“Tallje me moshën e tretë”, kaos dhe radhë të gjata për t’u vaksinuar në Lezhë

261
Sigal

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për personat mbi moshën 80-vjeç është shoqëruar me ankesa dhe radhë të gjata në dy ditët e para në Lezhë.

Pashk Lazri është zgjuar herët në mëngjes të premten. I njoftuar nga mjeku i familjes së është përzgjedhur si përfitues i vaksinës kundër COVID-19, 82 vjeçari nga fshati Kallmet është paraqitur në orën 8:00 të mëngjesit në qendrën e vaksinimit në bashkinë e Lezhës, por deri në orën 11:00 nuk kishte mbaruar punë.

“Kjo me duket një tallje për ne moshën e tretë sepse jemi të sëmure e nuk mund të qëndrojmë gjatë në këmbë,” u ankua Lazri.  “Këtu është bërë një rrëmujë e madhe dhe nuk e kuptoj pse ndodh diçka e tillë,” shtoi ai.

Dita e dytë e procesit të vaksinimit anti-covid në Lezhë u shoqërua me probleme. Të gjithë të moshuarit ishin njoftuar në të njejtin orar për tu vaksinuar dhe  situata krijoi radhë të gjata e kaos në hyrje të qendrës së vaksinimit.

“Jam duke pritur ka tre orë, herë na thonë dilni jashtë e herë hyni brenda dhe s’po merret vesh asgjë,” u ankua 85 vjeçari Pjetër Buda. “Këtu ka një anomali të paparë,” shtoi ai, ndërsa e cilësoi gjithashtu procesin si ‘tallje me moshën e tretë.’

Proçesi i vaksinimit anti-covid nisi këtë të enjtë në Lezhë dhe në dy ditët e para janë vaksinuar rreth 100 persona të moshuar mbi 80-vjeç dhe personel mjekësor.

Drejtoresha e Njesisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, Zojë Zefaj tha se listat e përsonave që do të vaksinohen janë përgatitur nga mjekët e familjes, por ajo hodhi poshtë ankesat e të moshuarave për vonesa.

“Të moshuarit që janë njoftuar duhet të bëjnë durim dhe të shmangin grumbullimet, pasi të gjithë do të vaksinohen,” tha Zefaj.

“Në po punojmë me mjaft ritëm që mos të krijojmë vonesa, por s’mund ti fusim të gjithë brenda,” shtoi ajo.

Të enjten procesi i vaksinimit në Lezhë u ndoq nga afër dhe nga Kryeministri Edi Rama sëbashku me Ministren e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirlu tha se më 15 mars në Shqipëri do të vijnë 8 mijë doza të tjera vaksine nga kompania Pfizer, ndërkohë ajo shtoi se sapo të vijnë dozat e vaksinës së AstraZeneca fillohet me vaksinimin e mësuesve.

“Çdo ditë bëjmë rreth 1 mijë vaksinime dhe besoj që do të ecim akoma më shpejt me ardhjen e serive të tjera të vaksinave që presim,” tha Manastirliu.

Që nga nisja e pandemisë e deri ditën e premte në Lezhë janë infektuar 4803 përsona me koronavirus nga të cilët kanë humbur jeten 75 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive me COVID-19 është 831.

Ndryshe nga autoritet shëndetësore, të moshuarit dhe familjarët tyre theksojnë se ka pasur një mungesë organizimi, duke theksuar se grumbillimi i njërëzve përbën një rrezik serioz për infektimin e tyre.

“Këtu s’po e merre vesh i pari të dytin,” tha Marie Lleshi nga fashti Tale, e cila kishte sjellë të ëmën e paralizuar për t’u vaksinuar dhe priste prej një ore jashtë qendrës së vaksinimit.

“Gjithë ky grumbullim është një rrezik serioz për përhapjen e virusit sepse pjesa më e madhe të moshuarve janë të sëmurë,” tha ajo.

Pasi pritën me orë të tëra, shumë prej të moshuarve u detyruan të largohen pa e marrë dozën e vaksinës.

“Këtu në vend që me u shëruar na kanë sjell me u sëmurë,” u ankua Pjetër Buda. “Nuk mund të qëndroj më në këmbë se jam i sëmurë e po largohem pa e bërë vaksinën,” shtoi ai.

Edhe dita e parë e vaksinimit në Lezhë u shoqërua me probeleme. Luigj Koleci bashkë me nënën e tij 85-vjeçe iu drejtua qendrës së vaksinimit anti-covid për të vaksinuar të moshuarën, por asaj iu refuzua doza e vaksinës me pretendimin se nuk e kishte emrin në listë.

“Shkova tek qendra e vaksinimit, por nuk pranuan,” tregon burri nga fshati Fishtë. “Më thanë se nuk e kishte emrin në listë dhe s’më dhanë asnjë shpjegim tjetër,” shtoi ai.

Koleci tregon se në zonën ku ai banon janë përfshire në procesin e vaksinimit plot të moshuar të së njëjtës moshë e madje edhe me moshë më të ulët se nëna e tij. Ai e cilësoi procesin e vaksinimit si selektiv dhe të njëanshëm.

“Unë mendoj se ka selektivitet në këtë proces dhe nuk më duket aspak normale diçka e tillë,” tha Koleci. “Ma mirë nëse nuk ka vaksina të mjaftueshme të na tregojnë e mos të vinë duke na bërë propagandë,” shtoi ao.

Prenda Fuga, ishte një nga të moshuarat e para të vaksinuara në Lezhë të enjten. Ajo e mori dozën e parë të vaksinës anti-Covid pasi e kishte fituar betejën me virusin në dhjetor dhe u ankua për kostot e larta të kurimit, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë qindarke nga shteti.

“U detyrova që të siguroj dhe oksigjenin dhe më kanë shkuar më shumë se 1 milionë lekë për tu kuruar,’ tha ajo, ndërsa shpjegoi se ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore për 20 ditë nga koronavirusi.

“I kemi bërë gjërat privatisht sepse po të pritja shtetin sot do isha e vdekur,” përfundoi ajo.