Tahir Muhedini: Kryeministri ta dëgjojë ambasadorin Lu, për ministrat e korruptuar e deputetët kriminelë

448
Tahir Muhedini, deputeti i PDIU, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se, apelin e ambasadorit Lu për ministra të korruptuar dhe deputetë kriminelë, duhet ta dëgjojë kryeministri, prokurorët dhe gjykatësit, sepse ambasadori shpreh qëndrimin zyrtar të SHBA. Zoti Muhedini kritikon edhe politikën e “burgjeve” të qeverisë, duke sjellë edhe një krahasim, që sot, në demokraci kemi 6.000 të burgosur, kur në regjimin diktatorial kishim 3.000, ndaj me popull të burgosur, nuk shkojmë dot në Europë. Zoti Muhedini kritikon qeverinë edhe për terrorin ndaj biznesit, duke thënë se, qeveria duhet t’u krijojë kushte bizneseve të fuqizohen, e jo t’i penalizojë. Si deputet i PDIU, zoti Muhedini shprehet se, Kryeministri Rama nuk e mbajti premtimin që çdo 6 muaj do të raportonte në Parlament, për çfarë është bërë për Çështjen Çame, duke u shprehur më tej, që qeveritë shqiptare janë sjellë inferiore në raport me qeverinë greke. Së fundi, zoti Muhedini, shprehet se, PDIU përfaqëson 10 % të popullsisë dhe me numrin e deputetëve që ka do kërkojë që, nëse bëhen ndryshime në qeveri PDIU të ketë 1-2 ministra. 
-Zoti Muhedini, ju si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme të “Rilindjes”?
– Në disa aspekte ka bërë punë të mirë, si për shembull, reformën në energjinë elektrike, ku kishim humbje të mëdha, ndërsa tani, jemi të gjithë të barabartë karshi pagesave. Por, për disa kategori familjesh të varfra, që janë shumë keq nga ana ekonomike, qeveria duhet të bëjë një ndarje. Ai që ka, por vjedh energjinë, duhet dënuar patjetër, por qeveria, njëkohësisht, duhet të ketë lehtësira, rimbursim shtetëror. Siç u dha një reportazh, që një familje, me 3 fëmijë, prindërit të papunë, si mund të paguajë dritat kjo familje? Po, shteti, si mund t’i presë dritat kësaj familjeje? Unë i kam bërë vërejtje, edhe kryeministrit, edhe qeverisë. Shqipëria nuk bëhet me një të thënë e të bërë, as Gjermani, as Austri. Kur e them këtë, kam parasysh, që edhe atje ka vjedhje, nuk paguajnë të gjithë taksat, që ka edhe taksi pa leje, edhe atje, kuponi nuk është gjithandej, ndaj gjithë ky evazion, nuk mund të pretendojë qeveria, që do ta luftojë me fushata lufte për 1 muaj. Qeveria duhet ta marrë pak më qetë, duhet t’i krijojë hapësira biznesit të vogël. Nuk them që të abuzojmë. Kriza është globale, dhe kur ne duam ta bëjmë shtetin tonë, sikurse Perëndimin, që kanë 150-200 vjet që kanë marrë këto masa, ndaj i them qeverisë, që ta marrë pak më qetë reformat e saj…
– Kur thoni që, “qeveria ta marrë pak më qetë” doni të kritikoni ashpërsimin e Kodit Penal, që tashmë çdo kundravajtje dënohet, veçse me burg?
– Kini parasysh, që tashmë u bë e përditshme që kudo zbatohet ligji “burg”, “burg”, burg”. Diçka e pakuptimtë. Ne pretendojmë që të shkojmë në Europë, mirëpo, nuk mund të shkojmë në Europë, duke mbushur burgjet me qytetarët e tu. Populli thotë: As hasmin mos e pafsh në burg. Bismenmenët duan të jetojnë, por nuk mund ta futë qeveria atë apo qytetarin e thjeshtë, për një parregullsi…
– A shikoni në politikën ekonomike të qeverisë, atë klimë të të bërit biznes, me konkurrencën e ndershme?
– Ne kemi biznese, që dikush paguan taksa, dikush nuk paguan. Mirë është që t’i paguajnë të gjithë taksat. Qeveria do bëjë më mirë, që t’u ulë pak taksën, që të paguajnë të gjithë bashkë. Por, jam kundër ligjit “burg”, jam kundër terrorit ndaj biznesit, ndaj janë mbyllur mijëra biznese sot, për shkak se nuk e përballojnë dot represionin tatimor dhe fiskal të qeverisë. Nëse themi që sistemi i diktaturës që përmbysëm i fuste njerëzit në burg, në atë kohë, në burg ishin rreth 3.000 veta. Sot, që jemi në demokraci, janë bërë shumë burgje të reja, janë tejmbushur burgjet, janë mbi 6.000 të burgosur. Qeveria, së fundi bëri një kthesë, me nenin 13, ku atje ishte direkt, fjala “burg”, kurse tani u korrigjua, që kundravajtja e parë të jetë administrative. Në rastin e dytë, është gjoba dhe nëse përsëritet për herë të tretë shkelja, mund të marrë një dënim me burg deri në 1 vit. Kjo kthesë për biznesin nuk është që të vazhdojë të abuzojë, por, i krijon kushte optimale biznesit, që të përparojë. Shteti duhet t’i krijojë lehtësira biznesit, që të fuqizohet, jo ta terrorizojë. Biznesi nuk është armik i shtetit demokratik. 
– Siç thatë, qeveria mbush me burgje për kundravajtje të vogla biznesmenët e qytetarët, por, deri më sot, çuditërisht nuk kemi në burg asnjë zyrtar të lartë, qoftë edhe për abuzime, korrupsion. Përse?
– Ky fakt nuk ndikon për mirë në opinionin shoqëror. Ne takohemi me njerëzit dhe njerëzit na ankohen, që për një dëm të vogël 30 – 50.000 lekë të vjetra, ai menjëherë arrestohet e shkon në burg. Të arrestosh një kryefamiljar se dëmtoi shtetin me 30.000 lekë të vjetra, unë jam kundër kësaj politike. Njerëzit mendojnë që ne jemi bërë deputetë, e në këtë parlament, kemi ardhë që të ndajmë paratë e vjedhura. Nuk është kështu. Unë them, që ai ministër që ka vjedhë, ta hetojnë, gjykojnë e të japë llogari, kushdo qoftë. 
– Fakti është që, deri tani, asnjë i dënuar për korrupsion…
– Nëse këtu flitet që x ministër, x drejtor ka vjedhë, këtu, një çikë flitet edhe pa doganë. Dhe meqë të gjithë flasim pa doganë, unë si deputet them që ky ministër ka vjedhë, unë duhet të mbaj përgjegjësinë, në radhë të parë, që e shpreh dhe duhet të kem prova që ta dëshmoj. Ka ardhë koha të jemi seriozë, sepse na vjen turp, kur takohemi me njerëzit e pyesim: Ku është filani? Na thonë, që është në burg. Përse? E kapën për 10.000 lekë të vjetra. E, ndërsa diskutohet që zyrtarët e politikanët vjedhin miliona e miliona, djersën nga taksat e shqiptarëve. Ndaj ju them: si kryeministri, i cili edhe ai flet pa doganë, që thotë që gjithë gjykatësit janë të korruptuar, gjithë prokurorët janë të korruptuar, gjithë drejtësia është e korruptuar, unë jam kundër kësaj shprehjeje që përdor kryeministri. Nëse kryeministri ka të dhëna nga strukturat e veta, t’i thotë me emra, filan gjykatës, filan prokuror vodhi, e ta dënojmë. Nëse preket qeveria na prokuroria, atëherë del që prokuroria është e korruptuar. Ndërsa kur gjykata nuk thotë asgjë për qeverisë, atëherë na qenka e mirë. Çfarë është kjo?
– Siç pohuat, kur kryeministri thotë që gjithë gjykatësit e prokurorët janë të korruptuar, po si ka mundësi që kryeministri nuk thotë që kemi një zyrtar të korruptuar?
– Jam kundër kësaj politike. Kemi shumë gjyqtarë e prokurorë shumë të ndershëm, shumë të aftë profesionalisht. E keqja duhet parë, që te ne, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, këto ligje, si i bëjmë? I bëjmë të sakta? A lëmë në ligjet që bëjmë hapësira për abuzim me ligjin prokurorisë dhe gjykatës? Duhet parë Kodi Penal, mirë, nuk duhet lënë një nen ku thotë për një dënim nga 1 vit deri në 10 vjet burg. Atëherë, që në ligj, ka korrupsion. Njëri e dënon 1 vit, tjetri e dënon 10 vjet, për të njëjtin akt penal. Unë mendoj, që të mos shkojmë nga 1- 10 vjet, por 1-3 vjet, 3 – 5 vjet, etj. 
– Zoti Muhedini, kur pardje ambasadori amerikan publikisht pohoi që, reformës në drejtësi i tremben ministrat e korruptuar dhe deputetët kriminelë, për kë e kishte fjalën?
– Duhet t’u jemi mirënjohës SHBA, si aleatë që i kemi, që vë dorë kudo, kjo do të na vjelë shumë neve, por ambasadori Lu jeton me ne dhe dëgjon përditë, që ky ministër vodhi 150 milionë, ky tjetër ministër vodhi 300 milionë, dhe ai dhe populli i thjeshtë habiten e thonë: Si ka mundësi që vidhen gjithë këto miliona dhe nuk hyn askush në burg? Unë them që këta apel të ambasadorit amerikan duhet ta dëgjojnë të gjithë, në radhë të parë, kryeministri lart, e deri te prokurori. Ne duhet të edukohemi, si në SHBA, si në BE, që institucionet e pavarura kushtetuese t’i lëmë të punojnë të pandikuar nga qeveria. 
– Kur kryeministri Rama tha se, nuk do bëjë ndryshime në qeveri, mos vallë ishte kundërpërgjigje ndaj kritikës së ambasadorit Lu?
– Unë them kryeministri ynë duhet ta mirëkuptojë ambasadorin amerikan, i cili është në një mendje me kryeministrin kur thotë, që ka korrupsion. Por korrupsionin ministri yt do ta bëjë, kush tjetër? Korrupsionin nuk e bëjnë njerëzit e thjeshtë apo ai që ke çuar në burg ti, për 50.000 lekë të vjetra. Kur flet ambasadori amerikan, është qëndrim zyrtar i SHBA. Është më mirë të themi me emra, që ky vjedh, ky është kriminel, sesa i futim të gjithë në një thes dhe nuk dënojnë asnjë për në burg. 
– Mundet ky parlament, që ka deputetë kriminelë, të bëjë reformë në drejtësi apo duhet bërë më parë dekriminalizimi?
– Këtë fjalë që thotë ambasadori amerikan, duhet ta ketë vath në vesh, edhe kryeministri, edhe kryetarët e partive. Unë nuk di personalisht, që ky deputet është kriminel. Dekriminalizimi duhet të bëhet. Por, edhe korrupsioni, kaq i madh sa është në Shqipëri, është i barabartë me kriminalizimin e parlamentit e të politikës. Prokurorisë duhet t’i lihet rruga e lirë. Nuk ka pse ndërhyn as kryeministri, as qeveria. Gjykatat duhet të punojnë të qeta. 
– Keni ndjesinë që PD-PS duan të bëjnë dekriminalizimin apo gjejnë sebepe, që të mos e bëjnë?
– Unë jam dakord që të bëhet testi i drogës, Për të gjithë. Unë them që testin e drogës ta bëjë që nga Presidenti, e deri të punonjësi i administratës publike. 
– Ju, si deputet, por edhe si PDIU jeni të mendimit se duhen të bëhen tani ndryshime në qeveri?
– Ndoshta kryeministri thotë që ministrat e tij punojnë mirë. Këtu ka ankesa, si nga deputetët e pozitës, që kanë dalë haptas, e kanë folur për ministra që duhen të ikin nga qeveria. Unë mendoj, që edhe të ndërrojë ministra, mirë i bën qeverisë. Kryeministri duhet të dëgjojë se çfarë thonë deputetët e pozitës, deputetët e tij. Deputetët e pozitës flasin haptas që duhen të bëhen ndryshime. Kur ministri në punën e tij shkon edhe më keq, më shumë, pastaj dëmtohet vetë kryeministri. 
– PDIU, a do ta kushtëzojë qëndrimin e saj në aleancë me këtë mazhorancë me plotësimin e kërkesës për rezolutën Çame?
– PDIU u fut në këtë mazhorancë me pretendimin që të plotësohet sa më shpejt zgjidhja e çështjes kombëtare të Çështjes Çame. PS e vuri në programin e saj se do ta zgjidhte Çështjen Çame vetëm për të marrë votat e çamëve. Konkretisht, kryeministri Rama e ka thënë me gojën e vet, që “qeveria ime çdo 6 muaj do japë llogari në Parlament, deri ku kemi shkuar me zgjidhjen e Çështjes Çame. Deri tani Rama nuk e ka bërë asnjëherë. Rezoluta për Çështjen Çame duhet vënë në tavolinë dhe shteti shqiptar ta vërë atë në politikën e saj të Jashtme. 
– Nëse do bëhen zgjedhje në qeveri, PDIU a do të këmbëngulë që të bëhet pjesë e qeverisë edhe me poste ministrore?
– Qëllimi i PDIU është të integrohemi në strukturat e shtetit, sepse deri tani popullsia çame ka qenë e përjashtuar, që nga 1960. Pa diskutim, që ne si PDIU duhet të kemi 1- 2 ministra. Pa diskutim. Duhet të kemi edhe disa zëvendësministra. Ne, PDIU duhet të jemi pjesë e administratës shtetërore shqiptare. 
Kryeministri Rama nuk e mbajti fjalën që qeveria e tij, do raportojë çdo 6 muaj në Parlament për Çështjen Çame
– Zoti Muhedini, mendoni që kryeministri deri tani e ka zbatuar marrëveshjen që ka bërë me PDIU, para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015?
– Unë mendoj, që PDIU jo vetëm që nuk ka marrë shpërblimin për kontributin që dha në fitoren e ASHE në këto zgjedhje, por kryeministri nuk ka zbatuar atë marrëveshje që ka bërë me ne. Marrëveshja në radhë ta parë, është me çështjen tonë, me programin e PDIU. Programi ynë ka një çështje madhore, një çështje kombëtare, zgjidhja e problemit Çam! Çështja Çame ka një gjenocid, që në 1913 deri në 1945, derisa i zhduku shteti grek, shteti europian. Shteti shqiptar, me politikat e tij të jashtme, në këto 25 vjet, nuk e ka vënë për zgjidhje Çështjen Çame. 
– Ju, PDIU, keni qenë në qeverisjen e kaluar dhe në këtë qeveri, si aleatë. Kujt kostoje politike i tremben qeveritë, që nuk e ngrënë problemin Çam në politikën e Jashtme?
– Qeveria dhe politika shqiptare ka qenë e nënshtruar karshi politikës greke. Politika dhe qeveritë shqiptare kanë zbatuar vetëm dëshirat e kërkesat që ka patur shteti grek. Nuk di që të jetë plotësuar ndonjë kërkesë e shtetit shqiptar nga qeveria greke. Grekët pretendojnë për varreza greke në Kosinë dhe ndodhi ajo që s’ka ndodhur askund. Që morën eshtrat e banorëve shqiptarë, për t’i vaftisur si eshtrat e ushtarëve grekë. Kjo është gjëja më e turpshme që mund të ndodhë. U dënua prifti i Kosinës nga gjykata shqiptare, por nuk bëri dënimin me burg. E njëjta gjë ndodhi edhe në Boboshticë. Ne i kemi bërë kërkesë që në 2008, ministrisë së Jashtme, që ne kërkojmë të bëjmë varreza në krahinën e Çamërisë, ku janë vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm, dhe nuk ndodh asgjë, kur ndërkohë ata pretendojnë për varreza të ushtarëve. A ka komision nga qeveria shqiptare, kur qeveria greke ka komisionin e saj për varrezat që ajo pretendon në tokën tonë. Qeveria shqiptare ta shikojë mirë. Nuk është thjesht çështja për një varrezë, por kjo është me prapamendim, se çfarë mund të kërkojë shteti grek. Kur nuk ka ushtarë grekë të vrarë dhe ngre varreza gjoja të tyre me eshtrat e banorëve vendas shqiptarë, kjo është e turpshme. Qeveria jonë karshi shtetit grek duhet të jetë e barabartë, si sjellje, si veprim, si kërkesa. Qeveria greke arriti deri aty, sat ë guxonte t’i kërkonte qeverisë tonë, që të mos na bënte pjesë të qeverisë. A nuk është kjo politikë, një ndërhyrje brutale diplomatike e shtetit grek në punët e brendshme të shtetit shqiptar?!
Sigal