Studimi i BERZH: Pagat në Shqipëri duhet të jenë, të paktën, 500 USD që emigracioni për shkaqe ekonomike të frenohet

647
Sigal

Studimi i BERZH: Shqiptarët largohen për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës

Shqiptarët tashmë largohen masivisht nga Shqipëria drejt vendeve evropiane për të kërkuar një punë, madje, ky emigrim i dytë më i madh, pas viteve 1990, është edhe më i dhembshëm, sepse kësaj here, largohen, emigrojnë pjesa më vitale, intelektualët, punëtorët e kualifikuar. Shkaku është varfëria, rrogat e ulëta, që as shtresa e ashtuquajtur e mesme dhe intelektuale, me pagat që marrin, e ka shumë të vështirë që të përballojnë jetesën, por edhe mungesa e perspektivës në Shqipëri. Disa herë kryeministri Rama e ka mohuar shkakun e varfërisë, si motivin pse emigrojnë sot shqiptarët. Mirëpo, studimet dëshmojnë se në Shqipëri pagat duhet të jenë 2-fishin e atyre që marrin sot, për të përballuar jetesën.

Studimi i BERZH

Emigracioni është një fenomen në rritje për vendet e varfra dhe në ato në zhvillim, por në Shqipëri ka marrë përmasa të mëdha, teksa vendi ynë renditet në top listën e shteteve me potenciale të larta të emigrimit. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka vlerësuar së fundmi se pagat në Shqipëri duhet të jenë të paktën 500 dollarë në muaj në mënyrë që të frenohet emigracioni. “Studimet tregojnë se përmirësimi i klimës së biznesit dhe cilësia e shërbimeve publike mund të ulin në mënyrë të konsiderueshme dëshirën e njerëzve për të emigruar. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe rritja e pagave më shumë se 500 dollarë në muaj në një vend si Shqipëria do të ndikonin në frenimin e flukseve të emigracionit”, shkruan BERZH në Raportin e Tranzicionit 2019. Në shumë vende që mbulon BERZH janë të përfshira nga fenomeni i emigracionit. Disa shërbejnë si tranzit ose pritëse për emigrantët e parregullt. Disa vende si Siria, Afganistani largohen për t’u shpëtuar konflikteve ose luftërave. Megjithatë, ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm emigrantësh të parregullt (veçanërisht ata që vijnë nga vende si Algjeria, Maroku dhe Pakistani) të cilët janë të nxitur kryesisht nga një dëshirë për mundësi më të mira ekonomike. Në këtë grup vendesh është edhe Shqipëria. BERZH tregon se, si emigrantët e ardhshëm ekonomik, refugjatët dhe emigrantët e parregullt gjithashtu kanë tendencë të jenë meshkuj të rinj dhe relativisht mirë të arsimuar.

Emigrimi përkeqëson tregun e punës në vendet e origjinës

Ikja e kësaj kategorie ndikon në përkeqësimin e tregut të punë në vendet e origjinës. Sipas një ankete të fundit nga Qendra për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte. Anketa përfshiu 1436 intervista në të gjithë vendin dhe u zhvillua gjatë periudhës shkurt-korrik të këtij viti. Më herët anketa të tjera mbi potencialet e emigrimit si ajo e Gallup vitin e kaluar, që janë shtrirë në të gjithë popullsinë, kanë gjetur shifra më të larta të dëshirës për t’u larguar mbi nivelin 56%. Studimi tregon se dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, dhe nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.