madhit në këtë fazë të parë, pritet të bëhen publike gjatë javës që po vjen.

Të Hënën, më 23 Mars 2020, mbyllet tenderi i zhvilluar nga Bashkia e Tiranës, me të njëjtin objekt, “Rindërtimi i shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti”, me një fond prej më shumë 20 miliardë lekësh të vjetra (rreth 20 milionë euro).

Ndërkohë, në datë 27 Mars 2020 pritet të mbyllet tenderi tjetër i zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i ndarë në 7 lote, për ndërtimin e infrastrukturës arsimore, të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në zonat e Kurbinit, Lezhës, Durrësit, Krujës, Rrogozhinës, Kavajë, Kamëz, Vorë e Shijak.

Për këtë tender të ndarë në 7 lote, vlera e fondit të prokuroruar është rreth 45 miliardë lekë bashkë me TVSH (rreth 40 milionë euro).

Qeveria shqiptare siguroi rreth 1.15 miliardë euro fonde për rindërtimin, në përfundim të Konferencës së Donatorëve, të organizuar nga Komisioni Europian në Shkurt 2019, pas tërmetit me pasoja tragjike që goditi vendin tonë në 26 Nëntor 2019.

Pjesa më e madhe e këtij fondit, rreth 850 milionë euro, iu dhanë qeverisë shqiptare në formë grantesh dhe kredi. Ndërsa pjesa tjetër, rreth 250 milionë euro ishte dhuratë.

Konferenca e Donatorëve spikati për dy elementë
– E para, shumë vende partnere, me në krye Italinë, shprehën solidaritetin për qytetarët shqiptarë të dëmtuar rëndë nga tërmeti.

– E dyta, donatorët kishin dyshime për mënyrën se si do të menaxhoheshin fondet nga qeveria shqiptare. Kjo u duk qartë në faktin që, secili prej vendeve donatore, theksonte nevojën e ngritjes së një komiteti monitorimi për përdorimin e fondeve të rindërtimit./Boldnews.al