Tahiri i shkruan Nishanit e Manjanit: Gjykatat po lirojnë armëmbajtësit

548
Tahiri i ka dërguar një letër Presidentit dhe Ministrit të Drejtësisë ku ankohet për lirimin e një personi të armatosur nga një gjyqtar i Gjykatës së Vlorës. 
Ngjarja ka ndodhur në shkurt të këtij viti ku Vasil Papa u arrestua bashkë me dy të tjerë, Ergys Muratin dhe Klajdi Begën. Pavarësisht se Prokuroria kërkoi masë sigurie “arrest me burg”, gjyqtari Laurent Fuçia e ka lënë Vasil Papën të lirë. 
Ja se çfarë ka shkruar Tahiri në letër: “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe konkretisht gjyqtar Laurent Fuçia, ka marrë në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen e referuar nga Prokuroria në ngarkim të shtetasit Vasil Papa, në datën 27.02.2016, ku ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës; ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e këtij shtetasi si dhe ka caktuar masën e sigurimit persona “detyrim për tu paraqitur në Policinë gjyqësore”. 
Po kështu, në të njëjtin vendim është urdhëruar edhe lirimi i menjëhershëm i shtetasit Vasil Papa?! Shfaqet qartë se gjyqtari në fjalë nuk e konsideron rrezikshmërinë e veprës penale, të pasojave që mund të rrjedhin prej konsumimit të kësaj vepre penale; si dhe nënvlerëson rrezikshmërinë e personit në dritën e fakteve të parashtruara në dosjen hetimore, duke zbutur në mënyrë flagrante masën e sigurimit personal ndaj shtetasit Vasil Papa, në kundërshtim me pikën 3, gërmat “b” dhe “c” të nenit 228 i Kodit të Procedurës Penale. Nisur nga sa më sipër, ekzistojnë dyshimet, besoj të bazuara, se nga ana e gjyqtarit Laurent Fuçia janë kryer veprime jo korrekte, në “shpërdorim të detyrës” së gjyqtarit dhe besimit me të cilin kjo detyrë vishet, duke favorizuar personat nën hetim, të cilët kanë përfituar padrejtësisht lirimin e menjëhershëm.
Sigal