Afera 100 mln euro e koncesionit të “Sterilizimit”, ku firma kishte vetëm 1 puntor me profesion murator dhe 8 mijë euro kapital. SPAK zgjat paraburgimin për ish-zv.ministrin dhe biznesmenin Rapaj, ndërsa firmëtari i PPP dhe kapoja i ministrisë është jashtë burgut. Ja si e argumentonte komisioni i tenderimit vendimin prej 46 faqesh
Afera 100 mln euro e ‘Sterilizimit’, SPAK zgjat paraburgimin për ish zv.ministrin dhe biznesmenin Ilir Rapaj, Beqaj firmëtari në liri
/Telegraf.al/ GJKKO ka vendosur zgjatjen e afatit të paraburgimit për Klodian Rrjepaj, Ilir Rapaj, Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, të katërt të arrestuar për koncesionin e sterilizimit. GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar zgjatjen e afatit të paraburgimit me tre muaj. Aktualisht, në burg, me masë arresti burg e në kërkim dhe në arrest shtëpie, janë 2 ish-ministra, 1 ish-kryeministër, 3 ish-sekretarë të shëndetësisë, mjedisit e financave dhe 4 krye bashkiakë. Akuzat e SPAK ndaj tyre, janë të njëjta me akuzat e ish-ministrit Ilir Beqaj për “Shpërdorim detyre”, ngaqë siç thuhet në dosje, kanë firmosur procedura tenderësh me favorizime kriteresh. Por SPAK, pas 3 vitesh bllokim e vërdallisje hetimesh, vendosi që 7 zyrtarë të Shëndetësisë të vihen në arrest shtëpie e detyrim paraqitje; zv/ministri Klodjan Rrjepaj e koncesionari Ilir Rrapaj të arrestohen, ndërsa Ilir Beqaj, i faktuar si “koka” i koncesionit, të mos përfshihej në dosjen penale.
Përse nuk po arrestohet Ilir Beqaj?!
Zërat përflasin se një nga arsyet mund të jetë se ish-ministri ka në përgjime koka të mëdha të qeverisë lidhur me aferën dhe nëse dalin zbuluar do trondisin themele më të forta se deklaratat e Arben Ahmetaj.
Biznesmeni Ilir Rrapaj është në burg që prej muajt gusht 2023, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të “Mashtrim”, me pasoja të rënda. Rrapaj, ishte emigrant në Peruxha të Italisë ku zotëronte një firmë me vetëm një punëtor, por u kthye në Tiranë pas fitores së Partisë Socialiste ku fitoi kontratën koncesionare 100 milionë euro. Ja vijimi i skandalit:
Investimi i Rrapajt nëpërmjet Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.
Më datën 4 maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë. Sipas “Action Laundry” përllogaritet që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.Kompania me qendër në Durrës pretendon se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë (17.8 milionë euro).
Më 8 qershor, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga Action Laundry ka paraqitur një ankesë në KPP duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga Servizi Italia S.p.a.Me datë 22 qershor, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e Action Laundry dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.
Anëtarët e KPP në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se:…
“Në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…” Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.
Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.
Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.
Sipas “Action Laundry,” rivlerësimi i dytë i pikëve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë sërish i pasaktë dhe i dyshimtë, pasi pikët akorduar konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia janë rritur ndjeshëm. “Konkretisht në rivlerësimin e dërguar, oferta e shoqërisë “Servizi Italia” SPA rezulton përsëri e renditur në vendin e parë, por nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e mëparshëm, tani çuditërisht është vlerësuar me 91.03 pike,” Action Laundry i tha BIRN.
“KVO-ja ka gabuar në vlerësimin me pikë të ofertës tonë, e cila rezulton të jetë oferta fituese e procedurës, sepse në finale shoqëria jonë për të njëjtin shërbim të kërkuar nga Autoriteti Kontraktor ka ofruar vlerën 753.500.000 lekë, ndërkohë që shoqëria ” Servizi Italia” SPA ka ofruar vlerën 1.003.780.000 leke,” -shtoi ajo. Action Laundry gjithashtu nënvizon që oferta e konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia për një periudhë 10-vjeçare tejkalon dhe fondit limit prej 9.6 miliardë lekësh. E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë pretendimet e “Action Laundry” si të pavërteta. “Nuk është e vërtetë që oferta e “Servizi Italia” është mbi fondin limit. Këtë spekulim, e ka bërë konkurrenti tjetër, i cili ka vendosur në mënyrë arbitrare volumet vjetore të çdo grupndarjeje të llojit të ndërhyrjes kirurgjikale,”- tha Ministria në një përgjigje me postë elektronike.
“As në realitetin e shërbimit kirurgjikal në Shqipëri, dhe as në dokumentat e tenderit të garës së koncensionit nuk ekziston e dhëna se realizohen çdo vit 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale me intesitet të lartë. Në realitet, ndërhyrjet me intesitet të lartë janë disa herë më pak. Rritja artificiale e volumit të grupndërhyrjeve me çmim të lartë për njësi është kryekëput e pasaktë,”- shtoi ajo. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë konkurrenti që është ankuar, ka “shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materialeve mjekësore njëpërdorimëshe të ofertës fituese.” Ajo shtoi që vlera prej 1 miliardë lekë që pretendohet se është kosto vjetore e shërbimit të ofruar nga Servizi Italia është e pavërtetë, por nuk saktësoi se cila është kosto e këtij shërbimi. Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k. Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.