Tahiri zyrtarisht tek Krimet e Rënda, jep shpjegime për lidhjet me Habilajt

477
Pas përplasjeve politike ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri tashmë ka një tjetër përballje, atë me drejtësinë. 
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka mbyllur betejën personale me politikën dhe tashmë ka besim se të njëjtën gjë do të bëjë edhe me drejtësinë. Të paktën kështu u la të kuptohet ditën e djeshme, teksa doli nga dyert e Krimeve të Rënda dhe u shpreh se nuk do të kërkojë drejtësinë tek politika dhe se tani e tutje është në gatishmëri të drejtësisë. Ishte vet kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj ai që një ditë pas kontrollit të banesës kërkoi që Tahiri të paraqitej në zyrën e tij për të dhënë shpjegime lidhur me dy akuzat e ngritura. Por edhe pse u njoftua nga akuza, Tahiri sërish nuk e pranoi këtë gjë. Ai tha se ishte paraqitur në gjykatë me dëshirën e tij. Nuk dha asnjë shpjegim tjetër. Ja çfarë tha Tahiri para gazetarëve: “Dua t’i falënderoj prokurorët që morën parasysh kërkesën time për të pasur një hetim sa më të shpejtë. Me kërkesën time u paraqita për të dhënë shpjegimet e mia, dhe për të shprehur gatishmërinë sot e kurdoherë për t’i shkuar të vërtetës deri në fund. Unë nuk kam ndërmend ta bëj betejën time për drejtësi para jush, apo ta kthej në një histori debati politik. Debati politik duhet të mbyllet, unë betejën e kam me drejtësinë.

Do ju kërkoja që, atë që bëra me prokurorët brenda të mos e bëj dhe këtu. Të jeni të bindur se jam tërësisht i disponueshëm për çdo pyetje dhe për çdo hetim”.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje dhe deklaratës për mediet, Tahiri në orët e mbrëmjes bëri edhe një tjetër reagim në faqen e tij në Facebook. Ai shkruan se “rruga për të vërtetën vazhdon, çdo orë, çdo ditë, deri në fund”.Duket se Tahiri përmes deklaratave të tij kërkon të tërheq vëmendjen dhe të largojë debatin politik prej tij. Tashmë ai është i bindur se do të fitojë të drejtën në gjykatë duke thënë herë pas herë se nuk ka lidhje me vëllezërit Habilaj dhe se e vetmja lidhje me ta është shitja e makinës. Ditën e djeshme kanë dalë fakte të reja. Ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka përfunduar përkthimin e plotë të dosjes prej 2000 faqesh ardhur nga Prokuroria e Katanias në Siçili. Kundër Tahirit ka qenë i gjithë spektri i djathtë politik. Janë hedhur akuza të rënda. 
Zhdukja e provave
‘Audi’ AA 003 GB është çregjistruar në Drejtorinë e Transportit Rrugor nga sistemi i targave. Makina tip ‘Audi’ fillimisht ka qenë në pronësi të ish-ministrit Tahiri, por ai e shiti më pas te Habilajt. Makina deri në 11. 06. 2015 ka qenë në pronësi të Tahirit, pavarësisht se është shitur më parë. Por pas publikimit të përgjimeve nga Italia për Habilajt, prokuroria nisi hetimin për makinën. Nga një kërkim që ka bërë prokuroria rezulton se kjo targë nuk është më në qarkullim, ky mjet është çregjistruar. Mbetet për t’u parë, nëse kjo makinë ekziston fizikisht. Sipas sistemit TIMS makina ndodhet në Shqipëri. Dosja e Habilajve po hetohet nga një grup prej 6 prokurorësh të Krimeve të Rënda, ndërsa drejtohet nga titullari i këtij Institucioni Hajdarmataj. Ndërsa Saimir Tahiri është paraqitur për të dhënë shpjegime pranë grupit të prokurorëve, në media doli lajmi për zhdukjen e makinës së tij shitur tek vëllezërit Habilaj. Ashtu sikundër është thënë gjatë këtyre ditëve, që prej daljes së skandalit të përgjimeve, ekzistonte frika se Saimir Tahiri do të zhdukte provat. Pas daljes së këtij lajmi pati edhe reagime të shumta. Mes tyre i shokuar për këtë operacion të zhdukjeve të provave nga Tahiri dhe gjithë strukturat shtetërore që e ndihmojnë atë, ka qenë dhe denoncuesi i parë i kësaj historie kriminale ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani. “Populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë … ‘nuk futet minarja në thes’….! Po këta rilindës mposhtin çdo rekord dhe fusin minaren me gjithë xhami në thes….!”, shkruan ai në faqen e tij në Facebook i shokuar për faktin se deri ku mund të arrijnë në mbrojtje të Tahirit.
Sigal