Spartak Topollaj, diplomat: Shqipëria vendi më i varfër, po drejtohet nga një Kryeministër delirant që vuan nga madheshtia dhe protagonnizmi

512
Sigal

Spartak Topollaj, diplomat

Diplomacia shqiptare e këtyre 8 viteve, ka qenë margjinale dhe e përqëndruar vetëm në duart e atij, që edhe pse s’e ka thënë kurrë, atë që thosh Luigji i XIV : L’ETAT C’EST MOI – SHTETI JAM UNË, e zbaton më mirë se ai!

Rama, kryeministër i vendit më të varfër, por i sëmurë nga deliri i madhështisë dhe i protagonizmit!

Gazeta Telegraf

Mbetet ende “mister” pse kryeministri Rama shkarkoi në fundviti ministrin e Jashtëm të komanduar dhe emëroi në atë post një person pa përvojë diplomatike, ndërkohë që në vizitat e këtyre ditëve në Ankara dhe Athinë nuk e mori as me vete. Diplomati Spartak Topollaj, i pyetur në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se emërimi i Olta Xhaçkës ministre e Jashtme, është i njëjti me atë të Cakës. Diplomati Topollaj, thotë se kritikat e kryeministrit Rama ndaj Bashkimit Europian nga mesi i Anadollit Aziatik, është non sens, por edhe tregues i sëmundjes së Ramës nga deliri i madhështisë. Diplomati Topollaj e quan lajthitje pretendimin e Mimi Kodhelit, ish- ministre e Mbrojtjes, se Italia dhe Greqia do të mbrojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë, ndërkohë që fqinjët modernizojnë ushtritë e tyre. Diplomati Topollaj e quan akt të rëndë antikushtetues nga kryeministri Rama anashkalimit të Presidentit të Republikës për marrëveshjen e Detit me Greqinë.

Po ashtu, të quash sukses kryesimin e OSBE-së , siç bën Rama, në rastin më të mirë do të thotë të bësh naivin. Tre vizita, në Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi pa asnjë rezultat, jo që nuk përbëjnë asnjë sukses, por përkundrazi, dështim

-Zoti Topollaj, çfarë domethënie ka kritika e kryeministrit Rama nga Ankaraja kundër Bashkimit Europian, ndërkohë, që shqiptarët mezi presin që Shqipëria të integrohet në BE?

– E thënë thjeshtë, të kritikosh Bashkimin Europian nga Ankaraja, pra nga mesi i Anadollit Aziatik, nga çdo pikpamje, politiko – diplomatike, është një non sens për një Kryeministër, aq më tepër i një vendi të vogël dhe që aspiron t’i hapen negociatat për pranim në këtë Institucion Gjigand kontinental! Me gjuhën popullore, mund të themi se, Europës së Bashkuar prej shumë dekadash, nuk i flitet nga maja e fikut, apo edhe më keq akoma, si e ëma e Zeqos, në majë të thanës !!!… Dihet, se më 1957 me Traktatin e Romës, u themelua Komuniteti Ekonomik Europian , apo “Tregu i Përbashkët” nga gjashtë shtete: Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu . Në 1973, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Danimarka dhe Republika e Irlandës, ndërsa më ‘81 Greqia. Më ‘86, Portugalia me Spanjën dhe më ‘95 Austria, Finlanda dhe Suedia. Më 2005, Qipro, Estonia, Lituania, Letonia, Malta, Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria. Më 2007 Bullgaria me Rumaninë dhe e fundit , më 2013 Kroacia! Më 31 Janar 2020, Britania e Madhe del prej BE! Lista e burrështetasve të mëdhenj që ideuan dhe punuan për themelimin e BE është e gjatë, mbi 20, por ne po përmendim disa më të shquarit: Adenauer, De Gasperi, Shuman, Çërçill dhe Pol Anri Spak! Më pas edhe Miteran e Kohl! Tani, të ngrihesh e të kritikosh BE-në nga Anadolli aziatik, as më shumë e as më pak, do të thotë të jesh i sëmurë nga deliri i madhështisë dhe i protagonizmit! Konkluzionet , i nxjerr lehtësisht kushdo, që do të kuptojë se siguria e Ramës, se ne do të na hapeshin negociatat, kur hymë në vitin e tetë dhe të fundit të qeverisjes ‘rilindase’, rezultoi thjeshtë një blof! Europa, sidomos Bundestagu gjerman, me Merkelin, kërkon plotësimin e 15 kushteve, pa plotësimin e të të cilave, duhet t’a harrojë Rama, se mund të tolerohemi! Turqia 83 milionëshe, fuqi e madhe ushtarake në NATO, por edhe ekonomike, nga ku gjen të sulmojë Europën kryeministri i Shqipërisë, ka vite e vite që negocion për vete dhe duket e largët ajo ditë për të, (kuptohet, aspak e lidhur me religjionin islamik, por me autokratizmin, deri gati në despotizëm të Sulltanit neootomanist Erdoan, vëlla i të krishterit Rama, kryeministri i yni, që do të mundej t’i hapeshin dyert e Europës )?!!!… Shqiptarët, mezi e presin hapjen e negociatave, të cilës iu afruan aq shumë, nën Qeverisjen Berisha , kur po kjo Europë iu dha të drejtë të udhëtojnë pa viza dhe na pranoi bashkë me SHBA, në NATO dhe që kjo Mazhorancë, aso kohe e bllokoi me mos votimin në Parlament, ndaj duket hipokrizi sot, e aq më tepër e papranueshme të fajësosh Europën, madje për turp, të akuzosh shtete të veçanta, si Holanda, se refuzimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë është rezultat luftrash të brendshme politike, në prag Zgjedhjesh, çka nuk rezultoi për Maqedoninë e Veriut!

Anashkalimi i Presidentit Meta, në një çështje kaq të madhe dhe kardinale, si kjo e 12 miljeve të Detit që homologia greke, Ekaterini Saqeralopulu e dekretoi menjëherë, është një akt i rëndë dhe antikushtetues i Kryeministrit Rama

Ecejaket e kryeministrit Rama në Ankara dhe Athinë, (kemi parasysh dekretin e Presidentes greke për zgjerimin e Detit në 12 milje në kufirin me Shqipërinë) a janë tregues i pazareve diplomatike, ndërkohë që nuk ka informuar as Presidentin e Shqipërisë, siç e detyron edhe Kushtetuta e Shqipërisë?

– Është e dyta herë, që ndodh kjo me Ramën dhe më duhet të them, se nuk mund të falesh në të njëjtën kohë edhe në xhami edhe në kishë, aq më tepër që Jezu Krishtin nga Profeti Muhamet e ndanin plot 570 vite! Kjo të kujton historinë që tregohet në shekuj, për një djalë që vendosi të konvertohet në mysliman, duke braktisur fenë e krishterë dhe që prindërit e lutën të mos e bënte këtë, por ai nuk i dëgjoi dhe i hyri aventurës . Rrugës, teksa i afrohej Mekës e Medinës, e vrasin dhe kur lajmi mbërriti në shtëpinë e tij, të shkretët prindër, s’dinin si ta qanin, por atyre që i pyesnin se si ndodhi, ata i iu përgjigjeshin se, i biri, me Krishtin u nda dhe me Muhametin nuk u takua! Kurrë nuk kanë patur sukses, ata politikanë që kanë dashur të ulen në dy karrike! Po ashtu, të quash sukses kryesimin e OSBE-së , siç bën Rama, në rastin më të mirë do të thotë të bësh naivin. Tre vizita, në Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi pa asnjë rezultat, jo që nuk përbëjnë asnjë sukses, por përkundrazi, dështim me sukses të plotë! Putini, që s’e begenisi fare Ramën në Moskë, po ia hodhi Lavrovit në “kthetra” si ujk i vjetër siberian i diplomacisë, i quajtur si Gromiko i dytë, apo ”Gaspadin njet”, vazhdon t’a mbajë të pushtuar Krimenë! Lukashenko, ky autokrat par exellence, të cilin Rama e imiton, aq sa edhe ka marrë nofkën Ramashenko, vazhdon t’a persekutojë dhunshëm opozitën! Presidenti i Ukrainës e respektoi. Volodimir Zelenskij, një ish aktor komik shumë popullor, si Bepe Grillo i “5 yjeve”në Itali, fitoi bindshëm zgjedhjet dhe nuk lejon mbajtjen e fotos zyrtare të tij në institucione e zyra! Ukraina kërkon zgjidhje paqësore të konfliktit. Presidenti i Republikës, Kreu i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm, ka plotfuqi kushtetuese në politikën e jashtme dhe diplomaci! (Mjafton dekretimi dhe çdekretimi i Ambasadorëve dhe Marrëveshjeve e Traktateve Ndërkombëtare)! Anashkalimi i Presidentit , në një çështje kaq të madhe dhe kardinale, si kjo e 12 miljeve të Detit që homologia greke e Metës, Ekaterini Saqeralopulu e dekretoi menjëherë, është një akt i rëndë dhe antikushtetues i Kryeministrit, i cili duhet t’a informojë dhe tē kërkojë opinionin e Presidentit, para dhe pas çdo vizite, sidomos në këto dy vende , se s’janë vizita në Vanuatu! Grekët, ndryshe nga Marrëveshjet me Italinë, Turqinë dhe Egjiptin, hilen e kanë te ishujt Erikuza dhe Othonoi! Vërtetë s’e kupton këtë Rama?! Në mbyllje të kësaj pike, shtrohet pyetja: pse ky konspiracion në bisedime me grekët, kush e përbën Përfaqësinë tonë dhe ku zhvillohen ato?! Pse çdo gjë, shqiptarët duhet t’a përkthejnë nga greqishtja dhe t’a mësojnë nga zyrtarët dhe mediat helene?!

Të kritikosh Bashkimin Europian nga Ankaraja, pra nga mesi i Anadollit Aziatik, nga çdo pikpamje, politiko – diplomatike, është një non sens për një Kryeministër, do të thotë të jesh i sëmurë nga deliri i madhështisë dhe i protagonizmit!

Si do ta vlerësonit shkarkimin e ministrit të Jashtëm të komanduar në fundviti, por edhe emërimin në këtë post të një personi politik, pa përvojë diplomatike, në një kohë kaq të rëndësishme për Shqiptarinë?

Kjo historia e Cakajt adoleshent, Ministri të Jashtëm në detyrë, ashtu si emërimi dhe shkarkimi, ka marrë tashmë karakter anekdotik! Rama e paraqiti si një erudit dhe enciklopedist të kënduar, që një të tillë s’e kish njohur kurrë më parë, (e kish takuar 3-4 herë nga pak minuta ), por që çuditërisht, pa pritur dhe pa kujtuar, sidomos edhe pas “suksesit” në drejtimin e OSBE-së dhe me që negociatat, sipas Cakajt, na qenkan hapur, e shkarkon me shprehjen elegante, lirim nga detyra?! Kosova ka personalitete dhe intelektualë të formatit të shquar dhe emërimi i dy ministrave (përfshi Besën e Arsimit ), nga vëllezërit tanë në Kosovë ishte një ide e mençur, por edhe e lexueshme pse bëhej, që do t’ia rriste pikët e rëna nën nivelin e detit Ramës, në gjysmën tjetër të Trojeve dhe Kombit, për arsyet që dihen: qëndrimi për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, Minishengeni Ballkanik, Taksa 100 % për mallrat serbe, hedhja në gjyq e KM Ramush Haradinaj, përçmimi ndaj Presidentes Vjosa Osmani dhe KM Albin Kurti dhe quajtja mik, e Presidentit serb Vuçiç, Ministër i kryekasapit Milosheviç, Gëbels i tij! Por zgjedhja dhe propozuesi ishin të gabuara! (vështirë të besohet, të ishte vepër e tjetër kujt, veç atij, që me servilizmin jo rastësor ndaj Ramës, për interesa okulte, shfaqur pa u përmbajtur, gati në orgazëm, e që Opozita, jo pa shkak, e quan Balton Stanishiç! Emërimi i Xhaçkës në krye të diplomacisë , sipas meje, është i njëjtë me atë të Cakajt, vetëm ndryshon seksi! Me një servilizëm dhe përulësi të tillë ndaj Ramës, që në ceremoninë e marrjes së detyrës, na kujtoi kohën e Lenka Çukos dhe Gjela Bibës, para Komandant Qoftëlargut!

Zoti Topollaj, para disa ditësh, ish- ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, deklaroi se Shqipëria nuk ka pse të blejë avionë ushtarakë, sepse hapësirën ajrore të Shqipërisë e ruajnë forcat ushtarake të Italisë dhe Greqisë, në kuadrin e NATO-s. Është e drejtë kjo politikë e shtetit shqiptar, ndërkohë që fqinjët tanë armatosin dhe modernizojnë ushtritë e tyre?

– Kjo është një lajthitje e Mimi Kodhelit, që nuk arriti t’a kuptojë kurrë pse e bënë Ministre të Mbrojtjes, sidomos pas asaj historisë me gjigandin amerikan të teknologjsë së sofistikuar elektronike dhe elektroteknike dhe aviacionit ‘Lockheed Martin’! Serbia , ashtu dhe Greqia po armatosen me armët më moderne . Avionët MiG 29, tanket më të fundit dhe sistemi raketor dhe anti raketor rus SS 300 kërkohen nga Serbia, që po t’ia jepte Rusia, do të ishte e gatshme të blejë edhe avionët supermodernë ‘Sukhoj 57’, që sapo kanë hyrë në prodhim! Edhe Turqia, forcë e rëndësishme e NATO-s, bleu sistemin anti raketë té Putini SS 400, që detyroi SHBA-në, të anullojë shitjen e avionëve të së ardhmes ‘F – 35’! Ajo po ndërton dhe Aeroplanmbajtësen e parë! Shqipëria duhet të ketë avionët e saj, t’i blejë te Pentagoni me kredi, edhe pse qindra milionë €uro apo $ shpenzohen për konçesione dhe PPP-ra, si ato për inceneratorë etj!

Është një lajthitje e Mimi Kodhelit, pretendimi i saj, që hapësirën ajrore të Shqipërisë do ta ruajnë Italia dhe Greqia, prandaj Shqipëria nuk ka nevojë të blejë aeroplanë luftarakë

Në 8 vitet e qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, çfarë roli luajti diplomacia shqiptare?

Diplomacia shqiptare e këtyre 8 viteve, ka qenë margjinale dhe e përqëndruar vetëm në duart e atij, që edhe pse s’e ka thënë kurrë, atë që thosh Luigji i XIV: L’ETAT C’EST MOI – SHTETI JAM UNË , e zbaton më mirë se ai! E pafalshme që diplomacia jonë ka heshtur për çnjohjet e Kosovës së Pavarur, kur me kontributin e madh të saj, në drejtimin e Berishës kryeministër dhe Bashës ministër i Jashtëm, njohjet e shteteve, mbërritën në 115! Edhe letargjia e një pjese të madhe të ambasadorëve dhe diplomatëve tanë, të mykur në kolltuqet e rehatshme mbi 7 vite, në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Diplomatik dhe mungesa prej shumë kohësh e krerëve të Qeverive dhe Diplomacisë për të vizituar Tiranën, flet shumë! Si konkluzion mund të thuhet, se BE-së, nuk mund t’i bëhet karshillëk nga Anadolli , aq më tepër t’i shpallim luftë FETO-s për hatër të Erdoanit, kur Grushtin e Shtetit s’e njeh BE dhe Amerika që mban liderin e saj Fetullah Gylen! Personalisht kam takuar dhe folur me ideologun e neo osmanizmit, Kryeministrin turk Ahmet Davutoglu në Kajro, i cili gjatë bisedës, as që tentonte t’a fshihte delirin e madhështisë perandorake të shtetit dhe politikës së Turqisë! Nuk mund t’i lejohet një kryeministri shqiptar të heshtë pas deklaratave intimiduese të Erdoanit! “Skënderbeu i Dytë”, teksa përshëndet Merhaba Asker në Ceremoni, harron se Skënderbeu i Parë kthehet përmbys në varr aty në Lezhë! Erdoganit i duhet kërkuar të hapë shkolla shqipe për miliona shqiptarët e Turqisë! Të marrësh gjysmën e Qeverisë me vete dhe të përdorësh si çarter 72 orë avionin 220 vendesh, ‘Airbus 319’, të ‘Air Albania’, këtë vetëm Rama mund t’a bëjë! Dreka me Micotaqisin, apo darka me Dendias, i bëftë mirë Ramës, por nëse në ato bisedat kokë më kokë, është folur në dëm të Shqipërisë, kryeministri i saj, do t’i vinte vetes një njollë të pashlyeshme! Lus ZOTIN, që kjo të mos jetë e vërtetë!

– Ju faleminderit!