Takimi me Bashën në Kombinat, Kryemadhi: Nuk ka moskomunikim, armatë mediatike e drejtuar nga Rama, këto janë raportime të patronazhistëve

208
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Open” me gazetaren Eni Vasili foli për marrëdhënien me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha, duke marrë shkak edhe nga dalja me këtë të fundit, mbrëmjen e kaluar në Kombinat.

Kryemadhi u shpreh se komunikon vazhdimisht me zotin Basha dhe se zërat për mungesën e komunikimet vijnë si shkak e mungesës së alternativës së kryeministrit Rama, i cili e ka drejtuar të gjithë armatën mediatike të tij drejt kësaj çështjeje.

Gjithashtu Kryemadhi ka komentuar edhe raportimet se ndërmjet LSI-së dhe PD-së ka rivalitet në terren, ku tha se këto janë raportime të patronazhistëve të Edi Ramës, duke hedhur poshtë këtë mundësi.

Takimi i Kombinatit, pati lajme dhe polemika. Fakti që dolët së bashku me Lulzim Bashën u bë headline, sepse gjatë kësaj fushate rrallë herë keni qenë bashkë. Pse kjo zgjidhje? Ishte një mesazh bashkimi? Ishte e studiuar për 5 ditët e fundit apo ka diçka tjetër?

E para njëherë opozita, pra Lulzim Basha kryetar i Partisë Demokratike dhe Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe të gjithë kryetarët e partive të tjera që janë të frontit opozitar, kanë qenë bashkë që në momentin që janë djegur mandatet. Por në fakt, duke pasur një lloj strategjie nga qeverisja, që e ka ndjekur hap pas hapi me patronazhistët e saj dhe jam e bindur që patronazhistët e zotit Rama e ndjekin shumë mirë komunikimin e Monika Kryemadhit me Lulzim Bashën online të telefonave, që janë nga 4-5 herë në ditë në kontakt me njëri tjetrin, apo dhe të të gjithë stafeve tona. Mendoj që mungesa e alternativës së Edi Ramës, për t’u thënë qytetarëve që faturat e Covidit që i kalojnë mbi 3500 euro, shkatërrimi i ekonomisë nga pandemia, mbyllja e bizneseve, mosrealizimi i ndërtimit të shtëpive të të gjithë qytetarëve që i humbën në tërmetin e 26 nëntorit, që u premtoi që do t’i mbyllte brenda vitit 2020, atëherë e gjithë energjia dhe armata e tij mediatike është drejtuar pse nuk takohen në fushatë elektorale Monika me Lulzim Bashën. Normal që Monika Kryemadhi dhe të gjithë kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim marrin votat e LSI-së, mbështetësve të tyre dhe atë elektoratit të qendrës së majtë, i cili sot mund të themi se është indiferent dhe nuk kanë arsye që të shkojnë të votojnë Partinë Demokratike për 1001 arsye. Ashtu sikurse edhe anasjelltas, zoti Basha motivon Partinë Demokratike, motivon elektoratin e djathtë, motivon çdo njeri të lëkundur.

Nga ana tjetër, për të bërë paralelizmin, që në një mënyrë a në një tjetër u ndoq në insertin tuaj, ndryshe nga 2013 që ishte me zotin Rama, ne jemi të detyruar që të ecim në këtë lloj metodologjie, një opozitë e bashkuar nëpërmjet 2 listave. Që do të thotë, maksimizim vote, angazhim i 306 kandidatëve në terren të cilët mbledhin vota dhe avantazhi është që ashtu sikurse dikur ne kishim listat e partive politike, sot kemi kandidatët, të cilët tërheqin dhe mbledhin votat e tyre.

Ajo që është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet, është që ju jeni në garë si me PD-në, edhe me PS-në, për votat e LSI-së, apo jo?

E para njëherë ne nuk jemi në garë me PD-në, ne jemi në garë me veten tonë, sepse ajo që është shumë e rëndësishme për ne është, që programi dhe alternativa jonë të pranohet nga njerëzit, ta mbështesin atë dhe pse jo detyrimet tona që janë nesër për t’i qëndruar dhe për të mbajtur fjalën për çdo gjë që ne jemi angazhuar tek qytetarët.

Fakti që ju keni dalë në fushatë bashkë, ka qenë sepse ju keni pikësynim secili votat e veta apo jo?

Unë nuk mendoj se ndonjë, edhe në Partinë Socialiste Mimi Kodheli ka pikësynim votat e saj, nuk ka pikësynim për të marrë vota as për Belinda Ballukun…

Votat e PS-së mbeten brenda PS-së, ajo është një çështje që po ndodh…

Edhe unë kam shumë socialistë që vijnë tek votat te lista ime. Kam 15 kandidatë socialistë që janë në listat e LSI-së, që vijnë nga Partia Socialiste dhe sjellin votat e Partisë Socialiste tek LSI-ja. Nuk besoj se ka ndonjë gjë të keqe.

Ka raportime se LSI dhe PD kanë rivalitet elektoral në terren. Kjo ishte e parashikuar që kur dolët veç…

E para njëherë, duhet të kemi një gjë shumë të qartë, që kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë lloj rivaliteti, madje përkundrazi.

Këto janë raportime nga terreni…

Këto janë raportime të patronazhistëve të Edi Ramës, se nuk janë nga terreni. Unë jam gjithë kohës në terren.