Teatri, Bumçi përgjigje Sorecas: S’ke asnjë rol, Rama do rrëzohet!

462
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i është përgjigjur ambasadorit të BE, Luigi Soreca, i cili tha se çështja e Teatrit Kombëtar është delikate dhe duhet trajtuar me kujdes.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, ish-deputeti Bumçi deklaroi se në çështjen e teatrit nuk ka asgjë të ndërlikuar, mjafton që teatri i ri të ndërtohet në një hapësirë tjetër. Sipas tij, vetë shqiptarët duhet t’i zgjidhin këto probleme, pasi ambasadorët nuk kanë asnjë rol.

“Pse ka rëndësi deklarata e tij apo e ndonjë ambasadori tjetër. Para një jave mbaroi mandatin dhe u largua ambasadorja gjermane, kështu do të ndodhë edhe të tjerët. Ambasadori nuk ka asnjë rol, e vërteta është a mund ta zgjidhim ne shqiptarët këtë punë. Ka vende plot për të ndërtuar teatër. Pse fjalët e një ambasadori, çfarë ka të ndërlikuar këtu”, tha Bumçi.

Më tej, ai vijoi me akuzat e forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se e ktheu Parlamentin në noter për t’i dhënë 8500 metra katror një biznesmeni të lidhur me të dhe për të shembur teatrin.

“Rama e ktheu Parlamentin në noter për t’i dhënë 8500 m2 një biznesmeni të lidhur me të. Kjo është vjedhje me ligj. Kjo u bë pa tender, nuk u bë as ankand. Parlamenti vendosi emrin e personit që do të merrte këtë hapësirë. Sot kemi një person që nuk pyet më për ligje, Kushtet, por bën çfarë të dojë”, u shpreh ish-deputeti.

A do prishet teatri?

Ne fantazinë tonë e çojmë kudo me shprehjen e Ramës “nuk keni parë gjë akoma”. Sot ky njeri është Zot i këtij vendi. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk pyet për dekret të Presidentit. Çfarë ka mbetur më të bëjë ky njeri. Ky njeri sot po bën gjithçka. Rama do të rrëzohet, të kenë durim shqiptarët. Protestat masive do të vijojnë edhe në shtator.