Studenti pyet kryeministrin: Kur i di problemet, pse nuk i ke zgjidhur?

524
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kreu u qeverisë: Rama: Reagojmë, sepse tani protestuan studentët. Në janar do paguani 50 % të tarifave

Studentët nuk pranojnë në asnjë mënyrë të dialogojnë me kryeministrin, pa u plotësuar paraprakisht 8 kërkesat e tyre, por edhe kryeministri nuk lodhet së kërkuari dialog dhe pakt me studentët, edhe pse e pranon që qeveria do të plotësojë të 8 kërkesat e studentëve, por, vetëm duke dialoguar bashkërisht.

Protesta e studentëve, duke bllokuar rrugët kryesore të Tiranës

Studentët e Fakultetit Ekonomik prej disa minutash kanë bllokuar rrugën e Elbasanit. “Të plotësohet 8 kërkesat tona, nuk tërhiqemi nga e drejta jonë, ne nuk pranojmë dialog me Edi Ramën pa plotësimin e kushteve. Ata studentë që marrin pjesë në takim me Ramën nuk na përfaqësojnë neve, protestuesit e vërtetë janë në sheshet e qytetit dhe jo në auditore. Takimet e kryeministrit me studentët, janë thjesht show me anëtarët e FRESH-it. Studentët bllokuan shumë zona të Tiranës gjatë paradites së djeshme

Qëllohet me vezë Kryeministria

Studentët protestues u mbledhin dje paradite para Kryeministrisë sërish me parullën “asnjë dialog”, ndërkohë që disa të rinj kanë goditur me vezë, godinën e qeverisë.

Kryeministri Rama në auditorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Parmbrëmë kryeministri Rama, pa asnjë njoftim publik u takua me pedagogë të fakultetit të Gjeologjisë, për të thyer akullin e negociatave, ndërkohë që studentët protestues kanë bërë thirrje, që ata studentë që shkojnë në takime me kryeministrin, nuk kanë lidhje me ata. Dje kryeministri u ndodh në auditorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Studentja: Na lajmëruar për takim me dekanin, jo me ju, prandaj po iki

Pak pas fillimit të takimit që Edi Rama zhvilloi me studentët dhe pedagogët në UBT, njëra prej studenteve mori fjalën duke bërë një pyetje për kryeministrin, duke i thënë se askush nuk i kishte lajmëruar studentët se kryeministri Rama do të ishte i pranishëm. Kur ajo zbuloi këtë fakt mori edhe duartrokitjet e sallës së mbushur me studentë. “Rektori na kishte njoftuar për një takim me studentë dhe pedagogë, nuk ka tha që do vinit ju këtu. Unë jam kundër kësaj përçarjeje që po përpiqeni të bëni ju. Prandaj jam e para që do të braktis mbledhjen, sepse rektori na ka gënjyer”, deklaroi studentja dhe u largua nga salla.

Kryeministri Rama: Në janar do paguani 50% më pak

Kryeministri Rama në dialogun që bëri me studentët e UBT-së, u tha se studentët e ciklit Bachelor nga janari do të paguajnë 50% të tarifës. Kryeministri Rama: Në janar nuk do t’i paguani, ja po ta them sot. Në janar ju do të paguani 50% më pak të tarifës. Ja ta thashë një. Nëse do vini në janar dhe do ju kërkojnë ju do të refuzoni të paguani në janar tarifën. Do ta refuzoni.. Nëse ju thonë do ta paguash, do t’i thuash jo nuk e bëj. Studenti: Këtë kërkojmë dhe ne, të kemi një deklaratë zyrtare. Rama: Deklaratë zyrtare ty nuk të bëj, as ty dhe askujt. Ne jemi këtu partnerë, nuk më ke marrë peng që të të bëj deklaratë zyrtare. Unë jam këtu me zë dhe figurë 198 cm dhe po t’i them gjërat dhe po i dal për zot këtyre gjërave.

Rrini në kafe, e doni t’ju paguajmë për 4-at

Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm të mundësonte 100% pagesën e studentëve me aftësi të kufizuara ose që vijnë nga familje në nevojë, por jo studentëve të dobët. “Tarifat janë pjesë e kostos, por ta dini asnjë student nuk paguan më shumë se 50% të tarifës. Po më fal, ti vjen në universitet, merr paratë e prindërve, rri në kafe, se kafet janë tumllas, më shumë ka në kafe se në auditor, do që të të paguajë shoqëria ty që ti të marrësh 4-5 dhe, në fund fare, të dalësh si gjithë të tjerët, madje të jesh dhe doktor shkencash,” deklaroi kryeministri Rama.

Studenti replikon me kryeministrin: Kur i di problemet, pse nuk i ke zgjidhur?

Një student në Universitetin Bujqësor të Tiranës e ka pyetur kryeministrin: Po na thua që i di të gjitha problemet. Atëherë, çfarë po kërkon nga ne?! Pse nuk janë zgjidhur, pse tani?”. Kryeministri replikoi: Pse tani? Sepse tani u ngritët ju. Po nuk qau fëmija nuk i jep ushqim nëna, kështu është kjo punë.”

Studenti replikon me Ramën: Unë jam katranjosi!

“Unë jam ngelësi ndërkombëtar zoti kryeministër – kështu ka nisur fjalën e tij një student nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. – Përshëndetje zoti kryeministër, jam një ngelës ndërkombëtar. S’më pëlqen se si ju iu kthyet dy studentëve, studentes së parë dhe tjetrit. Madje s’më pëlqeu fakti se si justifikoheni dhe hiqni përgjegjësinë nga institucioni juaj, dhe ia vini Universitetit dhe as mënyra se si iu ktheve studentëve. Ne të kemi zgjedhur. Më pëlqeu përgjigja e studentit dhe shpresoj që rektori mos ta kapë personale me të dhe mos ta ngelë. Ju thoni ‘katranjosët protestojnë’, por ata kërkojnë të drejtat e tyre. Kjo është e papranueshme dhe të na fusni të gjithë me një thes”, u shpreh studenti.

Rama replikoi me studentin, teksa i bëri të ditur, se e ka merak të fitojë debatet. “Shumë faleminderit! E para eprori nuk je as ti as ajo vajza. As unë s’jam. Të flas unë, se s’të ndërpreva. Për veten time e kam merak të fitoj debatet. Por është barazi. Nuk kam çfarë mendoj. S’jam ai politikani që bën sikur kupton dhe bën si i butë. Eprori nuk është, as ti e as ajo vajza. Epror bashkë me fjalën ‘këllqe’ lëreni jashtë, dhe shikojeni në fjalor. Kam ardhur të flas për përgjegjësi dhe jo për faj. Ju keni 13 ditë që bërtisni dhe s’flisni. Unë pres që ju të flisni”, ia ktheu Rama.

 

Studenti i thotë kryeministrit: Shko, shiko si janë konviktet, as kafshët nuk mund të jetojnë!

-Shkoni dhe shihni konviktet studentore. Janë kushte mizerabël! Kushte, ku dhe kafshët nuk mund të jetojnë, Shkoni e shikoni. Lini një rrugë pa bërë dhe rregullojini të paktën kushtet minimale, nuk them hotel me 5 yje, – u shpreh studenti.

Studenti ia thotë në sy kryeministri: S’kemi besim! Plotësoni kërkesat!

Të shumta ishin replikat dhe kritikat e studentëve ndaj kryeministrit Rama me studentë e pedagogë dje në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një student i masterit, ia ka thënë në sy Ramës, se studentet nuk ulen të dialogojnë, pasi nuk kanë më besim tek ai. “Pse nuk bisedojnë, sepse nuk kanë besim, ka rënë besimi. Kthejuani besimin, plotësoni kërkesat!”- tha studenti.

Dekanati i Fakultetit të Shkencave mbështet kërkesat e studentëve

Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka shprehur mbështetjen për kërkesat e studentëve pas një mbledhjeje të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Mes tjerash thuhet se do të adresohen të gjitha problematikat që hasin studentët dhe e gjitha kjo do të adresohet në një kohë shumë të shpejtë në institucionet ligjzbatuese.

Kryeministri Rama: Do të hapim shkolla profesionale 2 vjeçare, jo të gjithë janë për Universitet

Kryeministri Rama, ka sjellë dhe një alternativë tjetër për ata studentë që nuk janë të aftë mjaftueshëm për të shkuar në Universitet. Këtë, kryeministri Rama e quan një humbje kohe e parash për studentët e prindërit. “Të kalojmë në shkolla dy vjeçare profesionale pas shkollës së mesme. Ka studentë që humbasin kohë kot në fakultet ndërkohë që nuk janë të prirur në atë fushë”, – u shpreh kryeministri Rama.