Standartet e shumëfishta të Vetingut/ ONM “justifikon” veten, duke sulmuar KPK

340
Sigal

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka kritikuar ashpër praktikën e ndjekur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të disa gjyqtarëve e prokurorëve, duke vendosur si masë “penalizuese” vetëm dërgimin e çështjeve të caktuara të tyre për inspektim.

Operacioni monitorues ka përdorur rekomandimin që i ka drejtuar Komisionerit Publik për shkarkimin e gjyqtares Alkelina Gazidedja, e konfirmuar më herët nga shkalla e parë e Vetingut, për të artikuluar pakënaqësitë e tij me vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sipas ONM-së, “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk duhet të përdorë përcjelljen e rasteve për inspektim si një mënyrë për t’iu larguar përgjegjësisë së saj për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Kritika, ndoshta e drejtë, është gjithësesi në mënyrë shproporcionale, tej hapësirës që u lejon Kushtetuta dhe ligji vëzhguesve të huaj dhe, për më tepër, nuk mund të shërbejë si argument për të larguar përgjegjësinë e ONM-së nga standartet e shumëfishta dhe pikëpyetjet mbi procesin e Vetingut.

Kritikë e vonuar
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbajti një qëndrim kritik mbi punën e organeve të Vetingut, pas 3 vitesh procesi të rrëmujshëm, me standarte jo-normale dhe dyshimet për përdorim politik të institucioneve të rivlerësimit.

Por, edhe këtë kritikë, ONM nuk e ka për çështje thelbësore.

Po ashtu, edhe një pjesë e medias, si edhe aktorë e faktorë me peshë të jetës publike.

Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka zgjedhur heshtjen dhe, për më tepër, nuk ka reaguar as kur kishte situata specifike që kërkohej qëndrimi i saj.

ONM nuk pati asnjë lloj reagimi, kur KPK, në një situatë tërësisht të ngjashme, konfirmoi në detyrë Arta Markun, e cila mbante postin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në kohën kur iu krye Vetingu.

Përfaqësuesi i ONM-së në atë seancë dëgjimore deklaroi se “Arta Marku kishte mungesë lidershipi”, referuar menaxhimit prej saj të Prokurorisë, si edhe identifikoi probleme në vendimmarrjen e saj si prokurore e thjeshtë.

Por, Marku u konfirmua në detyrë, ndërkohë që ONM nuk e vlerësoi në atë kohë që të rekomandonte shkarkimin e zyrtares që u zgjodh Kryeprokurore në mënyrë anti-kushtetuese nga shumica socialiste e Edi Ramës.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit qëndroi gjithashtu i heshtur, kur KPK konfirmoi në detyrë ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili kishte “harruar” 100 milionë lekë (të vjetra) pa deklaruar.

Vëzhguesi i zhurmshëm i ONM-së, Teo Jacobs dhe kolegët e tij të misionit ndërkombëtar, nuk panë asgjë të pazakontë në mënyrë “spektakolare” q ëish-drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, kishte shumëfishuar pasurinë e saj.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbajti “heshtje peshku”, kur strukturat e Vetingut konfirmuan në detyrë, një pas një, të gjithë gjyqtarët e prokurorët që kishin qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit apo që kishin marrë pjesë në procese gjyqësore politike, pavarësisht se një listë emërore iu përcoll vëzhguesve ndërkombëtarë nga Shoqata e të Përndjekurve Politikë.

Nga ana tjetër, ONM nuk pati asnjë pikëpyetje mbi vendimmarrjen e organeve të Vetingut për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve e prokurorëve të caktuar, të njohur gjerësisht për integritetin e tyre moral dhe profesional.

Tejkalim ligjor
Kushtetuta dhe ligji shqiptar i Vetingut u ka dhënë hapësira të zgjeruara vëzhguesve ndërkombëtarë për të marrë pjesë në procesin e rivlerësimit.

Megjithatë, ligji është kujdesur që të caktojë qartësisht se vëzhguesit ndërkombëtarë japin komente, opinione, bëjnë kërkime, pyetje dhe çdo gjë tjetër të nevojshme, vetëm për subjektet, ku ata janë caktuar për të ndjekur procesin.

E thënë më ndryshe, ligji shqiptar nuk u jep të drejtën Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që të japin opinione përgjithësuese, siç kanë vepruar në rastin konkret.

Shmangie përgjegjësie?
Qëndrimi kritik, i shprehur së fundmi nga ONM, duket se është sintezë e rasteve problematike që vëzhguesit ndërkombëtarë mund të kenë konstatuar jo vetëm në pjesën e dukshme, por sidomos në pjesën e padukshme të veprimtarisë së strukturave të Vetingut, sidomos asaj të shkallës së parë.

Ligji u ka dhënë hapësirën për të iniciuar procedime disiplinore ndaj komisionerëve, për të cilët ata vlerësojnë se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Por, ONM vendosi të reagojë me qëndrime deklarative, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e vërteta të qëndrimit të saj kritik.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka refuzuar në mënyrë kategorike iniciimin e procedurave disiplinore mbi komisionerë, kur ka pasur raste dhe fakte të përfshirjes së tyre në situata konflikti interesi apo nën dyshime për falsifikim dokumentash.

Në rastin konkret, shumëkujt mund t’i krijohet përshtypja se vëzhguesit e ONM-së duhet të kenë zbuluar praktika korruptive në radhët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kanë përcjellë këtë “mesazh” përgjithësues për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Nëse është kjo e fundit, vëzhguesit e ONM-së do t’i bënin nder të madh shoqërisë shqiptare, nëse i referonin rastet në organet kompetente.

Por, reagimi kritik i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit duket se është një shmangie nga përgjegjësia për procesin e rrëmujshëm dhe me shumë standarte të Vetingut, për të cilën edhe misioni i huaj është po aq fajtor, sa strukturat shqiptare të rivlerësimit.

Boldnews.al