Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dje ishte dita e tetë e protestës së studentëve. Madje,protesta ishte 24-orëshe, pasi qindra studentë e gdhinë ditën para kryeministrisë dhe para ministrisë së Arsimit. Këshilli Studentor mori vendimin që sot të gjithë studentët do të protestojnë para Parlamentit, sepse nuk kanë më besim të ulen e të bisedojnë me kryeministrin. Ata kërkojnë plotësimin pa kushte të 8 kërkesave që kanë bërë.

Studentët: Duam plotësimin e kërkesave, jo shkarkim të ministres së Arsimit, janë të gjithë njësoj

Protesta e studentëve vazhdon edhe më masive ditën e djeshme e ndarë në Kryeministri dhe përballë Ministrisë së Arsimit. Studentët vazhdojnë të kërkojnë vetëm plotësimin e kërkesave të tyre, pa dialog me kryeministrin. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, u shpreh një nga studentët. Ndërsa një tjetër student besimhumbur nga politika është shprehur se është vetëm një firmë, nuk ka nevojë për dialog. “Politika ka 28 vjet që na ka sjellë në këtë derexhe. Kur padrejtësitë bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë. Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, u shpreh ai.

Studentët: Do e bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!

Tashmë kërkesa e studentëve protestues nuk është më heqja e tarifës. As 8 kërkesat që i kanë përcjellë kryeministrit Rama dhe kërkojnë plotësimin e tyre pa negocim. Tashmë studentët në ditën e 8-të protestës, kërkojnë edhe ndërtimin e një Shqipërie, si e gjithë Evropa. Kauzës së tyre, i janë bashkuar edhe mjaft qytetarë të grupmoshave të ndryshme, ndërsa studentët kërkojnë me ngulm plotësimin e kërkesave, që kanë. “. Po fituam këtë kauzë, do fitojmë edhe shumë të tjera. Ne nuk jemi më me Shqipërinë, e duam si gjithë Evropa, por do e bëjmë ne së bashku, Shqipërinë si gjithë Evropa. Ky është një shembull i të rinjve evropiane, po mbajmë një protestë të qetë”, tha një student. – Secili mund të jetë është i lirë, ne e rëndësishme është kur kapet ky mikrofon të mos çorientohemi nga pikat që kemi. Kur të fitojmë këtë kauzë, siç protestojmë për Teatrin do protestojmë edhe për shumë të tjera. Ne nuk kemi politikë, jemi shumë të përqendruar. Slogani ynë ka qenë 8 pika dhe një kauzë. Shoh që të gjithë po kërcënohen, ne mbrëmë nuk e patëm të lehtë, duam të fitojmë kauzën, pastaj me gjërat e tjera”, vuri në dukje një tjetër.

Reagon Rama: Një tjetër ditë e humbur për studentët

Kryeministri Rama një ditë më parë, në një intervistë të improvizuar televizive, gjoja me student protestues, por, që u faktua që ata të ftuar në studio televizive ishin militant të FRESSH-it, theksoi edhe një herë që qeveria e tij nuk mund të plotësojë asnjë kërkesë tjetër të studentëve me ultimatume, përveç heqjes së VKM për tarifat e provimeve mbartëse, pa u ulur ai dhe studentët në një tavolinë për dialog. Kryeministri Edi Rama reagoi edhe për protestën e djeshme të studentëve nëpërmjet rrjeteve sociale, duke u shprehur se edhe kjo e sotmja është një ditë e humbur për studentët.“Një tjetër ditë e humbur me arsyen e Mos-arsyes: Kam kërkesa po s’dua të flas për to, prandaj m’i plotëso! Kështu funksionon në Klinikën e Doktorreshë Monës, në Gjumin e Lul Artistit, në Megafonin e Profesor Qorrit,po jo në mësimet e demokracisë e të prindërve tuaj. Unë ju pres”, shkroi kryeministri Rama.

Studentët shtojnë një pikë tjetër në listën e kërkesave: Të hiqet procedimi penal për protestuesit

Studentët vazhdojnë protestat para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesës, së cilës i është shtuar edhe një pikë tjetër. Gjatë ditës së djeshme studentët protestues, nga tetë e kanë bërë kërkesën e tyre me nëntë pika, ku deklarojnë se duan edhe heqjen e procedimeve penale për 25 personat, për të cilët policia vazhdoi procedimet ditën e djeshme. Studentët kanë thënë se do vazhdojnë qëndresën derisa të gjitha këto kërkesa të plotësohen.

Akademikja në protestë pyet: Unë jam me studentët kryeministër, ti me kë je?

Rusida Osmani, akademike e një universiteti të huaj ishte dje në krah të studentëve për të protestuar poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. “Pyetja jonë për politikanët është çfarë po bëni me Shqipërinë. Kur ti thua diplomë unë jam gati të ngjitem një nivel më lart, por nuk ta fal kur e di që fjalët e mia i merr për media kazani. Kur ti thua punë, unë jam gati të lë profesionin tim e të punoj në lopatë, ku të mundem. Mos më detyro të urrej vendin tim. Çfarë po bën me Shqipërinë, pse shqiptarët po ikin, çfarë po i jep arsimit, kur bursat e studentëve nuk rimbursohen. Ju ishit e ardhmja kryeministër, sa shpresa patët dhe sa zhgënjime. Kur ju thoni e ka fajin ministria e Arsimit apo e Energjetikës, përse nuk japin dorëheqjen ministrat me tenderë 30 milionë euro korruptive. Ku shkojnë taksat e shqiptarëve. Nuk dialogojmë më. Unë si akademik jam me ta kryeministër, po ti me kë je?!”

Studentët sfidojnë të ftohtin, ndezin zjarre para kryeministrisë

Studentët shprehen të vendosur për të vijuar protestën e tyre para kryeministrisë, duke këmbëngulur për realizimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë, një grup studentësh protestues të cilët janë para kryeministrisë për ti rezistuar temperaturave të ftohta, kanë vendosur të ndezin zjarr, ndërkohë që disa prej tyre janë mbuluar dhe me batanije. Megjithëse kryeministri ka përsëritur kërkesën për dialog, studentët janë të vendosur për të mos negociuar asnjë nga pikat që ato i kanë kërkuar që qeveria të plotësojë. Në letrën drejtuar institucioneve thuhet se studentët do të bojkotojnë mësimin deri kur 8 kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. “Kushtet janë të panegociueshme”, shprehen studentët.

Dorëhiqet pedagogu i Arkitekturës, që kërkoi favore seksuale

Entuziazmi i studentëve është shtuar mbrëmjen e djeshme, kur është komunikuar për ta dorëheqja e pedagogut të Arkitekturës, Thanus Nushi, i cili ishte një ndër pedagogët e nxjerrë në pankarta, i cilësuar edhe si ‘il padrino’, dhe akuzohej se kërkonte favore seksuale në këmbim të notës, por nëpër rrjetet sociale shprehen se vetëm Thanas Nushi nuk mjafton, duhen plotësuar 8 kërkesat.

Profesor Edmond Tupja: Dialogu me kryeministrin është i rrezikshëm

Profesori Edmond Tupja deklaroi se dialogu që kërkon kryeministri Edi Rama me studentët protestues është i rrezikshëm. “Duhet të kesh një ndërgjegje sociale shumë të madhe dhe vigjilencë të mprehtë për të nuhatur kurthin. Po të shkojnë te kryeministri studentët, mund të impresionohen ose intimidohen. Rama ka staturë dhe gojën e përdor mirë. Këtë gjë e kanë nuhatur instinktivisht studentët dhe prandaj nuk pranojnë dialog me të”, shpjegon Edmond Tupja. Profesori uroi “që protesta të përhapet dhe të ketë sa më shumë njerëz që mbështesin studentët” dhe theksoi se nuk i besoj Ramës “kur thotë që është i gatshëm të plotësojë kërkesat e studentëve”.

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës: S’kemi kërkuar vendosje tarifash për provimet

Senati Akademik i Universiteti i Tiranës ka bërë publik qëndrimin e tij në lidhje me debatin për arsimin e lartë, dhe për protestën e studentëve, duke theksuar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e bartura. Më tej thuhet se mbështesin dhe kërkesën e studentëve për uljen e tarifave të shkollimit, për studimet e larta.

Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura (pika 4 e shfuqizuar e Vendimit nr. 288, datë 21.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”).

Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit, dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për UT-në.

Në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe proceduriale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik.

Në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare.

Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe të çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së.

Qeveria miraton vendimin për rikonstruksion të konvikteve

Teksa studentët e universiteteve publike në Tiranë dhe jo vetëm, protestojnë për mungesën e kushteve dhe për disa pika të tjera, qeveria ka miratuar vendimin për rikonstruksionin e konvikteve. Vendimi në fjalë është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, ndërsa bëhet fjalë për një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane. VKM-ja përcakton qartë se projekti për rikonstruksion të konvikteve kap një vlerë prej 3 milionë euro.

Policia e Tiranës procedon 25 protestues për mitingje të paligjshme

Njoftimi i policisë: Më datë 11.12.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasit: • Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko, Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj. Dhe aktivistet politike Gaetano Doci dhe Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonal (FRPD). Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit. Policia deklaron se po punon për identifikimin e personave të tjerë që kanë bllokuar rrugën tek sheshi “Rilindja” pasi janë të fotografuar.