Spartak Ngjela: Rama është në krizë, ngaqë bën politikë pa aktorët politikë

504
Sigal

Spartak Ngjela, në intervistën për gazetën “Telegraf”, edhe pse shpreh rezervat për mënyrën e reagimit të deputetit (tashmë të përjashtuar nga PS-ja) Doshi, nëse duhej t’i drejtohej “forcës” dhe jo politikës së salloneve, pohon se kryeministri Rama, nuk e ka kuptuar kohën politike, sepse“… mendoi të bënte politikë pa aktorët e kohës politike dhe prandaj ka rënë në krizë. Imagjinoni tani, se sa naive është, që të ketë mundësi Rama, që me kapacitetin e tij të njeriut të zakonshëm, të pushtojë gjithë kohën politike”. Pasojë e kësaj, sipas politologut Ngjela, shteti aktual në zhvillim e vet institucional e politik, të gjithë e shikojnë që ka ngërç. Dhe nuk bëhen reforma. Ndërkohë, sipas zotit Ngjela, “Shqipëria ka nevojë për 3 reforma të mëdha: reformën në drejtësi, reformën në treg dhe reformën në arsim”.

– Zoti Ngjela, cila është prapaskena politike e konfliktit Tom Doshi dhe Rama?

– Nuk mendoj se ka një prapaskenë politike, por kuptohet se  ka një politikë të mirëfilltë. Segmenti politik, që ka filluar Rama me deputetin Tom Doshi, që në momentet kur ky e kishte fituar një zonë të djathtë si deputet në Qarkun e Shkodrës, ka qenë e një tipi të veçantë. Tom Doshi kishte influenca në zonën e vet elektorale, që ishte Velipoja e tutje, por kishte influencën e vet, ashtu sikurse e ka, edhe në qytetin e Shkodrës në komunitetin katolik të saj. Deputeti Doshi ka hyrë në politikë si i pasur dhe natyrisht që ka shpenzuar nga paratë e veta, për të krijuar influencën politike në zonë. Duhet të kujtohemi që politika është interes në funksion të pushtetit dhe Tom Doshi ka theksuar se për zonën e tij nuk po mbahen premtimet që Doshi ka bërë në funksion të Ramës. Ky është pretendimi i Tom Doshit, sepse kryeministri Rama nuk është shprehur. A duhej ose jo, që deputeti Doshi të ngrinte tonet dhe t’i drejtohej “forcës” dhe jo politikës së salloneve? Kjo është një çështje që ha diskutim, por ne nuk e dimë se deri ku mund të shkojë përplasja Doshi-Rama, ashtu sikurse nuk dimë se çfarë fshihet mbrapa fjalëve të deputetit Doshi, sepse ai ka përmendur se do zbardhë disa fakte. Është e pamundur të hamendësosh, sepse ne nuk e dimë se çfarë lloj faktesh janë dhe përse bëhet fjalë, por unë jam i qartë kur shprehem se influenca Doshi në elektoratin e Qarkut të Shkodrës deri tani nuk ka qenë e vogël, në një kohë që është fakt që Tom Doshi, në funksion të votimit, i ka dhënë mundësi partisë socialiste që të fitojë vota djathtas në Qarkun e Shkodrës. Se si do përfundojë konflikti Rama-Doshi, kjo pritet të shihet në ditët në vijim.

Ç’kuptoni ju kur thoni: “Rama nuk e njeh dot kohën politike dhe as akumulimin politik të pakënaqësisë”?

– Duhet të shpjegojmë termin “kohë politike”. Me kohë politike kuptojmë atë segment kohor, që, në zhvillimin e një shoqërie konsumon gjithmonë politika korrente, ose aktuale. Segmenti kohor, në të cilin zhvillohet politika në një moment të caktuar, quhet kohë politike; ashtu sikurse ai segment kohor, kur zhvillohet ekonomia, quhet kohë ekonomike. Në statusin tim, unë e kam përdorur termin “kohë politike” në këtë kontekst dhe e di që Rama nuk e njeh dhe prandaj nuk e llogarit. Brenda kohës politike luajnë aktorët politikë, se po të mos jenë këta aktorë, nuk ka as kohë. Gabimi i Ramës ishte që mendoi të bënte politikë pa aktorët e kohës politike dhe prandaj ka rënë në krizë. As gjenialitetet e mëdha, që kanë qenë absolut në pushtet, si Bonaparti, nuk kanë pasur kurajë që t’i eliminojnë tërësisht nga ecuria politike, aktorët që kanë përbërë kohën politike të çasteve të tyre të pushtetit, pavarësisht se me gjenialitetin e tyre e kanë pasur mundësinë që ta pushtojnë të gjithë kohën e tyre politike. Imagjinoni tani, se sa naive është që të ketë mundësi Rama, që me kapacitetin e tij të njeriut të zakonshëm, të pushtojë gjithë kohën politike. Kurse, me “akumulim politik të pakënaqësive”, duhet të kuptojmë zhvillimin që ka elektorati, që ka votuar për ty në funksion të ecurisë së reformave, ose premtimeve të pambajtura  prej teje, që ka ardhur në pushtet me votat e tyre. Sipas sondazheve aktuale, akumulimi politik i pakënaqësive në funksion të kryeministrit Rama, sot është i madh; pavarësisht nga mospërfillja apolitike e Edi Ramës.

– Përse ju thoni që ngërçi në drejtimin e shtetit është ngërçi te Rama?

– Unë e kam shpjeguar dhe në statusin tim se shteti aktual, në zhvillimin e vet institucional dhe politik, të gjithë e shohin që ka ngërç: nuk po bëhen reforma, nuk po gjendet burimi financiar për t’i bërë transfuzionin krizës ekonomike, nuk ka asnjë shenjë për riinstitucionalizimin modern të shtetit shqiptar dhe të gjitha këto kuptohet se kanë krijuar ngërçin aktual të ecurisë institucionale dhe politike.

– Pse kjo maxhorancë kaq e madhe nuk bën dot reforma?

– Maxhoranca është e madhe si numër, por koha po tregon që është e vogël si mendje. Reformat, e kanë numrin për të kaluar pengesat proceduriale në parlament, por kjo nuk mjafton, sepse duhet edhe mendja profesionale, ose intelekti profesional, që të strukturohen reforma. Para së gjithash, reforma është ligj. Reforma është ligj në fillim dhe arsye strukturaliste më pas. Ashtu si e kam thënë shpesh, Shqipëria ka nevojë për 3 reforma të mëdha: reformën në drejtësi, reformën në treg dhe reformën në arsim. Por nuk duhet të harrojmë se brenda tyre duhet të qarkullojë në mënyrë permanente dhe risistemimi i institucioneve politike të pavarura në Shqipëri. Kjo është reforma shqiptare, e cila, asesi, nuk mund të quhet dot Rilindje, por vetëm reformë. Rilindja është përrallë, që mund t’ju tregohet fëmijëve për t’i zënë gjumi në darkë.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA