Teliti: Meta ka rihapur një dritare për t’u kthyer te konsensusi

258
Sigal

Dorian Teliti, shefi i kabinetit i kreut të PD, ishte i ftuari i mbrëmjes i Juli Krisafit në SYRI TV. Ai komentoi fillimisht progres-raportin e Komisionit Europian.

“Progres-raporti nuk është pozitiv. Aty thuhet se vendi ka bërë hapa pas,” tha Teliti.

“Vetë komisionari Varhelyi ka bërë thirrje për konsensus. Ky konsensus u arrit më 5 qershor dhe u shkel më pas nga Edi Rama dhe vetëm Edi Rama. PS është në minorancë absolute dhe ai prandaj ndërmerr këto iniciativa,” tha Teliti.

“Deklarata e Metës për rikthimin e ndryshimeve në Kuvend, po rihap një dritare që kryeministri t’i vërë gishtin kokës dhe të gjejë konsensusin me opozitën për të vazhduar përpara. Nëse mazhoranca nuk respekton konsensualitetin, ky është një hap mbrapa, por që u kushton të gjithë shqiptarëve,” tha Teliti.

Sipas tij, aleanca opozitare është më e fortë se kurrë.

“Largimi i Edi Ramës një orë e më parë është objektivi ynë. Ne jemi aleatë më të fortë se kurrë. Armiku ynë është Rilindja në pushtet dhe Edi Rama. Nuk ka formulë që e mbron Edi Ramën dhe që i jep atij një mandat të tretë,” tha Teliti.