Surpriza e hidhur e Makron për Ballkanin

509
Ivan Krastev

Fjalimi i Emmanuel Makron në Parlamentin Evropian ishte krisma e parë për hapjen e fushatës zgjedhore evropiane në vitin 2019. Pasi dëgjuam fjalimin e bukur, nuk e dimë akoma, nëse presidenti francez do të tentojë në Evropë atë që kërkonte në Francë para një viti – shkatërrimin e partive politike ekzistuese dhe krijimin e një platforme të re proevropiane, thelbi i së cilës është refuzimi i statuskuosë. A do të rrezikojë ai t’i sfidojë aq shumë partitë e qendrës, që shumica qeverisin në Evropë, saqë të ndahet edhe nga kancelarja Merkel? Si do të veprojë ai me rritjen e tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit? Si do ta sjellë ai energjinë e re demokratike në projektin evropian, veçanërisht, në ato shoqëri, që fjalimet e tij i lexojnë në versione të përkthyera? Prej shekujsh ka një lidhje të thellë në Francë mes politikës dhe poezisë – dhe Emmanuel Makron i mbetet kësaj lidhjeje besnik. Ai e vuri në provë edhe talentin e tij për dramaturgjinë, kur foli, për “luftën e re qytetare” në Evropë, rreziqet e nacionalizmit dhe kur deklaroi se nuk do të jetë pjesë e një “gjenerate sonambulësh”. Ai i ngacmoi kundërshtarët politikë në anën e djathtë të spektrit politik në Evropë, kur u pozicionua si mbrojtës i vlerave evropiane, jo vetëm ndaj sundimtarëve autoritarë në Rusi, Kinë, Turqi, por edhe kundër “iliberalëve” në shtëpinë e vet, Evropë, kujtojmë Hungarinë, Poloninë. Makron fitoi pikë me pragmatizmin politik, kur u distancua nga narrativi klasik federalist, të cilin e mbështesin shumica e francezëve dhe nuk argumentoi më për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, por për një tatim digjital të përbashkët, që do ta forconte Brukselin.

Një vizionar i kujdesshëm
Presidenti francez ka vendosur të jetë në rolin e vizionarit të kujdesshëm. Ai vetëm i rivijëzon opsionet politike të tij, në vend që t’i trumbetojë me të madhe. Nga ana retorike fjalimi ishte shumë i fuqishëm, por të bien në sy temat që nuk preku Makron. Presidenti francez qëndroi dyshueshëm i heshtur, në temën e reformave në Eurozonë, që ishte lajtmotivi i fjalimit në Sorbonë vitin e kaluar. Heshtja është një sinjal i qartë për vështirësitë në bisedimet francezo-gjermane për unionin monetar evropian. Ai gati nuk e preku qëndrimin e Evropës në tregtinë e lirë, dhe nuk mbajti një qëndrim të qartë politik në temën e migracionit në Evropë. Gjenerali Charles de Gaulle një herë ka thënë: “Një lider i vërtetë e mban gjithmonë të fshehur asin nën mëngë, e i jep me të publikut një gjendje entuziazmi dhe emocioni”. Asi që kishte Makron ishte mesazhi i tij për të ardhmen e zgjerimit. “Nuk dua që Ballkani të drejtohet nga Turqia apo Rusia”, tha presidenti francez në Strasburg. Por ai as nuk do një Evropë me 28 anëtarë, së shpejti 27, që funksionon me vështirësi e që pastaj do të vendoste të “marrë galop me 30 apo 32 anëtarë, por me të njëjtat rregulla”.

(Ivan Krastev është drejtues i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje. Ai shkruan rregullisht analiza për “New York Times”)
Sigal