Sterjo Spasse – Një dhe i pandarë

619
Sigal

Ilir META, President i Republikës së Shqipërisë

Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium, që vlerëson dhe nderon jetën e veprën e intelektualit dhe shkrimtarit të madh Sterjo Spasse dhe i përgëzoj sinqerisht dy institucionet organizatore, Universitetin “Fan S. Noli” dhe shoqatën maqedonase “SONCE”. Shqipëria ka gjithmonë nevojë të evidentojë përherë e më shumë dhe të vlerësojë personalitetet e artit, kulturës, shkencës, të cilët nëpërmjet veprimtarisë së tyre kanë kapërcyer të zakonshmen dhe të përditshmen. Sterjo Spasse është pikërisht një personalitet i tillë. Ai mbetet shkrimtari, publicisti qytetar e intelektual, i cili ka krijuar vëllimin e vet historik dhe bën pjesë në ato figura që i ka dhënë historisë cilësime të veçanta dhe ka marrë prej saj figurën e paharrueshme të një personaliteti gjurmëlënës. Sterjo Spasse, për nga vlera e krijimtarisë së tij letrare dhe shoqërore mbetet personaliteti me integritet dhe individualitet, me sqimë dhe cilësi mjaft të larta. Romani i tij i famshëm “PSE…?!” paralajmëroi krijimin e një letërsie moderne në Shqipëri ndërsa kauza e madhe nëpërmjet kësaj vepre të jashtëzakonshme mbetet preludi i subjektit të çlirimit shoqëror me romanin “Ata nuk ishin vetëm”. Vepra dhe veprimtaria e tij letrare e ka burimin në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare dhe ku spikatin virtytet themelore të popullit tonë, që ai, mjeshtërisht i ngriti në vlera arti, nëpërmjet një gjuhë të thjeshtë dhe të pasur dhe nëpërmjet një mendimi të thellë dhe mesazheve të rëndësishme ideore. Figura e Sterjo Spasses mishëron jo vetëm intelektualin dhe shkrimtarin e spikatur të vendit tonë, por edhe një figurë të pakrahasueshme në nivel ballkanik dhe evropian. Si bir i shquar i komuniteti maqedonas, Sterjo Spsase u bë frymëzimi dhe ura lidhëse shpirtërore e bashkëpunimit të shqiptarëve dhe maqedonasve . Jeta, aktiviteti dhe vera e këtij personaliteti të veçantë dhe të shquar është simbioza e përsosur dhe harmonike brenda një njeriu të të dy shoqërive apo popujve në dobi të harmonisë dhe dashurisë. Ky element spikati veçanërisht në romanet e tij të famshëm ‘Zgjimi’ dhe ‘Pishtarët’, që konsiderohen me të drejtë burimi i thellësive ende të pa eksplorueshme të ndërkomunikimit ballkanik. Sterjo Spasse përbën një shembull ekstremisht të gjallë, që u mëson sot politikës, politikanëve dhe shoqërisë se kufijtë nuk duhen shfrytëzuar për ndarje, por si një mundësi për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshme nga pikëpamja njerëzore, intelektuale, kulturore dhe ekonomike. Sterjo Spasse ishte edhe humanist i madh. Respekti dhe dashuria e tij për origjinën, e gërshetuar me mjedisin e kultivimit të tij intelektual e bënë atë jo vetëm një njeri të respektuar, por edhe shembull për brezat pasardhës të krijuesve. Ai studioi në Elbasan e në Korçë, dy qytetet më të shquara në fushën e arsimit. Punoi dhe dashuroi arsimin në këto qytete, jetoi dhe bashkëpunoi me njerëzit më të ndritur të kulturës sonë kombëtare të kohës dhe u bë protagonist i ajkës së kësaj kulture duke u bërë njëkohësisht proverbial më shumë tituj librash dhe përkufizimesh në romanet e tij epope. Ndaj unë kam vendosur që këtij intelektuali të shquar t’i akordoj sot, në këtë simpozium që mblidhet për nder të tij dhe në qytetin e Korçës, që ai aq shumë e deshi dhe e gdhendi në romanet e tij, titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. E përjetshme vepra e tij! Sterjo Spasse do të mbetet gjithmonë një dhe i pandarë!”

boks

Presidenti Meta vlerëson figurën e Sterjo Spasses me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti Meta ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, shkrimtarin e mirënjohur Sterjo Spasse, “Në vlerësim të veprës së shquar në letërsinë shqipe, duke frymëzuar me punën e tij vlerat e larta të dinjitetit njerëzor, qytetar, shoqëror e kombëtar. Për veprimtarinë e tij të spikatur edukative dhe intelektuale, rolin e vyer dhe kontributin e tij etno-kulturor në vendin tonë”. Ky dekorim (pas vdekjes) u bë në simpoziumin e mbledhur për nder të autorit të shquar në qytetin e Korçës, në praninë edhe të familjarëve të shkrimtarit Sterjo Spasse.

Presidenti i Diasporës Maqedonase në SHBA vlerëson Presidentin Meta: E dëshmon me vepra, se respekton popullin maqedonas

Simpoziumin shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës letrare të Sterjo Spasses”, që u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, e përshëndeti edhe amerikano-maqedonasi, George Xhorxh Atanasoski, President i Diasporës Maqedonase në SHBA. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në këtë veprimtarit, z. Atanasoski përmes një letre i është drejtuar të pranishmëve, duke vlerësuar kontributin e madh të Sterjo Spasses në fushën e letërsisë. “Më vjen keq, që për arsye familjare pengohem të vij sot në Universitetin ‘Fan Noli’ në Korçë, për të cilën ju kërkoj falje të gjithë të pranishmëve. Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët më të suksesshëm në Shqipëri me origjinë maqedonase. Duke krijuar në gjuhën shqipe, Spasse mbeti krenar për origjinën e tij maqedonase. Madhështia e tij si njeri dhe si krijues, lidh bashkë popullin shqiptar dhe popullin maqedonas. Unë jam krenar për mikun tim Vasil Sterjovski i cili, si kryetar i Shoqatës maqedonase “Sonce” pa lodhur drejton luftën për një jetë më të mirë dhe të drejta për vëllezërit dhe motrat maqedonas që jetojnë atje”, shkruante në letrën e tij z. Atanasoski, teksa falënderoi veçanërisht Presidentin Meta për respektin që tregon ndaj popullit maqedonas. “Në fund, do të doja të përshëndesja veçanërisht mikun tim të sinqertë, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili me vepra dëshmon, se me të vërtetë e respekton popullin maqedonas”.

Presidenti Meta dekoron legjendat e sportit korçar

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar në një ceremoni të veçantë në qytetin Korçës disa nga legjendat e sportit të këtij qyteti edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit “Skënderbeu” në të gjitha disiplinat.

Presidenti Meta: Sportistët e “Skënderbeut”, shembull suksesi në sport dhe jetë

“Në “Parisin e vogël”, Korçën e serenatave, dashurisë, qytetarisë, arsimit dhe atdhedashurisë, pata nderin të vlerësoja sot disa nga legjendat e sportit korçar por edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit “Skënderbeu” në të gjitha disiplinat: futbollistin e shkëlqyer e të papërsëritshëm Teodor Vaso; golashënuesin e shquar Dhimitraq Xhambazi; portierin e “ajrit” Koço Dinella; trajnerin e papërtuar të atleteve shqiptare, Piro Kasati; kampionen e dimensioneve evropiane dhe “mbretëreshën” e atletikës Pavlina Evro; simbolin e volejbollit shqiptar Tamara Nikolla dhe basketbollisten e jashtëzakonshme ,Zamira Koleci.
Shembulli i tyre është frymëzues për fëmijët e të rinjtë për të arritur rezultate të larta dhe për të qenë të suksesshëm, jo vetëm në sport, por edhe në jetë.”