Takime intensive të kryeparlamentarit Ruçi në Konferencën e kryeparlamentarëve të BE-së në Vjenë

434
Sigal

Gjatë ditës së dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zhvilloi takime intensive me kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare: me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë z. Wolfang Sobotka, Kryetarin e Budestagut të Gjermanisë z. Wolfang Schäuble, Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Andreas Norlèn, Kryetaren e Senatit të Holandës znj. Ankie Broekers-Knol, Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi, Kryetarin e Parlamentit të Greqisë z. Nikos Voutsuis, Zëvendëskryetaren e Parlamentit të Francës znj. Carole Bureau-Bonnard, Kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane në Senatin e Francës z. Jean Bizet etj. Gjatë këtyre takimeve u prezantuan arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe të reformave të integrimit, përcaktuar nga Këshilli Evropian, dhe u kërkua mbështetje për çeljen e negociatave, në qershor 2019. Kryeparlamentarët evropianë shprehën vlerësimet shumë pozitive për arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të reformave të procesit të integrimit dhe ofruan asistencë teknike të parlamenteve të tyre për procesin e negocimit. Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së në përfundim të Takimit të Vjenës, bëri thirrje për vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes një progresi të dukshëm dhe vijimit në hapat e tjerë të anëtarësimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Drejtuesit e 28 parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së vlerësuan rezultatet e arritura dhe nxitën vijimin e reformave në përmbushje të kriterit të anëtarësimit në BE. Duke iu referuar rritjes së prezencës së aktorëve të jashtëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si Rusia dhe Kina, ata i bënë thirrje BE-së “të vijojë të promovojë vlerat e veta dhe të mbrojë interesat e veta në Ballkanin Perëndimor, sikurse ky është një investim në paqe, demokraci dhe siguri”.