Të thuash kur mbaron apo të jetojmë me të keqen?!

271
Sigal

Nga Gentian Çala

Të gjithë do të donin ta dinin se kur mbaron kjo histori. Askush nuk e di! Nuk dinë atë që do të donin më shumë të dinin, posaçërisht tani që durimi po tkurret dhe aftësitë tona përballuese po zvogëlohen. Fundi i paqartë, virusi me shumë të panjohura dhe tinzar, kurat dhe vaksinat ende në proces, numrat e të infektuarve vijnë duke u shtuar, ashtu si rradhët e të papunëve. Indikatorët e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital duket se caktojnë ritmin e kthimit në normalitet. Shifra, kurba, studime, analiza dhe në fund politiko-pandemi. Kjo është tabloja e ditëve me izolim, ku mendja jonë duket e zënë në rrjetën e të panjohurave. E gjitha duket se të ze frymën e ti shpejton rrahjet e zemrës. Mesa duket kemi vetëm një zgjidhje: të jetojmë me të keqen. Ajo që nuk na vret na bën më të fortë. Ndaj duhen hapur sinoret e lirive dhe duhet treguar më shumë përgjegjshmëri, qytetari dhe kujdes reciprok. Pra mbaron aty, ku fillon përgjegjshmëria jonë. Ky makth e do një kurë shprese dhe ripërtëritje. Në këto momente ku lajmet e pakëndshme dhe ankthndjellëse vërshojnë, kurse ato të mirat janë me pikatore, ka shumë rëndësi injektimi i shpresës. Ekspertët e përzgjedhur nga politika dhe drejtuesit e ekzekutivit duket se janë mpleksur. Askush nga ata nuk e do humbjen. As ne nuk e duam, por kjo nuk është betejë me fitues në fund. Fundi mund të jetë bilanc i trishtë varfërie, problemesh sociale, problemesh të shëndetit mendor, i rrënimit ekonomik. Nuk ka askush çfarë fiton, thjesht duhen zvogëluar humbjet. Të thuash kur mbaron duket si profeci, por në fakt nuk është. Përgjigja është brenda nesh, quhet kujdes dhe transparencë. Me këto të dyja mund të jetojmë me pandeminë, madje me kosto minimale në jetë dhe në ekonomi. Zgjatja e karantinës nga projeksionet krejtësisht teorike dhe shumë larg realitetit, duket si frikë nga humbja imagjinare, të cilës duket se i paraprin ekzekutivi (uroj të mos ketë edhe motive të tjera). Të jetosh me pandeminë, nuk ka nevojë ta dish kur mbaron!