Të gjithë të pakënaqur me performancën e qeverisë, por, ndryshimet vonojnë

429
Dje kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, nga ministri i Financave, Cani dhe kryetari i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi, u takua me kryetarin e LSI dhe kryetar i Kuvendit Ilir Meta, i shoqëruar nga Petrit Vasili dhe Haxhinasto në një takim 2 orësh, pas takimit të javës më parë. Ndoshta, edhe ky takim u bë për të akorduar edhe detyrat që u lanë nga takimi i mëparshëm i Ramës me Metën, gjithashtu, të shoqëruar nga disa ministra të tjerë. Është vendosur, që tani, çdo javë Meta-Rama të takohen me grup ministrash të ndryshëm, për të diskutuar tema të caktuara me ministrat konkretë. Të dy palët, pas takimit bënë fjalë se tema e bisedave ishte reformat në drejtësi dhe dekriminalizimi, për të sinkronuar një qëndrim të përbashkët të maxhorancës, si edhe reforma që është ndërmarrë për luftën kundër informalitetit në ekonomi. Pas takimit, ministri Ahmetaj u shpreh në një prononcim për mediat se gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe për qëndrimin e aleancës për reformat në ekonomi”. “Kemi një qëndrim unik për reformat në ekonomi”, tha Ahmetaj, i cili shtoi se, nuk ka taksa më të rritura. Ai shtoi se, patjetër që do të ketë taksa të ulura tek bujqësia dhe turizmi. Burime të gazetës “Telegraf” bëjnë me dije, se në takimin e radhës, që do zhvillojnë Rama dhe Meta, do të marrin pjesë ministrat e tjerë, për të bërë një ekspoze, secili për punën e tij. 

Priten lëvizje të LSI, nëse Rama nuk bën ndryshime në kabinetin qeveritar

Të gjithë janë të pakënaqur nga performanca e qeverisë, në këto 25 muaj qeverisje. I pari është vetë kryeministri, i cili që në mars të këtij viti u ka dërguar me email, kritikën çdo ministri, duke i kritikuar për arrogancë dhe pasivitet. Dje vetë kryetari i Grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, pohoi se “Unë e njoh mirë Edi Ramën dhe besoj që njeriu më i pakënaqur në atë qeveri është vetë Edi Rama.”. Mirëpo Ruçi, nuk përgënjeshtroi nëse do të bëhen ndryshime në qeveri, duke thënë se “Ndryshimi i qeverisë është ekskluzivitet dhe atribut vetëm i atij që drejton kabinetin dhe ai merr përsipër edhe kostot”. Rama akoma këmbëngul që të bëjë ndryshime në qeveri, ndoshta, edhe sepse tani ministrat, të cilët mund të zëvendësohen në qeveri nuk kanë më mandatin e deputetit, do të shkojë në shtëpi, sit ë papunë e të pavlerë. Mirëpo, sipas burimeve që kemi, ka shumë mundësi që LSI të bëjë ndryshime të ministrave që ajo ka në kabinetin qeveritar, nëse kryeministri Rama, nuk do të bëjë ai këto ndryshime. Nëse gjendja shkon hiq e mos e këput nga kryeministri Rama, atëherë, ka shumë mundësi këto ndryshime të ministrave të saj, LSI t’i bëjë edhe javën që vjen. Po sipas këtyre burimeve, i vetmi nga ministrat e LSI, që nuk do të lëvizë, është ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, qoftë për punën frytdhënëse që ka bërë deri tani, por edhe për detyrën e rëndësishme që ka në reformën e drejtësisë, ndërsa ministrat e tjerë, Haxhinasto, Panariti dhe Gjosha, do të lëvizin nga kjo detyrë në kabinetin qeveritar. Me sa duket, me këtë lëvizje të ministrave të saj, LSI dhe kryetari i saj Ilir Meta, nuk mund të preferojnë që ministrat e tij të kenë të njëjtën goditje, apo të atakohen në të njëjtën mënyrë, siç atakohen dhe lakohen për të keq, deri tani ministrat e PS, ndaj edhe kjo është shkaku kryesor, që LSI të lëvizë ministrat e tij, të cilat, sipas burimeve, ka shumë të ngjarë, që të bëhen që javën që vjen. Nëse kjo nuk realizohet, ngaqë PS mund të këmbëngulë që as ministrat e LSI të mos lëvizin nga karrigia, pastaj, nuk përjashtohet edhe mundësia më ekstreme, që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, për shkak të dorëheqjes vullnetare të ministrave të LSI. 
Meta takohet me Idrizin
Pas takimit me Ramën, kryetari i LSI u takua sërish edhe me kryetarin e PDIU Shpëtim Idrizi. Ndoshta, takimi i dy kryetarëve Meta-Idrizi, kishte kryetemë edhe shqetësimin e kohëve të fundit, për prapaskenat e mundshme të PS-PD për futjen e sistemit Prim në Kodin Zgjedhor, që do të jetë një goditje te drejtpërdrejtë kundër LSI dhe PDIU. Takimet e shpeshta, të kohëve të fundit, Meta-Idrizi, mbase janë edhe një mesazh i qartë politik tek Rama, për të respektuar marrëveshjet në mazhorancë, por edhe për të dëftuar që LSI dhe PDIU janë shumë afër në qëndrimet politike. Dihet që edhe LSI edhe PDIU kanë kritikuar reformat e Ramës për luftën kundër informalitetit dhe janë shprehur që ato nuk dot ë votojnë ligje, që çojnë në burg biznesin. Pas takimit, kryetari i LSI Ilir Meta pohoi se “Patjetër që ka shqetësime dhe këto do t’i dëgjojmë përsëri edhe në mënyrë më të ristrukturuar. Do të përpiqemi të reflektojmë maksimalisht brenda mundësive dhe hapësirave dhe objektivave makro-ekonomike, pasi është domosdoshmëri të përmirësohet çdo vit klima ndaj biznesit dhe marrëdhëniet me të”. 
Sigal