Tavo: “Vullnetarët e Korpusit të Paqes, rol në fushën e edukimit dhe promocionit shëndetësor. “

513
Sigal

Ambasadori amerikan takon ministrin Tavo, premton mbështetje për reformën në shëndetësi dhe Telemedicinën

Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo, takon ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu. Takimi u zhvillua mbasditen e djeshme ( 25 korrik) në Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë takim ambasadori amerikan shoqërohej  nga përfaqësuesi i USAID, z. Marc Ellingstad dhe drejtori i Vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Reforma në shëndetësi, edukimi në vazhdim, rritja e performancës së sistemit shoqëruar me rritje të cilësisë dhe sigurisë, funksionimi me sukses i projektit të Telemedicinës, një projekt i mundësuar falë financimit të USAID-t si dhe mundësitë e shtrirjes në tregun farmaceutik amerikan ishin disa prej çështjeve kryesore në të cilat është përqendruar biseda.  “Telemedicina dhe projekti i USAID Reforma në Shëndetësi, janë dy shembuj, që kemi bërë dhe mund të bëjmë mirë. Të gjithë kanë dëgjuar për nismën vepro tani. Nisur nga eksperiencat e mëparshme nga kjo nismë, mendoj se duhet të mbledhim të gjitha burimet për të arritur diçka. Sa i takon panaireve të shëndetësisë ato janë një nismë e mirë, një mundësi reale që njerëzit të takohen dhe të shkëmbejnë opinione me njëri- tjetrin”, u shpreh ambasadori Arvizu, duke e uruar ministrin Tavo për detyrën e re. Nga ana e tij ministri i Shëndetësisë e ka cilësuar ndihmën e popullit amerikan si një vlerë të shtuar. “Doja t’iu falënderoja për të gjithë aktivitetin në fushën e shëndetësisë. Pak kohë më parë në një takim me përfaqësuesit e USAID patëm rastin të shkëmbejmë mendime në lidhje me projektet e përbashkëta. Doja t’iu falënderoja për mbështetjen konstante që kemi gjetur veçanërisht në shëndetësi. E kam inkurajuar dhe vazhdoj të inkurajoj stafin tim për vazhdimin e objektivave që kemi”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë gjatë takimit.

Me tej z. Tavo është ndalur konkretisht në projektin e Telemedicinës, në projektin pesëvjeçar  në bashkëpunim me USAID “Reforma në shëndetësi”, si dhe rëndësinë e aktiviteteve të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes, në fushën e edukimit dhe promocionit shëndetësor. “Aktivitetet e tyre në Shkodër, Korçë, Pukë kanë qenë mjaft të rëndësishme. Doja të ftoja vullnetarët për të diskutuar. Në buxhetin e ardhshëm pritet të parashikojmë më shumë veprimtari në lidhje me promocionin shëndetësor dhe edukimin në vazhdim dhe në këtë pikë do të kishim nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes”,  u shpreh z. Tavo. Ministri i Shëndetësisë e ka njohur z. Arvizu në lidhje me objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e kapaciteteve menaxheriale dhe rëndësinë, që ka në këtë pikë funksionimi i projektit të Telemedicinës, i cili mundëson komunikimin në kohë reale mes profesionistëve, duke rritur cilësinë e diagnozës dhe shkurtuar kohën e vendosjes së saj. Duke konsideruar projektin e Telemedicinës një histori të suksesshme, z. Tavo ka shprehur dëshirë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi për të siguruar një shtrirje gjeografike në të gjithë vendin. Përfaqësuesi i USAID-it pranishëm në takim ka shprehur gatishmërinë për të rishikuar të gjitha mundësitë që ky projekt të shtrihet dhe në pesë spitale të tjera rajonale. Një përfaqësi ekspertësh pritet të diskutojnë javën e ardhshme në lidhje me detajet e këtij projekti.