Strategjia, Rama: Kufijtë, vijë e pakalueshme për kriminelët

496
Sigal

TIRANE –  Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri prezantuan Strategjinë për Menaxhimin e sigurisë kufitare 2014-2020. Për kryeministrin Rama bashkëveprimi i 17 institucioneve në këtë strategji do të prodhojë një kufi më të sigurt për Shqipërinë dhe për hapsirën e BE-s ku Shqipëria kërkon të integrohet, u shpreh Rama. Ndërsa për ministrin e Brendshëm kjo strategji nuk do mbetet vetem në letra, por me 69 objektiva dhe 636 masa konkrete, gjithçka do të jetë e përfunduar brenda afateve.

“Kjo strategji, duke identifikuar të gjitha forcat e përfshira në këtë përpjekje, nënvizon sesa kompleks është menaxhimi i kufirit, dhe çfarë sfide është kjo. Nëse sot synojmë të bashkërendojmë punën dhe të bëjmë një sukses përmes 17 institucionesh të ndryshme, deri më sot puna e institucioneve të ndryshme në kufi, është bërë tërësisht e pavarur në kuptimin më të keq të fjalës. Duke u bërë përçues i një presioni burokratik dhe abuzimi që ka çuar në desintegrimin e veprimtarisë së shtetit. Me autoritete që abuzonin me të drejtën për të kontrolluar. Praktikisht kufiri është sot një sfidë për tu kapërcyer duke transformuar në një kufi që ekziston më shumë për qytetarët dhe sipërmarrësit, sesa për abuzuesit dhe kriminelët, ta kthejmë në një hapësirë mundësish për qytetarët dhe vijë të pakalueshme për kriminelët”, u shpreh kryeministri Rama.

“Siguria përbën prioritetin kyç të qeverisë sonë në kushtet kur vendi ynë ka nevojë të vazhdueshme për sigurinë në të gjitha aspektet. Padyshim në kantierin e madh të reformave që njëra pas tjetrës hyjnë në fazën e konceptimit dhe pastaj të jetësimit të tyre, rishikimi i strategjisë së sigurisë kombëtare, që shoqërohet me një sërë ndërhyrjesh të cilat ka kohë që u ka ardhur koha, dhe pjesa e saj që ka të bëjë me menazhimin e integruar të kufirit, është një domosdoshmëri. Fundi i shekullit të kaluar shënoi një ndryshim epokal edhe sa i përket kufijve”, u shpreh kryeministri Rama.

Të pranishëm në ceremoninë në Hotel Rogner dhe  ambasadorë të akredituar në Shqipëri.