Takimi i ministrave te Brendshëm dhe të Jashtëm në Selanik, Tahiri: Duhet të bashkëpunojmë

411
Në Selanik të Greqisë po mbahet Samiti dyditor i ministrave të Brendshëm të Jashtëm të rajonit, ku në fokus të diskutimeve është çështja e refugjatëve. Në takimin ku marrin pjesë edhe zyrtarë të Komisionit Europian dhe Ministrisë së Jashtme të Holandës (vendi që mban presidencën e Këshillit të BE-s), qeveria shqiptare përfaqësohet ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. I pranishëm në këtë takim, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se nga kjo krizë vendet janë të detyruara të bashkëpunojmë. “Ky takim shërbeu fillimisht për të kuptuar të gjithë bashkë se jemi të dënuar për të bashkëpunuar shumë më shumë nga ç’kemi bërë deri tani. Çdo motiv që kemi pasur për mos të bashkëpunuar përballë sfidës së refugjatëve kthehet në zero, e na ve përpara detyrimit që në mënyrë intensive të bashkëpunojmë fillimisht për të shkëmbyer informacion; për monitorimin dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet vendeve kufitare si dhe për shkëmbimin e elementëve të sigurisë që duhet të ndërmarrim në kuadër të krizës së refugjatëve.

 Pra ramë dakord që kjo është një krizë që duhet përballur në nivel europian dhe rajonal, për t’iu përgjigjur me solidaritet e humanizëm domosdoshmërisë në fjalë.” -tha Tahiri. Ai shtoi se: “E nga ana tjetër, po bashkërisht të përballemi me sfidën e garantimit të sigurisë duke bërë ç’është e mundur që në cilindo prej vendeve europiane apo të rajonit, elementë radikalë e terroristë të mos penetrojnë nëpërmjet krizës së refugjatëve, duke venë në rrezik vlerat, të cilat ne mbrojmë në Shqipëri, rajon dhe më gjerë.”. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Greqisë, Nikos Kotsias shprehu gatishmëri për ti ofruar ndihmë vendeve që po përballen me fluks emigrantësh, ndërsa theksoi se duhet të shtohet bashkëpunimi mes shteteve. “Duhet të jemi bashkë për të përballuar këtë situatë dhe nevojitet shtim bashkëpunimi. Të menaxhojmë bashkërisht çështjen e emigrantëve”, tha Kotsias. Sakaq, Greqia është një nga vendet që po përballet me fluks të madh emigrantësh, të cilët vinë kryesisht nga Siria.
Sigal