Statusi i Dëshmorit të Atdheut, ja kategoritë e reja që përfitojnë

579
Vandalizmi në Ditën e Dëshmorëve, historianët: Shqiptarët merren me të kaluarën, jo me të ardhmen
Qeveria ka hartuar një draft të ri për ligjin e statusit të dëshmorit të atdheut, i cili tashmë është publikuar dhe është në fazën e konsultimit me publikun. 
Ja kush fiton statusin e dëshmorit
Krahas të rënëve, që kanë marrë pjesë në luftërat e ndryshme në mbrojtje të atdheut, apo atyre që kanë rënë për çlirimin e Kosovës, siç përcakton ligji i vitit 2000, statusi mund t’u jepet edhe shtetasve që kanë rënë për të drejtat kombëtare në konflikte etnike të zhvilluara në Ballkan. Po ashtu statusi mund t’u jepet edhe shtetasve shqiptarë që humbasin jetën në misione të mbrojtjes së paqes së popujve të tjerë; ata që humbasin jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e pasurisë publike nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore; të vrarët në tubime paqësore dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor pas datës 8 dhjetor 1990; ata që humbasin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore; shqiptarët që vriten nga elementë antishqiptarë në mbrojtje të flamurit dhe simboleve kombëtare; shtetasit e huaj pjesë e NATO-s që humbasin jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë; si dhe ekuipazhet që bien në krye të detyrës gjatë fluturimit.

Vlera e shpërblimit për familjet e dëshmorëve
Teksa vlera e shpërblimit financiar mujor për familjet e Dëshmorëve të Atdheut do të vijojë të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ligji përcakton rastet se kur familjarët mund ta përfitojnë këtë pension. Kështu, shpërblimi merret nga bashkëshortja dhe fëmijët nën 18 vjeç. Fëmijët mund të përfitojnë shpërblimin deri në moshën 25 vjeç kur kryejnë studimet e larta. Pension përfitojnë gjithashtu prindërit bashkëjetues, ose personat në kujdestari të dëshmorit të atdheut, sipas certifikatës familjare në çastin e vdekjes. Ligji i ri përcakton se shpërblimi ndërpritet, kur asnjëri nga familjarët nuk i plotëson më kushtet e mësipërme dhe kur bashkëshortja e ve martohet përsëri. Në rast të miratimit të këtij ligji, ai do të shfuqizojë ligjin e vjetër, por thekson se dekretet për shpalljen dëshmor para këtij ligji nuk do të jenë objekt rishikimi.
Sigal