Të sëmurët me covid dynden për bombola oksigjeni në pikat e saldimit

272
Sigal

VOA/ Ekspertët e mjekësisë kanë kritika për numrin e testimeve. Urgjenca nuk u përgjigjet të sëmurëve, ndërkohë që mbi 200 pacientë po kurohen privatisht në Turqi me 1500 euro nata, çka tregon dështimin e qeverisë për menaxhimin e pandemisë.

 

Në Shqipëri debati mbi menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga strukturat shëndetsore, ka marrë një përmasë të re pas shtimit të rasteve të infektimit. Pozitiviteti ka arritur në 24% nga 17 sa ishte tre muaj më parë. Ekspertët kanë kritika për numrin e ulët të testeve, ndërsa zyrtarët mendojnë se niveli i vdekshmërisë më i ulëti në rajon pas Serbisë, flet për menaxhim të mirë. Kritika në rritje ka dhe për vonesat në përgjigjet e testeve, si dhe për centralizimin e shërbimeve spitalore vetëm në Tiranë. Autoritetet njoftojnë aplikimin së afërmi të testeve të shpejta, ndërsa çeljen e pavioneve në spitalet rajonale për të prekurit nga COVID-19 mendojnë ta realizojnë në një fazë tjetër. Vala e dytë e pandemisë së COVID-19 që ka prekur Shqipërinë, ashtu siç edhe pritej, ka sjellë shtim të numrit të infektimeve kryesisht gjatë javëve të fundit. Autoritetet raportojnë një rritje të pozitivitetit në afro 24 % nga 17 që ishte në muajin shtator. Për pasojë ka një fluks të shtuar të vizitave në qendrat shëndetësore, dhe të të shtruarve në 3 spitalet COVID në Tiranë, si dhe realitete të ndryshme të ofrimit të shërbimeve mjeksore tek qytetarët. Nga një vëzhgim i “Zërit të Amerikës”, rezultoi se disa qytetarë sollën me makinë private në Spitalin Infektiv të sëmurin, pasi siç thane, nuk ju ishte përgjigjur shërbimi i urgjencës, ndërsa një tjetër qytetare tha se i afërmi i saj ndiqej nga mjeku i familjes dhe se urgjenca kishte mbërritur shumë shpejt. Testimet janë rritur 3 deri në 4 herë krahasuar me muajin korrik, e megjithatë disa ekspertë janë kritikë për këtë proces, dhe thonë se Shqipëria është e fundit në rajon për testimet, 48 mijë për 1 milion banorë, gjë që sipas tyre i ka sjellë dëme procesit të hetimit epidemiologjik. “Strategjia jonë e testimit ishte një strategji e zgjuar. Ne testonim rastin e dyshuar, atë që kishte shenja dhe në bazë të hetimit epidemiologjik kontaktet e ngushta të këtyre personave. Vërtet kemi numër më të ulët të testimit në krahasim më vendet e rajonit, por situatën epidemiologjie e kemi më të kontrolluar. Pra nuk ka asnjë lloj korelacioni mes testimit dhe rezultatit”, thotë për “Zërin e Amerikës” Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë. Masat kufizuese të qeverisë në reduktimin e orarit të lëvizjeve nga ora 22 deri në 6, dhe mos-hapja e universiteteve, sipas tyre ka sjellë frenim të pandemisë. Por ndërgjegjësimi i popullatës në ruajtjen e distancës në bare restorante apo dhe mbajtja e maskës në ambjente publike është ende i ulët. Ekspertë të PD në opozitë rendisin si dobësi të sistemit shëndetësor në përballimin e pandemisë centralizimin e dhënies shërbimit mjeksor për pacientët nga i gjithë vendi vetëm në tre spitale në Tiranë, në atë infektiv, spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Covid 3, duke sjellë dhe mbingarkesë të tyre. “Ne kemi parë që shumica e njerëzve janë duke u trajtuar në familje, për shkak se qeveria e ka centralizuar trajtimin e personave me gjendje mbi të mesme dhe lartë, të rëndë, në dy spitale dhe kemi parë që këto spitale janë të mbingarkuara. Kjo ka ulur besueshmërinë e pacientëve tek sistemi shëndetësor saqë ata thonë, që më mirë trajtohemi në familje se sa në spitale.

Pra është një mungese besimi ndaj sistemit”, shprehet për “Zërin e Amerikës” Gazmend Koduzi, Departamenti i politikave shëndetësore në PD. Autoritetet thonë se pandemia nuk është një betejë spitalore, dhe se i kanë dhënë përparësi parandalimit përmes testimit dhe gjurmimit si dhe forcimit të rolit të mjekut të familjes që ndjek rastet e lehta dhe të mesme. Autoritetet shëndetësore i përgjigjen kritikave për mbingarkesë të spitaleve Covid në Tiranë duke thënë se kanë 550 shtretër dhe 30% e tyre janë të lira aktualisht, sqaron Zv. Ministrja e shëndetësisë. Kritikët thonë se janë evidentuar probleme edhe me marrjen e përgjigjes pas kryerjes së tamponit nga specialistët, që shkojnë në vonesa deri në 10 ditë nga 72 orë që është norma e pranuar. Aktualisht janë tre laboratorë të sistemit publik që kryejnë ekzaminimin si dhe disa në sistemin privat. “Sistemi privat vërtet bën tamponin i cili mund të rezultojë pozitiv, por ky duhet të rinkonfirmohet në ISHP. Kjo ka sjellë vonesa në marrjen e përgjigjes deri në 14 ditë, dhe shumë stres në këto familje, shumë problematika sepse rrezikohet vendi i punës”, shprehet për “Zërin e Amerikës”, Erjon Skëndaj, gazetar i Televizionit “Neës 24”. Kritikave në rritje për kostot e larta të mjekimit të kovid 19 qeveria ju përgjigj së fundi me mbështetje financiare të barnave për kurim në kushte shtëpie, pas referimit nga mjeku i familjes. E megjithatë mjaft qytetarë i janë drejtuar kurimeve jashtë sistemit shëndetësor publik, me një kosto të lartë, jo vetëm për të shmangur pritjen dhe ankthin për një sëmundje të panjohur, por dhe si shenjë mosbesimi ndaj tij.