Studentët dorëzojnë në MARS një platformë për zgjidhjen e kërkesave. Policia filmon në universitete

556
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Studentët dorëzojnë në ministrinë e Arsimit një platformë për zgjidhjen e kërkesave, vazhdon bojkoti i mësimit

Skandali/ Policia e Shtetit futet në auditorë të universiteteve, ndërkohë që policët filmojnë studentët protestues, me metoda “gestapo”

Ndërsa kryeministri Rama përpiqet që t’u mbushë mendjen studentëve se tarifat e përgjysmuara janë për të gjithë studentët, pavarësisht mesatares së notave, dhe se keqkuptimi i mosbërjes me dije të VKM-ve të qeverisë është përgjegjësi e rektorëve të universiteteve dhe se së shpejti do të publikohet edhe pakti i qeverisë për Universitetet, studentët janë të vendosur që të vazhdojnë protestat, duke bojkotuar edhe mësimet në auditore, deri në plotësimin pa kushte të 8 kërkesave të tyre.

Studentët hedhin tymuese te Ministria e Arsimit dhe para kryeministrisë

Studentët nuk i ka penguar as moti i vështirë, as temperaturat e ulëta polare që të jenë në rrugë, duke protestuar. Ora 12:30 e ditës së djeshme. Një grup studentësh u vendosën para kryeministrisë duke protestuar. Ata këndojnë “ejani mblidhuni këtu, këtu” dhe ndezën tymuese.

Bojkoti i mësimeve

Protesta e studentëve dje ishte përqendruar kryesisht brenda fakulteteve. Bojkoti i mësimit vijoi duke nxjerrë në korridore bankat dhe karriget. Nëpër korridoret e godinës së fakultetit nxorën karriget dhe tavolinat. “Një nga problemet nuk kemi karrige për auditorët dhe detyrohemi të marrim nga sallat e tjera. Është diçka minimale që ne nuk e kemi në universitetin tonë,” thotë një studente. Ata tregojnë se protestën do e zhvendosin në universitete. “Do zhvendosim protestën me aksione të ndryshme në universitetin tonë. Do lexojmë libra, do shohim filma por do të vijojmë të bojkotojmë mësimin deri në plotësimin e kërkesave”. Studentja thotë se qeveria në radhë të parë duhet të rrisë buxhetin. “Ku do gjenden fondet, nëse nuk rritet buxheti i arsimit për të mbuluar shpenzimet e tjera “. Me megafon dhe të ulur nëpër korridore, ata kanë përsëritur kërkesat e tyre. Ndërkohë disa studentë zgjodhën të shkojnë në mësim me frikën se u digjet viti akademik.

Shfuqizimi i ligjit “Për Arsimin e Lartë”

Të tjerë sfiduan shiun dhe marshuan drejt MAS ku apeluan për zgjidhjen e kërkesave dhe ndezën tymuese. Aty dorëzuan dhe platformën që në thelb parashikon zgjidhjen e kërkesave brenda afateve më të shpejta. Synimet kryesore janë shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë dhe rritja e menjëhershme e investimeve në universitete. Nga ana e saj MAS u ka tërhequr vëmendjen sekretarive pranë universiteteve, të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët që përfitojnë nga përgjysmimi i tarifave dhe bursat.

Studentët e Universitetit Politeknik përballen me Dekanin, i cili nuk u hap telefonin

Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës janë përballur me Dekanin Jorgaq Cakani në korridor. Në mënyrë simbolike studentët kanë tentuar të nxjerrin karrige e tryeza në korridore për të shprehur bojkotin që po i bëjnë fakultetit. Ata janë ndaluar nga rojet private për të bërë këtë gjë. Më pas janë përballur dhe me dekanin e fakultetit, të cilit i kanë kërkuar shpjegime në lidhje me mos hapjen e telefonit prej tij një ditë më parë. Dekani shfajësohet duke thënë se nuk e ka parë dhe largohet duke buzëqeshur.

Në universitetin e Elbasanit iu bëhet presion pedagogëve: Kemi urdhër nga lart!

Vijojnë presionet në Universitete ndaj studentëve dhe pedagogeve, në mënyrë që të shuhet protesta që vijon prej afro 1 muaji. Tashmë mungesa për mos vajtjen në mësim nuk po marrin vetëm studentët, por edhe pedagogët. Në Universitetin e Elbasanit, sekretarët e departamenteve për çdo orë janë shfaqur në klasa për të parë prezencën e pedagogëve duke mbajtur shënime. Kjo situatë ka shqetësuar këta të fundit, të cilët shprehen në kofidencialitet, se një sjellje e tillë nuk është normale. Sipas tyre, janë porositur nga lart. Ndërkohë numri i studentëve që janë ulur në auditorë dje është më i lartë se një ditë më parë, megjithëse ka ende studentë që vijojnë bojkotin e mësimit.

Studentët e Infermierisë i përgjigjen ‘arrogancës’ së dekanes Çina

Ndërkohë që vijon protesta e studentëve në të gjitha fakultetet e vendit, dekania e Fakultetit të Mjekësisë Tatiana Çina, i ka kthyer përgjigje një shkrese të studentëve. Në përgjigjen e dhënë për ta dekania shprehet se shumica e kërkesave të bëra prej tyre nuk janë kompetencë e Universitetit, por e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë. Studentët në një denoncim e cilësojnë tejet arrogante sjelljen e Çinës, duke shtuar se ata ishin të parët që nisën protestat.

Denoncimi i studentëve:

Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ka vendosur që të refuzojë të gjitha kërkesat e bëra nga studentët. Por nuk mjafton vetëm këtu arroganca e dekanes Tatiana Çina. Pasi refuzon të gjitha kërkesat e bëra në fund të dy-fletësisht të saj, dekania shkruan se çdo student është i lirë të zgjedhë Fakultetin dhe degën që dëshiron. Studentët e mjekësisë ishin ndër të parët dhe më të shumtët që dolën në protesta. Më poshtë keni edhe përgjigjen e dekanes Tatiana Çina.

A mund të vini të jetoni një ditë në këto kushte z. Kryeministër?

Ndërsa u bë zhurmë për ndërhyrjen në restaurimin e konvikteve në Qytetin Studenti, gjendja paraqitet tejet e rëndë edhe në godinat studentore në rrethe. Ndër to janë edhe ato të Shkodrës, ku banjot pa dyer, dhomat me lagështirë e krevatet e prishur, janë panorama që paraqet realitetin e zymtë. Studentët e Shkodrës, edhe dje kanë dalë, ndonëse reshjet intensive të borës kishin zbardhur të gjithë qytetin, dhe kanë kyçur në shenjë proteste universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Në një denoncim tregohet me foto dhe video, gjendja e keqe në të cilën ndodhen godinat e konvikteve në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë, ndryshe Kryeqendra e Veriut. “ Doja që në protestë të theksohen kushtet këtu në konviktin e Shkodrës, sepse sinqerisht po vuajmë, nuk kemi kaldaja për t’u ngrohur, kur lahemi banjot dhe korridoret të duken si frigoriferë, aq ftohtë kemi. Ne që jemi në konvikte paguajmë 400 mijë lekë të vjetra, jemi 4 persona në një dhomë aty hamë bukë, flemë, mësojmë. Ti z. Kryeministër mjaft u talle me ne studentet hallexhinj. Epo vet ti Z. Kryeministër a mund të vini të jetoni një ditë në këto kushte, se për muaj e vite siç jetojmë ne as që bëhet fjalë ta provoni”. Studentët janë shprehur të vendosur se përkundër kërcënimeve, presioneve të ndryshme ndaj tyre dhe prindërve të tyre, sërish kauzës së tyre do i shkojnë deri në fund. Për ta plotësimi i kërkesave të tyre është jetik.

SKANDALI/ Polici hyn në Fakultetit, në mënyrë të paligjshme dhe filmon studentët

Dy ditët e fundit është parë një prani mjaft e madhe e punonjësve të policisë në mjediset e fakulteteve, gjë e cila përbën shkelje të ligjit. Dje policët u futën edhe brenda fakulteteve, bënin patrullë nëpër korridoret e fakulteteve, madje ka edhe video, ku policë filmonin studentët protestues. Këto metoda të Policisë së Shtetit në korridoret e fakulteteve të kujtojnë metodat e gestapos.

Studentët publikojnë platformën e tyre: Të shfuqizohet edhe ligji për Arsimin e Lartë

Studentët, dje kanë publikuar dhe platformën e tyre me kërkesat drejtuar qeverisë. Aty, studentët kanë rishkruar kërkesat e tyre, por edhe kanë shtuar disa kërkesa të tjera, ku një ndër to është dhe shfuqizimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Në këtë platformë studentët theksojnë se nuk do të pranohet asnjë person që mund të jetë jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë. ‘Çdo grup pune nga studentët që do të ngrihet do të jetë me votë legjitime nga pjesëmarrja e minimalisht 70% e studentëve për Fakultet! Dhe nuk do pranohet asnjë student qe mund të jetë jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë. Çdo pjesëtar i çdo grupi pune, është i detyruar të largohet nga strukturat politike dhe jopolitike në rast se zgjidhet në një grup pune studentor.’

Platforma e integruar e këshillave studentore për universitetin

Synimet kryesore të lëvizjes studentore janë Shfuqizimi i ‘Ligjit te Arsimit të Lartë’ dhe rritja e menjëhershme e investimeve në arsimin e lartë, duke rritur peshën që zë në PBB. Ligji aktual i Arsimit të Lartë duhet të shfuqizohet menjëherë pasi: Krijon një pabarazi të theksuar në mundësie për të ndjekur arsimin e lartë, duke e kthyer këtë të fundit në privilegj dhe jo në të drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët, pavarësisht racës, etnisë, përkatësisë fetare apo statusit social. Kufizon autonominë universitare në kundërshtim me parimin e lirisë akademike të vendosur në Nenin 57 të Kushtetutës. Minimizon deri në zerim të plotë, rolin e studentëve në jetën akademike, administrative dhe financiare të universiteteve. Ajo çfarë ka ofruar Kryeministri Rama në lidhje me kërkesat e studentëve është absolutisht jo serioze dhe paketa e tij për zgjidhje, nuk bën gjë tjetër vetëm se thellon edhe më tej situatën e krizës në arsimin e lartë si dhe krijon konfuzion të mëtejshëm tek studentët.