Të dënuar e abuzues me tendera, ja “opozita” që krijoi Edi Rama

660
Sigal

Edi Rama arriti ta shndërrojë Parlamentin në një institucion qesharak, disa vite pasi e mbushi atë me kriminelë.

Pas “djegies” së mandateve parlamentare nga PD-LSI, kryeministri dhe “emisarët” e tij arritën të krijojnë një “opozitë”, me persona anonimë ose të dënuar e të akuzuar për shpërdorim me fonde publike.

Deri më tani, opozita e sajuar përbëhet nga 7 deputetë, pjesa kryesore me pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e tyre.

Opozitarët “e vjetër”

Lefter Koka, ish-ministër dhe aktualisht deputet i dalë nga lista e LSI-së, refuzoi t’i bashkohej vendimit të opozitës për të dhënë dorëheqjen nga mandatet e tyre. Koka dyshohet se është përfshirë në abuzime në procesin e dhënies së lejeve për ndërtimin e inceneratorëve në Fier, Elbasan e Tiranë. Ky “cen” duket se e mban lidhur Kokën me Edi Ramën dhe “Rilindjen” e tij.

Myslym Murrizi, deputet i dalë nga lista e Partisë Demokratike, refuzoi të pranonte kërkesën e Lulzim Bashës për dorëzimin e mandatit. Murrizi u shkarkua nga detyra e kryetarit të PD-së në Lushnje në fund të vitit 2018, pasi dështoi të organizonte një process të rregullt votimi për kryetarin e ri të degës së partisë për zonën Lushnje-Divjakë.

Opozitarët “e rinj”

Ylli Shehu, ish-deputet i LSI në legjislaturën e kaluar, ka marrë sërish mandatin pasi ish-kolegët e partisë së tij vendosën të djegin mandatet. Ylli Shehu rrezikoi shkarkimin në vitin 2017, kur Prokuroria e Përgjithshme zbuloi se ai nuk kishte deklaruar një dënim për “kontrabandë” në formularin e Dekriminalizimit.

Shehu e shpëtoi mandatin e tij, pasi anëtarët e Partisë Socialiste dhe LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër shkarkimit të tij. Sot, Shehu premton se “do të jetë opozitar” i fortë kundër Edi Ramës. Ai, madje, në seancën e tij të parë parlamentare për këtë legjislaturë, u ul në karrigen që mbante Flamur Noka. Ndoshta, nga ajo karrige, Ylli Shehu mund të marrë inspirim për të bërë “opozitarin e fortë”, sicc premtoi.

Edmond Rrushi, deputet i ri, i dalë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rrushi e ka nisur karrierën e tij “politike” si shofer i Spartak Brahos. Më pas, Rrushi eci përpara dhe arriti deri në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT).

Në këtë detyrë, ai u përfshi në abuzime të mëdha, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Edmond Rrushi dhe disa vartës të tij u kallëzuan penalisht nga KLSH, në vitin 2014, për abuzime me tenderat dhe shpërdorim detyrë.

Në kallëzimin e KLSH për Rrushin, ndër të tjera konstatohet se: “Gjatë vitit 2013, QSUT ka realizuar 159 procedura prokurimi me fond limit te përgjithshëm ne vlerën 2,910,405,000 leke, nga të cilat 54 procedura me “Negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, me vlerë të përgjithshme rreth 1,280.000.000 lekë. Si pasojë e këtyre procedurave, institucioni ka shmangur, në disa raste edhe qëllimisht, zbatimin e procedurave standarde të tenderimit, duke mos lejuar konkurrimin në tender të subjekteve të tjera private”.

Ediola Braha është një tjetër deputete e re, e prejardhur nga lista e LSI, e cila pranoi të marrë mandatin. Në vitin 2016, kur Braha ishte drejtore e Spitalit të Tepelenës, u përball me akuzat publike të zëvendësit të saj, Avni Bega.

Sipas Begës, drejtoresha Braha ka abuzuar me fondet publike, dëmi i të cilëve shkonte deri në 80 milionë lekë të vjetra. Pas këtij denoncimi publik, Avni Bega u dhunua nga persona të panjohur.

Lefter Maliqi, i cili së shpejti merr mandatin si deputet që vjen nga lista e Partisë Demokratike, do të sillet si “opozitar” përballë Edi Ramës, i cili një vit më parë e emëroi zv. Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve.

(Boldnews)