Të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen

625
Sigal

Intervista e “Zërit të Amerikës”

Në Tiranë, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale sapo mbylli një studim mbi trendet migratore të popullatës shqiptare. Ekspertët zbuluan se ka një rritje të emigrimit potencial dhe se po emigron pjesa më e arsimuar e banorëve. Sipas një vëzhgimi tjetër, studentët shqiptarë, që po studiojnë jashtë vendit, nuk duan të kthehen më në Shqipëri. Për detajet e këtyre studimeve, korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli, bisedoi me studiuesin Ilir Gëdeshi, Drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale.

– Zoti Gëdeshi, Cilat janë gjetjet tuaja më të fundit në studimin tuaj më të fundit mbi trendet migratore të popullatës shqiptare?

Analizuam grup-moshën 18-40 vjeç, duke parë dëshirën për largim nga Shqipëria. Kjo anketë tregon që migrimi do të vazhdojë dhe ka një rigjallërim të migrimit shqiptar, i cili aktualisht është rreth 1.5 milionë shqiptarë, që jetojnë jashtë, dhe duke e vendosur Shqipërinë në radhët e para të shteteve të të gjithë botës. Emigrimi real nga Shqipëria është aktualisht nga më të lartët në botë. Por tendencat e emigrimit potencial tregojnë që ky emigrim do të vazhdojë edhe në perspektivën afatmesme.

– Cilat janë trendet e reja të emigracionit të shqiptarëve? Çfarë ka të re emigrimi i sotëm i shqiptarëve nga ai i para 10 vjetëve, për shembull?

– Aktualisht vendi i parë i emigrimit potencial është Gjermania dhe vende përreth saj në Evropën perëndimore. Vendi i dytë janë SHBA dhe pas tyre, vijnë Italia dhe Greqia. Orientimi i rinisë shqiptare sot e tutje do të jetë Gjermania. Kjo lidhet edhe me disa faktorë të tjerë: Duke qenë që dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, dëshirojnë të emigrojnë më të kualifikuarit, më të arsimuarit. Për shembull, tendenca e vitit 2007 ishte të emigronin personat e pakualifikuar dhe persona të paarsimuar. Aktualisht dëshirojnë më shumë të emigrojnë persona që kanë arsimin e mesëm dhe profesional dhe sidomos ata që kanë arsim universitar. Pra, ikën pjesa më e kualifikuar dhe më e arsimuar e vendit. Sot dëshirojnë të migrojnë ata të moshës 27-30 vjeç, ku edhe arrin kulmin dëshira për migrim. Vihen re edhe tendenca të reja: Për shembull, nuk dëshirojnë të migrojnë të papunët, si ka qenë në 2007-n, por dëshirojnë ata që janë studentë aktualisht. Së dyti, dëshirojnë të emigrojnë ata që kanë një punë dhe pastaj vijnë të papunët dhe grupet e tjera shoqërore. Kanë ndryshuar shumë nga tendencat e migrimit potencial.

– Si reagojnë studentët që largohen për studime jashtë Shqipërisë?

Shqipëria ka rreth 25 mijë studentë që studiojnë jashtë. Jo fëmijë emigrantësh, por që kanë ikur nga Shqipëria. Ajo që është më negative në këtë rast, nuk është pse shqiptarët shkojnë për të studiuar, por më negativja është se 94 për qind e tyre, sipas një ankete që ne bëmë me studentët shqiptarë, nuk dëshirojnë të kthehen në afat të shkurtër ose të mesme në Shqipëri. Kjo do të thotë që nga Shqipëria dalin çdo vit dhjetëra milionë euro për të financuar studimin e të rinjve shqiptarë, dhe kjo nuk kthehet në atdhe me kapitalin human nesër që do të thotë, se ka një varfërim të vendit nga pikëpamja humane dhe financiare.