Tarifat gjyqësore, PS rrëzon dekretin e Metës

509
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk dekretoi ligjin për tarifat gjyqësore dhe ia ktheu atë për rishqyrtim Kuvendit, duke paraqitur edhe argumentet përkatëse. Nga ana e saj, shumica parlamentare ka diskutuar dje në komisione dekretin e Presidentit, duke shprehur vendosmërinë për ta rrëzuar atë. Deputetët e shumicës janë shprehur, se ligji i ri nuk parashikon rritje të tarifave gjyqësore. 

Argumentet e Metës
Nga ana e tij, Kreu i Shtetit, në një letër për Kuvendin, kishte argumentuar edhe vendimin për mosmiratim e ligjit. 
“Së pari, niveli i tarifave, i parashikuar në këtë ligj, është herë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tarifave, gjë e cila paraqet rrezik të lartë për vështirësimin e aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë”, sqaron Presidenti. Më tej, Kreu i Shtetit ka shprehur shqetësimin e tij se mbrojtja e shtresave në nevojë nuk garantohet nga ligji i miratuar në Kuvend. 

“Së dyti, mekanizmat e parashikuara në këtë ligj për mbrojtjen e shtresave të pamundura të shoqërisë për të përballuar tarifat e reja gjyqësore, nuk janë të përshtatshme. Mungojnë dispozitat e qarta që garantojnë mbrojtjen e nevojshme. Dispozitat e miratuara në këtë drejtim nuk garantojnë sigurinë ligjore”, theksohet ndër të tjera në argumentimin e Presidentit. Gjithashtu, një tjetër arsye e kthimit në Kuvend për rishqyrtim të ligjit ishte se “parashikimet e këtij ligji nuk ndihmojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e problematikës së financimit të pamjaftueshëm të sistemit gjyqësor, megjithëse ky ligj parashikon rritjen e tarifave në shërbim“.

Debati në Komision
Partia Socialiste ka rrëzuar dekretin e presidentit Meta, duke refuzuar ndryshime në ligjin për tarifat gjyqësore. Deputeti socialist, Bashkim Fino, deklaroi se Kreu i Shtetit ka paragjykuar Kuvendin dhe për këtë ai tha se ndjehet i fyer. Por këshilltari i Metës, tha se ligji për tarifat gjyqësore nuk është konsultuar dhe bie ndesh me Kodin e Procedurës Civile. “Në rastin konkret ne jemi të fyer, sepse Presidenti na ka paragjykuar, duke thënë që ju duhet të kaloni ligjin e ndihmës juridike përpara se të kalohet ligji për tarifat gjyqësore”, tha Fino. Këshilltari i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, tha se se niveli i pagesave është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe nuk parashikohen mekanizma për mbrojtjen e shtresave në nevojë. “Parimet e vendosura nga kushtetuta në nenin 42 pika 2 kërkojnë që në këtë ligj të parashikohet qartësisht procedura dokumente dhe kërkesa, sesi një kërkesë për mbrojtje juridike apo për mbrojtjen e vendit e saj falas do të vendoset nga gjykata”, tha Dervishaj. 
Sigal