Takimi me Ramën, vëzhguesit e OSBE/ODIHR i përsërisin parregullsitë e evidentuara

170
Sigal

Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Ursula Gacek, ka zhvilluar një takim në selinë e PS-së me Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla.

Në takimin që zgjati rreth 70 minuta, është diskutuar mbi procesin zgjedhor, ndërsa mësohet se ekipi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR i ka qëndruar konkluzioneve paraprake, ku evidentohen fenomenet e shit-blerjes së votave, përdorimit të administratës në zgjedhje, presioneve dhe intimidimin e votuesve, si dhe përdorimin e të dhënave personale nga patronazhistët e Rilindjes.

Duket se evidentimi i problemeve zgjedhore, të cilat mund të jenë pjesë edhe e raportit përfundimtar, ka krijuar një bisedë jo shumë të qetë mes Kryeministrit dhe ekipit të drejtuar nga ambasadorja Gacek.

Kjo është vënë re edhe në fund të takimit, ku gazetarëve i ka tërhequr vëmendjen dalja veç e veç nga selia e palëve në takim, pa një përshëndetje miqësore në hyrjen e selisë rozë.

Fillimisht nga selia e PS doli Gacek me ekipin e saj dhe më pas kryeministri Rama me Taulant Ballën, të cilët u panë të diskutonin me njëri tjetrin.

Kujtojmë se ditën e djeshme Gacek, zhvilloi një takim në selinë blu me kryedemokratin Basha.

Takimi zgjati rreth 1 orë e 45 minuta dhe u zhvillua pa praninë e mediave, ku në përfundim të takimit nuk pati deklarata nga asnjë nga palët.

Në fokus të takimit besohet se ka qenë gjithashtu procesi elektoral për të cilin opozita ka bërë akuza për manipulim të votave.

OSBE-ODHIR pritet të publikojë së shpejti raportin përfundimtar mbi zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat tashmë po kontestohen hapur nga Partia Demokratike si të parregullta dhe të manipuluara.