Teatri Kombëtar/ Artistët dhe qytetarët rivendosin gërmat mbi fasadën e godinës, duke u betuar: Do ta mbrojmë me gjak!

523
Sigal

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon të nxirren para përgjegjësisë dhunuesit

Artistët dhe qytetarët rivendosin germat e vjedhura tek Teatri Kombëtar

Sërish mbi godinën e Teatrit Kombëtar janë vendosur germat, duke triumfuar qytetërimi dhe kultura mbi dhunimin dhe hajdutërinë. Artistët dhe qytetarët u bënë bashkë dhe vunë sërish shkronjat e Teatrit Kombëtar, të cilat u hoqën në datën 26 prill nga Bashkia e Tiranës. Pas thirrjeve në rrjetet sociale është bërë e mundur që të mblidhej shuma e duhur për rivendosjen e germave të hequra. Artistët u shprehën të vendosur që ta mbrojnë me çdo kusht Teatrin Kombëtar, madje disa prej tyre, në protestën e djeshme u shprehën se do të derdhin edhe gjak për ta mbrojtur. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në një deklaratë publike kërkoi që të dënohet heqja e germave të Teatrit Kombëtar si dhe kërkohet dalja përpara ligjit e të gjithë përgjegjësve të këtij akti. “Denoncojmë Ministrinë e Kulturës si bashkëpunëtore në aktin e heqjes së germave të Teatrit Kombëtar. Të thirret për të dëshmuar punonjësi i policisë private “Nazeri 2000” që ka qenë roje atë natë. Të verifikohen tabultatet telefonike me kë ka komunikuar roja që ka qenë në turn natën e heqjes së germave. Të vërtetohet nëse i ka rënë numrit të drejtorit të Teatrit Kombëtar roja i objektit dhe çfarë kanë komunikuar. Të verifikohen tabulatet, nëse roja ka komunikuar me policinë e shtetit për të denoncuar ngjarjen. Të thirren për të dëshmuar punonjësit e policisë që kanë ardhur në vendngjarje pas lajmërimit. Të verifikohet, nëse patrulla e policisë ka mbajtur inventar për ngjarjen. Të merren dëshmitë e policisë private me kë kanë komunikuar dhe çfarë është diskutuar. Të kërkohen si provë nga policia private fotot dhe videot e bëra gjatë heqjes së germave. Të thirren për të dëshmuar punonjësit e bashkisë që hoqën germat. Të thirren për të dëshmuar drejtori i Drejtorisë 2 si dhe ai i Teatrit të Kukullave për ngjarjen.

Reagimet e politikës

Monika Kryemadhi: Të gjithë bashkë për e mbrojtjen e vlerave kombëtare

 

Sot (dje) qytetarët e lirë, artistët e vërtetë, intelektualët kurajozë rivendosën germat e arta në godinën e Teatrit Kombëtar. Qëndresa e tyre prej më se një viti inkurajon çdo njeri që lufton për të drejtën, për lirinë, për demokracinë, për vlerat kombëtare, për Shqipërinë, për Kombin. Gjej rastin të falënderoj dhe të përshëndes Rudin, Kastriotin, Rezartën, Anilën, Ervinin, Orin, Edmondin, Elonën, Julin, Tashën, Mirelën, Neritanin e qindra qytetarë të tjerë të lirë dhe, mbi të gjitha, Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për këtë fitore morale të tyre. Për asnjë çast nuk u stepën përballë presioneve, as u blenë dhe as u shitën përballë ofertave milionere, por i qëndruan dhe i qëndrojnë kauzës së tyre deri në fitoren e plotë të mbrojtjes së vlerave kombëtare. Akti i tyre sot të mbush me shpresë dhe optimizëm, por të vendosur edhe para një përgjegjësie sa qytetare aq edhe politike. Dyshja Rama-Veliaj, që si hajdute në mes të natës hoqën germat e teatrit, sot janë të humburit e mëdhenj para qytetarëve të lirë të këtij vendi. E kam thënë dhe e përsëris me këtë rast, që ligji korruptiv i PPP-së i teatrit do jetë i pari që do të anulohet dhe çdo kush që ka firmosur për këtë vepër korruptive do mbajë përgjegjësinë jo vetëm morale, por edhe ligjore. Ky nuk është premtim, por angazhim para qytetarëve të lirë, që sot fituan betejën e tyre. Të gjithë bashkë për e mbrojtjen e vlerave kombëtare. Asnjë hap pas!

Berisha: Rivendoset historia e rrënuar nga barbarët

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka vlerësuar aktin e artistëve ditën e djeshme, të cilët i rivendosën germat teatrit Kombëtar, të cilat iu hoqën në mënyrë hajdutçe nga Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan, se artistët rivendosën historinë e rrënuar nga barbarët. Postimi i Berishës: Rivendoset historia e rrënuar nga barbarët! sb